BE-Turqi: Zhbllokohen bisedimet e ngecura në çështjen e Qipros
17 Dhjetor 2004Pas bisedimesh të gjata Recep Tayyip Erdogan kishte sinjalizuar se nevojiteshin diskutime të mëtejshme. Nga delegacioni turk u tha, se parakushti për njohje të tërthortë të qeverisë greko-qipriote të ishullt të ndarë do të refuzohej nga qeveria turke.
Kancelari gjerman Gerhard Schröder, i cili e përkrah me forcë anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian pas vitit 2014, shpresonte se do të arrihej një zgjidhje për problemin e Qipros:
"Ende nuk është fjala për të njohur zyrtarisht Qipron, por për zgjerimin e marrëveshjes doganore. Mendoj se këtu mund të gjehen modalitete, që e bëjnë të mundur për palët e ndryshme që të merren vesh, si për qipriotët ashtu edhe për turqit."
Krerët e shteteve dhe të qeverive kishin vendosur të fillonin bisedimet me synim anëtarësimin e Turqisë. Në rast dështimi do të synohej një lidhje e ngushtë e Turqisë me Evropën. Negociatat do të zhvillohen pa e përcaktuar përfundimin. Me këtë formulë u kënaqën edhe kryeministrat skeptikë, koservatorë, si kancelari austriak Wolfgang Schüssel.
Megjithatë "negociatat" me fund të papërcaktuar nuk pranohen aq thjesht nga pala turke. Kryeministri Erdogan kritikon gjithashtu faktin që Bashkimi Evropian kërkon ta kufizojë edhe për një kohë të gjatë pas anëtarësimit lirinë e lëvizjes për punëmarrësit turq.
Kryeministri suedez Gunnar Persson e paralajmëroi Turqinë, që të mos i rriste aq shumë kërkesat e saj.
"Nxjerrja e konkluzioneve është puna jonë, nuk është puna e Erdoganit. Sot duhet të mbërrijmë në një përfundim, jam optimist për këtë. Turqia duhet të vendosë nëse do të bëhet anëtare. Ua kemi ofruar, por me kushte të caktuara."
Dhe Persson kishte të drejtë, Turqia dhe Hollanda që ka kryesinë e radhës në Bashkimin Evropian u morën vesh rreth dy orë më parë se si të zhbllokonin bisedimet që kishin ngelur në vend.
Një diplomat francez tha, se marrëveshja përfshinte një deklaratë me shkrim të Turqisë për të nënshkruar përpara fillimit të negociatave një protokoll shtesë të Marrëveshjes së Ankarasë të vitit 1963, çka do të përbënte një njohje de facto të Qipros.
"Këshilli Evropian e mirëpret vendimin e Turqisë për të nënshkruar protokollin lidhur me ndryshimin e Marrëveshjes së Ankarasë," tha diplomati duke cituar një pjesë nga deklarata mbyllëse e aktualizuar e takimit të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian.
Por ministri i jashtëm britanik ia uli rëndësinë nënshkrimit të këtij protokolli duke thënë, se kjo nuk nënkupton njohje zyrtare ose jozyrtare të qeverisë së Qipros. Një diplomat tjetër tha se shumë vende kanë marrëveshje të vlefshme me njësi të tjera si Autoriteti Palestinez apo Tajvani pa i njohur ato si shtete.