1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Allishverish politik - socialdemokrati spanjoll Borelli zgjidhet president i Parlamentit Evropian

Kay Rienäcke21 Korrik 2004

Zgjedhja e socialistit spanjoll, Josep Borelli, i cili është i mirënjohur për elektoratin spanjoll, por jo për qytetarët e tjerë të BE-së si president i Parlamentit Evropian, ishte rezultat i një pakti politik mes demokristianëve dhe socialdemokratëve të përfaqësuar në Parlamentin Evropian. Konservatorët evropian nuk e fshehën që pas "Po-së" së tyre për socialistin Borrelli presin të marrin "Po-në" e socialdemokratëve për Barroson, që kandidon për postin e presidentit të Komisionit të BE-së. Me këto mënyra të ndarjes së posteve sipas zakoneve të vjetra politike Parlamenti Evropian humbet imazhin e tij.

https://p.dw.com/p/ArGr
Presidenti i ri - avazi i vjetër
Presidenti i ri - avazi i vjetërFotografi: AP

Josep Borreli është i sapoardhur, e megjithatë ka bërë një hop shumë të madh. Vetëm pesë javë pas zgjedhjes së tij në Parlamentin Europian, socialisti 57 vjeçar spanjoll u ngjit në krye të Parlamentit. Borrelli i njohur mirë në vendin e tij, por vetëm atje, do të jetë President i Parlamentit për dy vjet e gjysmët në vijim. Këtë post Borrelli e morri falë një marrëveshjeje të arritur midis dy grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Parlamentin e Bashkimit Evropian, atij të partive konservatore dhe popullore evropiane (EVP)dhe të atyre socialdemokrate (SPE).
Për shefin gjerman të fraksionit të socialdemokratëve evropian, Martin Schulz, momenti kur i bëri të ditur të gjithë Plenumit të Strasburgut ishte moment i bukur. Shtatë vjet pas gjermanit Klaus Hänsch, me spanjollin Josep Borrelli, president i Parlamentit Europian do jetë sërish një socialdemokrat. Dhe kjo falë paktit të vendosur me kristiandemokratët. Krejtësisht njësoj si në kohët e vjetra të Parlamentit Europian, njësoj si në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë kur marrëveshje të tilla ishin të zakonshme.
Por në atë kohë, kërkush nuk e vriste mendjen për parlamentarët e Strasburgut, e aq më pak se kë zgjidhnin ata si president të tyre. Por kohët kanë ndryshuar. Megjithëse në zgjedhjet europiane të qershorit u arrit një rekord i ri negativ sa i përket pjesëmarrjes në votime, Parlamenti Evropian vazhdon të mbetet një dimension i patundshëm në lojrat europiane për pushtet. Irlandezi Pat Cox tregoi në dy vjet e gjysmët e fundit se si mund të personifikohet me postin e presidentit ky pretendim në rritje i Parlamentit Evropian.

Lutjet që bëhen gjatë fushatave të zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet e parlamentit, sepse është institucion i rëndësishëm, nuk mjaftojnë. Po aq e rëndësishme është që këtij përfaqësimi popullor europian t`i jepet një pamje atraktive. Për më tepër kur dihet se imazhi i Parlamentit tek zgjedhësit është i paqartë.

Ndaj zgjedhja e socialistit katalanas, Josep Borelli, i cili nuk njihet nga zgjedhësit, përveç atyre spanjollë, mendohet të jetë një zgjedhje e keqe. Ndryshe nga Pat Cox ai i përgjigjet klishesë së politikanëve senjorë që nuk kanë më për të dhënë në vendin e tyre e dërgohen në Europë. Përveç kësaj ai ndodhet por herë të parë në Parlamentin Europian dhe do i duhet fillimisht të mësohet jo vetëm me rregullat por edhe me atmosferën e veçantë të këtij parlamentit supra-nacional.

Ai u bë president i Parlamentit, një president që parashikohet të jetë i dobët, jo prej respektit dhe vlerësimit, por prej një Pakti politik të vendosur midis kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve. Konservatorët europianë nuk e fshehën që pas "Po-së" së tyre për socialistin Borrelli presin të marrin "Po-në" e socialdemokratëve për Barroson, të parashikuar si President liberalo-koservator për Komisionin e BE-së. Kjo mënyrë zgjedhjeje nuk është e denjë për përfaqësuesit popullor europian.

Parlamenti i BE-së ka nevojë për një president të fortë dhe popullor dhe jo vetëm për një figurë vetëm reprezentative. Presidenti i deritanishëm Pat Cox ose edhe kandidati i koservatorëve për gjysmën e dytë të periudhës legjislative, gjermani Hans- Gerd Pëttering, kanë kalibër tjetër. Parlamenti Europian duhet të ketë edhe në të ardhmen guximin të vendosë, edhe nëse ka kundërshtime, një kandidat të mirë i cili të zërë postin për krejt pesë vitet. Marrëveshjet e çuditshme nuk do mund të shpëtojnë deputetët e Strasburgut nga skepticizmi i qytetarëve evropianë.