Bashkimi Europian i përçarë në çështjen e Turqisë | Evropa | DW | 05.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bashkimi Europian i përçarë në çështjen e Turqisë

Përderisa vazhdon të refuzojë njohjen e Qipros, Turqia kërcënohet nga konseguenca serioze dhe BE-ja rrezikon të përçahet. Gjermania dhe Franca kërkojnë afate të reja për bisedimet e antarësimit

Angela Merkel dhe Jacques Chirac flasin për Turqinë, 5 dhjetor 2006

Angela Merkel dhe Jacques Chirac flasin për Turqinë, 5 dhjetor 2006

Presidenca e BE-së do t´i pezullojë pjesërisht bisedimet e antarësimit me Ankaranë. Në të kundërt kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ka propozuar, që kryetaret e shteteve dhe të qeverive të BE-së të vendosin pas 18 muajsh, nëse duhet të vazhdojnë ose jo bisedimet e antarësimit me Turqinë.

Në këtë nismë kancelarja Merkel ka edhe mbështetjen e presidentit francez, Zhak Shirak. Të dy ata morrën pjesë të martën më 5 dhjetor së bashku me presidentin e Polonisë Leh Kazhinski, në takimin e ashtuquajtur trikëndësi i Vajmarit që u mbajt në Metlah.

Të martën në mëngjes më 5 dhjetor kryeministri i Turqisë Erdogan telefonoi në kancelari për t´i ndryshuar mendjen kancelares Merkel. Por kjo përpjekje nuk pati sukses. Kancelarja ndjek një kurs të ashpër ndaj Turqisë dhe do t´i përmbahet atij.

Bisedimet për antarësimin e Turqisë pjesërisht duhet të pezullohen dhe më së shpejti pas një viti Brukseli duhet të japë një propozim të ri. Se si duhet të ecë puna më tej kancelarja mendon: "Ne tani nuk duam të vendosim ultimatume, por duam që nga ana e Këshillit edhe një herë të bëjmë të qartë, se presim që Komisioni të na thotë, se çfarë është arritur dhe se si mund të vazhdohet më tej mes pranverës 2007, pra pothuajse pas një viti dhe deri në pranverën e vitit 2009."

Kështu u shpreh Merkel pas bisedimeve me presidentin francez Shirak dhe presidentin polak Kazhinski në Metlah. Shirak u deklarua shprehimisht përkrah Merkelit. Por në Bruksel gjërat shihen ndryshe. Komisioni i BE-së ndonëse propozoi, që bisedimet me Turqinë të pezullohen pjesërisht, nuk mendon se një rivlerësim pas një viti mund të sjellë diçka. Sipas presidentit Barrozo: "Propozimet, që ne kemi bërë për bisedimet me Turqinë, janë korrekte dhe të peshuara, unë mendoj, se kjo është rruga e duhur."

Komisioneri i zgjerimit Oli Rehn deklaroi po të martën, se procesi i antarësimit duhet të mbahet në jetë dhe se ultimatumet në të shkuarën nuk kanë pasur asnjëherë rezultat, një deklarim i qartë ky kundër planit kohor të Merkelit.

Kuptohet, që Brukseli ka frikë, se bisedimet e antarësimit me turqit mund të shkojnë drejt një vdekjeje të ngadalshme por të sigurtë. Problemi kryesor qëndron tek Ankaraja.

Ndonëse Turqia negocion me BE-në për antarësimin në një të ardhme të largët, ajo refuzon që të njohë Qipron, vend ky anëtar i BE. Anijet dhe avionët qipriotë nuk lejohen në Turqi. BE-ja kërkon, që Turqia së paku këtë ta ndryshojë, një kusht ky për bisedimet e antarësimit.

"Unë shpresoj, se edhe pala turke e ka kuptuar, që s´kemi të bëjmë këtu me ndonjë ashpërsim, por diçka që ne e prisnim nuk është bërë, e si rrjedhojë duhet të ketë disa pasoja", tha Merkel.

Çështja është se çfarë pasojash. Sa i përket Turqisë, Merkel bën pjesë në krahun e djathtë të BE-së. Në krahun tjetër qëndrojnë britanikët. Kryeministri Toni Bler është kundër ashpërsimit të kursit ndaj Turqisë. Madje edhe propozimin nga Brukseli, për pezullimin e pjesshëm të bisedimeve, britanikët e konsiderojnë të ekzagjeruar.

Problemi do të shqyrtohet në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së të hënën. Nëse nuk do të ketë zgjidhje, atëherë kryetarët e shteteve dhe të qeverive do të merren vetë me këtë çështje në takimin e tyre në mes të dhjetorit.

  • Data 05.12.2006
  • Autor Mihael Beker
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9X
  • Data 05.12.2006
  • Autor Mihael Beker
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9X