BE shpreson që në Berlin të krijohet qeveri stabël | Evropa | DW | 19.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE shpreson që në Berlin të krijohet qeveri stabël

Reagimet e Brukselit ndaj zgjedhjeve në Gjermani janë të dyzuara

Shtypi i huaj për zgjedhjet gjermane

Shtypi i huaj për zgjedhjet gjermane

"Gjermania nuk mund të zgjedhë", ky është titulli me të cilën gazeta belge "Het Nieuwsblad" boton me një notë djallëzie kryeartikullin esaj. Faktikisht, pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës është e paqartë, se cili koalicion do të marrë përsipër qeverisjen dhe cili do të jetë kancelari i ardhshëm. Reagimet ndaj zgjedhjeve në Gjermani janë të dyzuara edhe në qarqet e BE-së në Bruksel dhe në kryeqytetet e tjera të vendeve të BE-së.

Në kryeqendrën e BE-së në Bruksel presidenti i Komisionit të BE-së, Hoze Manuel Barrozo, u shpreh papritur qartë për rezultatin e zgjedhjeve. Ai është i shqetësuar, se me stanjacionin që po ndodh në Gjermani nuk mund të gjendet rrugëdalje nga kriza evropiane për kushtetutën dhe financat: "Unë shpresoj, që Gjermania së shpejti të ketë një qeveri të qëndrueshme. Gjermania është motorri i Evropës. Pa Gjermaninë BE-ja nuk mund të rimëkëmbet. Ndonëse i kuptoj vështirësitë në politikën e brendshme, në emër të Komisionit të BE-së unë u bëj thirrje politikanëve gjermanë që të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje të qëndrueshme, sepse ne kemi nevojë për një Gjermani dinamike dhe të fortë në Evropë."

Ministrja franceze për çështjet e Evropës, Katerine Kolona siguroi, se dueti gjermano-francez do të vazhdojë të jetë motorri i ndërtimit të Evropës, pavarësisht, se cili koalicion do të qeverisë në Berlin. Edhe me Angela Merkelin si kancelare e mundshme do të ketë marrëdhënie të ngushta midis dy vendeve, deklaroi ministrja franceze e mbrojtjes, Mishele Allio-Mari.

Kryetari danez i partisë socialiste të Evropës, Poul Nyrup Rasmunsen tha, se një qeveri e paqëdnrueshme në Gjermani do të krijonte vështirësi edhe në Evropë.

Kryeministri suedez Gëran Person doli në përkrahje të shokut të partisë së tij, socialdemokratit Gerhard Shrëder: Pretendimi i Shrëderit për të qenë kancelar, sipas Person, është "i natyrshëm", pavarësisht nga humbjet. Kryeministri çek Jiri Paroubek, gjithashtu socialdemokrat, u shpreh për një sukses të jashtëzakonshëm të Gerhard Shrëderit.

Kryeministri i Polonisë, Marek Belka, tha, se nga perspektiva e tij është e nevojshme që Gjermania të zbatojë me guxim reformat e dhimbshme për disa, në fushën e ekonomisë dhe të sistemeve sociale. Kushdo që të jetë kancelar, theksoi më tej Belka, Polonia dhe Gjermania do të mbeten fqinjë strategjikë dhe marrëdhëniet midis tyre vetëm mund të përmirësohen.

Kryetari i fraksionit të socialistëve në Parlamentin Evropian, socialdemokrati gjerman Martin Shulc, është i mendimit, se Gerhard Shrëderi do vazhdojë të jetë kancelar. Me një koalicion të mundshëm të përbërë nga socialdemokratët, liberalët dhe ekologjistët ai mund ta vazhdojë politikën e tij, deklaroi Martin Shulc: "Pak gjëra do të ndryshojnë. Parimisht do të vazhdojë linja themelore e politikës së jashtme gjermane. Besoj, se ajo që ka deklaruar Gerhard Shrëderi, se tek Gjermania mund të mbështetet kushdo si një fuqi ndërmjetësuese për paqen, u shkon për shtat edhe pretendimeve të liberalëve."

Në reagimet që vijnë nga bota e jashtme, po spekulohet për mundësinë e një koalicioni të madh: kryetari i grupit të kristjandemokratëve/kristjansocialëve në Parlamentin Evropian, Markus Ferber, shpreh dyshim në aftësinë vepruese të një koalicioni të përbërë nga konservatorët dhe socialdemokratët: "Nuk dua ta fsheh, se nuk mund të imagjinoj, që temat e diskutueshme mbi Evropën do të mund të zgjidhen nga një koalicion i madh. Çështja e antarësimit të Turqisë në BE do të kapërcehej me një formulë kompromisi. Do të mund të fillojnë bisedimet dhe më pas duhet parë nëse ato do të vazhdojnë. Çështja e aftësisë së shprehjes do t´i vështirësojë vendimet e Këshillit të ministrave, në varësi të asaj se cila parti do ta ketë ministrinë përkatëse."

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, që më 3 tetor do të fillojë biseidmet me BE-në, u shpreh i lehtësuar pas rezultatit të votimeve në Gjermani. Erdogan kritikoi fushatën negative, që ka bërë unioni kristjandemokrat/kristjansocial gjatë luftës elektorale kundër ambicjeve të Turqisë për t´u antarësuar në BE.

Monedha e përbashkët evropiane e 12 shteteve antare të BE-së, euro në sfondin e situatës mat të krijuar në Gjermani pësoi humbje në bursën e Frankfurtit kundrejt dollarit amerikan. Euro mund të bjerë edhe më tej drejt vlerës 1,20 dollarë, parashikojnë analistët e bankës kombëtare australiane.

  • Data 19.09.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDK
  • Data 19.09.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDK