A ka elementë të dukshëm pozitivë në ngjarjet e vitit 2004? | Politika | DW | 29.12.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

A ka elementë të dukshëm pozitivë në ngjarjet e vitit 2004?

Ngjarjet e vitit të kaluar 2004 nuk të bëjnë veçanërisht optimist: gjendja edhe më tej e pasigurtë në Irak, luftërat në Afrikë, atentatet shkatërruese terroriste në Madrid dhe Beslan dhe në fund të vitit katastrofa natyrore në Azinë Jugore. Elementi dëshpërues pra kishte konjukturë të lartë në vitin 2004. Po ku mbetet pozitivja?

Orët e para të 2004-ës pranë Portës së Brandenburgut

Orët e para të 2004-ës pranë Portës së Brandenburgut

Në botën e sotme, në të cilën mediet si kurrë më parë në histori i ndjekin ngjarjet rreth globit thuajse në kohën kur ndodhin, duke krijuar në këtë proces edhe të vërteta të reja, është kujtesa e shkurtër ajo që përcakton gjithnjë e më shumë veprimin, në politikë, në ekonomi edhe në sferën private. Përballë katastrofës në Azi, përmasa e së cilës kapërcen çdo përfytyrim tonin, kush kujton me të vërtetë Beslanin ose prerjet e kokave të pengjeve në Irak? Sepse lajmi i frikshëm i sotëm, në sajë të teknikës ultramoderne e sposton lajmin e së djeshmes në sirtarin "i eleminuar". Në mënyrë të pandërgjegjshme kjo con në atë që vështruesi ose konsumenti mezi arrin të dallojë midis së rëndësishme, më pak të rëndësishmes ose të parëndësishmes. Sepse pamjet përcaktojnë perceptimin, dhe shumica e pamjeve nuk ofrojnë thuajse fare përmbajtje ose informacione.

Prej kësaj shpejt zhvillohet një lloj topitjeje potenciale përballë gëzimin dhe vuajtjes, e cila nxjerr në pah gjithnjë e më qartë se sa e hollë është pëlhura civilizuese edhe në vendet e zhvilluara, kur në kohë të vështira duhen bërë ndryshime politike që i prekin të gjithë. Morali, mungesa e egoizmit dhe respekti për të tjerët e humbasin shpejt rëndësinë, kur bëhet fjalë për ruajtjen e gjendjes së pronave dhe për pushtet, kur atentatet terroriste, papunësia, rrogat në rritje të menaxherëve dhe ftohtësia sociale nxisin frikëra dhe pasiguri. Kjo vlen si në sferën personale, ashtu edhe në politikën e madhe.

Kjo në një kohë që bota ndryshon shumë shpejt, se sa e përkapim ne në mënyrë subjektive, dhe ndryshimi ka shtrat krizat dhe katastrofat si edhe zhvillimet afatgjata pozitive, të cilat përballë "lajmeve të këqia" dominuese humbasin në rrjedhën e përditshme të lajmeve. Si p.sh. ndryshimet e papritura të pushtetit në Indi, në Ukrainë, në Spanjë. Por edhe katastrofa në Azinë Jugore, si edhe rizgjedhja e Xhorxh Bushit dhe lufta katastrofale për vendin e tij në Irak, japin në fund ngacmime pozitive, të cilat u përcjellin njerëzve në fund mesazhin qendror: Nuk ka më ishuj të paqes. Përkundrazi, një pjesë e madhe e njerëzimit preket direkt ose indirekt nga veprimet e një Bushi ose nga tërmetet në botë. Dhe shembujt mund të vazhdojnë pa fund. Këtu mund të përmenden vetëm Izraeli dhe Palestina, Sudani dhe Kaukazi.

Thirrja për OKB-në si qendër koordinuese për kapërcimin e katastrofave në Azinë Jugore, por edhe si institucioni kryesor për kapërcimin e krizave në rajone të tjera të botës, nuk jehon më kot. Sepse, së pari nuk ka gjë më të mirë, dhe së dyti kjo pasqyron pa u artikuluar pranimin se vetëm një "politikë e brendshme botërore" e koordinuar mund të minimizojë rreziqet më të mëdha për njerëzimin dhe natyrën.

Në vështrim të parë, viti 2004 të duket si një vit i humbur, si një vit krizash dhe katastrofash. Por që në vështrim të dytë, shfaqen dritare të vogla mundësish të reja, të cilat i ka shkaktuar jo vetëm njeriu, por edhe natyra ose fati- po të mendosh vecanërisht për vdekjen e Arafatit. Bushi, Madridi dhe Arafati dhe një tërmet i fuqishëm në fund të vitit, i kanë ashpërsuar kontradiktat ekstreme të globalizimit në një mënyrë të tillë, sa që ekziston më shumë se kurrë nevojë veprimi në politikën botërore për të zotëruar problemet e mëdha në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, në Afrikën qendrore dhe në Azinë Jugore. Kjo është në thelb pozitivja, efekti i së cilës i kalon kufijtë e ndërrimit të viteve 2004/2005.

  • Data 29.12.2004
  • Autor Hajnrih Bergshtreser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AquU
  • Data 29.12.2004
  • Autor Hajnrih Bergshtreser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AquU