1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ç´pasoja ka ngjarja tragjike e 7 korrikut në Londër për politikën integruese të vendeve evropiane?

Peter Philipp13 Korrik 2005

Vetëm pesë ditë pas atentateve në Londër, të cilat shkaktuan vdekjen e 50 njerëzve, policia britanike mundi t´i identifikojë të martën përgjegjësit për këtë tragjedi. Sipas burimeve të mediave, atentatorët me prejardhje pakistaneze janë lindur dhe rritur në Britaninë e Madhe. Ç´pasoja ka kjo ngjarje për politikën integruese të vendeve evropiane?

https://p.dw.com/p/Aqtv
Besimtarë në një xhami në Londër
Besimtarë në një xhami në LondërFotografi: AP

Shumica e britanikëve do të ishte më e qetë, sikur përgjegjësit për tragjedinë që ndodhi më 7 korrik në Londër të kishin ardhur nga jashtë. Por lajmi se atentatorët ishin qytetarë britanikë dhe antarë të komunitetit mysliman shokoi mbarë vendin. Gazetat britanike shtrojnë sot pyetjen: Mos vallë myslimanët në vend janë kthyer në një të ashtuquajtur "kolonë e pestë"?

Mendime dhe spekulime të tilla mund të kenë pasoja të rënda jo vetëm për Britaninë e Madhe. Në Francë jeton një komunitet i madh mysliman me qytetarë afrikano-veriorë, në Gjermani ky komunitet përbëhet nga turq dhe në shumë vende të tjera evropiane situata është e ngjashme. Edhe në Hollandë po zhvillohet procesi gjyqësor kundër një hollandezi me prejardhje marokane, i cili vrau për arsye fetare kineastin Theo van Gogh.

Shembuj të tillë shkaktojnë me të drejtë panik, por ato nuk janë tipike dhe nuk duhet ta ushqejnë në asnjë mënyrë opinionin negativ mbi pakicën myslimane që jeton këtu. Fakti se terroristët në Londër shkaktuan edhe vdekjen e shumë myslimanëve, dëshmon se ata që janë të gatshëm për dhunë përbëjnë një pakicë shumë të vogël brenda komunitetit mysliman dhe se për ta nuk ka asnjë rëndësi se kush janë viktimat.

Por ndoshta ky është qëllimi i tyre: Me mendimin e tyre të prapshtë "ne këtu" dhe "ata atje", terroristët ndërlidhin jo vetëm nënshtypjen fetare të islamizmit nëpërmjet botës së krishterë por edhe kriza ndërkombëtare dhe luftëra me njëra tjetrën. Dhe pas Palestinës dhe Afganistanit, pas Bagdadit dhe Srebrenicës, lind një potencial shpërthyes.

Por sidoqoftë nuk duhet harruar se vrasësit e Londrës janë kriminelë. Ashtu si vrasësit e Madridit apo vrasësi i van Gogh-ut.
Por në vend që të përfshihemi nga histeria masive kundrejt islamizmit, ne evropianët dhe sidomos gjermanët, duhet të pyesim njëherë veten se cilat janë gabimet tona.


Të gjitha vendet kanë bërë gabime. Jo vetëm nëpërmjet kontrolleve jo të rrepta në dogana, por edhe nëpërmjet sjelljes së ftohtë me pakicat myslimane që jetojnë në vendet tona. Shembulli më i mirë për këtë është fakti se askush nuk i kushtoi vëmendje rëndësisë që ka tradita fetare për myslimanët. Deri tani motoja që mbizoteronte quhej: "Po deshën të jetojnë këtu, duhet të integrohen". Dhe ndalimi i ushtrimit të fesë nëpër vende publike, lehtësoi mundësinë për krijimin e shkollave dubioze të koranit.

Vrasësi i kineastit van Gogh ishte nxënës i një shkolle të tillë. Edhe në vende të tjera evropiane nuk do të mund të evitohet krejtësisht rreziku që sjell një edukim i tillë. Po ky rrezik mund të reduktohet duke u dëshmuar pakicave myslimane se janë pjesë e shoqërisë sonë.