1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010409 Liebermann Israel

2 Prill 2009

Ministri i ri i jashtëm izraelit, Liebermann kalon në distancë ndaj aleatit SHBA. Ai shpalli se e refuzon të ashtuquajturin "proces të Annapolisit", me synim krijimin e një shteti palestinez.

https://p.dw.com/p/HOgR
Mahmoud Abbas, George W. Bush, dhe Ehud Olmert hartuan "procesin e Anapolisit".
Ministri i ri i jashtëm izraelit, Avigdor Liebermann e shpalli të pavlefshëm të ashtuquajturin "proces të Anapolisit".Fotografi: AP GraphicsBank/DW

Avigdor Liebermann nuk priti gjatë. Që ditën e parë të tij në post si ministër i jashtëm i Izraelit, ai e shpalli të ashtuquajturin "proces të Anapolisit" të pavlefshëm. Vetëm e ashtuquajtura "road map" është e detyrueshme për Izraelin, tha Liebermanni. "Road map" është një plan paqeje, i cili u vendos në vitin 2002 nga i ashtuquajturi "Kuartet i Lindjes së Afërme" i përbërë nga SHBA, Rusia, BE dhe Kombet e Bashkuara.


"Ekziston një dokument, përballë të cilit jemi të detyruar, dhe kjo nuk është konferenca e Anapolisit. Ajo nuk ka asnjë vlerë. Unë votova atëherë në Kneset edhe kundër "road map"-it, por ai është i vetmi dokument që u ratifikua nga qeveria dhe nga Kombet e Bashkuara, të cilin rezoluta 1505 e sheh si të detyrueshme, edhe për këtë qeveri. Dhe prandaj ne do t'i përmbahemi pikërisht këtij dokumenti, "road map"-it.

Bildkombo Israel Netanyahu und Liebermann
Bildkombo Israel Netanyahu und LiebermannFotografi: AP/DPA/DW-Grafik

Pesë vjet pas miratimit të "road-map-it", në nëntor 2007, presidenti i atëhershëm Bush ftoi Izraelin, Autoritetet Palestineze të Autonomisë dhe një sërë shtetesh fqinje për një konferencë paqeje në SHBA, në Annapolis, të shtetit federal Maryland. Pas konferencës, Izraeli dhe palestinezët i rinisën negociatat për paqe. Negociata u bënë për çështjet themelore të konfliktit të Lindjes së Afërme: për kufijtë e një shteti të ardhshëm palestinez, për statusin e Jeruzalemit dhe për kthimin e refugjatëve palestinezë në atdheun e tyre. Delegacionet negociuese nuk arritën megjithatë rezultate të qenësishme.

Ministrja aktuale e punëve të jashtme, Livni, refuzoi që të bëhet pjesë e qeverisë së re nën Netanjahun. Ajo donte ta vazhdonte procesin e Annapolisit. Në dokumentin përfundimtar të Annapolisit, shtetet pjesëmarrëse u shprehën sërish për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit të Lindjes së Afërt, i cili është si synim i largët pjesë përbërëse edhe e "road map"-it, por lidhet atje me një sërë kushtesh.


Në një ceremoni solemne për marrjen e detyrës nga qeveria e re izraelite, Presidenti i Shtetit Peres, kërkoi të mërkurën (01.04) një deklaratë nga qeveria e re për paqen. Duke iu drejtuar Netanjahut, presidenti i shtetit tha: "Paralelisht me forcimin e sigurisë teknike të Izraelit, qeveria nën udhëheqjen tuaj duhet të ndërmarrë përpjekje të mëdha, për ta çuar përpara procesin e paqes në të gjitha frontet. Qeveria që po largohet e pranoi vizionin e dy shteteve për dy popuj, të cilin e inicioi qeveria amerikane dhe që pranohet nga shumica e shteteve të botës. Është përgjegjësi e qeverisë suaj që të përcaktojë realitetin e ardhshëm."


Të kënaqur me qeverinë e re janë para së gjithash ata që morën një post. Me 30 ministra dhe nëntë zëvendësministra, kabineti Netanjahu është më i madhi në historinë e Izraelit.


Autor: Sebastian Engelbrecht / Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama