Zgjidhja elimini i ligjeve fiskale? | Evropa | DW | 29.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zgjidhja elimini i ligjeve fiskale?

Ligjet fiskale bëhen gjithnjë e më komplekse dhe të vështira për t’u kuptuar. Kundrejt tyre ofrohet formula e tatimit linear me norma të njësuara dhe të ulta interesi

Grafik i taksave

Grafik i taksave

Tanimë është e pamundur të mësohet burimi i këtij numri por ai është mahnitës: njerëzit me sa duket shpenzojnë rreth tetë milionë orë me hartimin e deklarimit të të ardhurave të tyre për fiskun. Ligjet fiskale bëhen gjithnjë e më komplekse dhe të vështira për t’u kuptuar por jo patjetër më të drejta. Kjo ishte arsyeja pse shkencëtarët amerikanë Robert Hall dhe Alvin Rabuska në vitin 1981 kërkuan eliminimin e tyre. Propozimi ishte: një normë unike tatimi dhe asnjë përjashtim. Në SHBA ky tatim linear nuk është futur kurrë por ai ka korrur triumf të vërtetë në Europën Lindore.

Një normë e vetme tatimi, asnjë përjashtim, asnjë trajtim preferencial. Kështu baza e tatueshme që i shkon shtetit zgjerohet dhe norma unike e tatimit mund të caktohet e ulët.

Edhe profesor Wienfried Fuest nga Instituti i Ekonomisë Gjermane në Köln e konsideron mahnitëse idenë e tatimit linear: „Trajtimet preferenciale megjithëse gjithnjë e më të rralla në të drejtën fiskale favorizojnë gjithnjë një grup të caktuar njerëzish. Përshembull bujqit apo sektori i minierave. Si rrjedhojë ato janë të padrejta. Nëse këto trajtime preferenciale eliminohen dhe baza e tatueshme zgjerohet shteti ia del që edhe me një normë tatimore më të ulët të sigurojë të njëjtat të ardhura fiskale.“

Në Europën Qëndrore dhe Lindore gjatë viteve të fundit tatimi unik ka përjetuar një triumf të vërtetë. Zanafillën ai e ka në vitin 1994 në Estoni dhe Lituani, më vonë pasuan Letonia, Rusia, Serbia, Ukraina, Sllovakia, Gjeorgjia, Rumania, Hungaria dhe Çekia. Sa i përket normës së tatimit kryeson Lituania me 33 përqind, në Serbi ajo është përqind, Rusia dhe Ukraina e kanë 13 përqind ndërkohë që Gjeorgjia ja del edhe me 12 përqind.

Përvoja të mira në Europën lindore

„Përvojat me këto norma tatimore janë në pjesën më të madhe të këtyre vendeve të mira. Çekia përshembull, ka një normë tatimit unike prej 19 përqind përfshirë edhe tatimin mbi vlerën e shtuar. Në Hungari eksperienca nuk është dhe aq e mirë, është dashur të bëhen disa përshtatje dhe të ngrihet sërish niveli i normës së tatimit. Por në pjesën më të madhe të vendeve ku aplikohet tatimi linear përvoja është e mirë …“ - thotë Fuest.

Megjithatë për të qenë plotësisht të drejtë duhet thënë se shumica e vendeve që aplikon norma unike tatimore i kompenson të ardhurat më të ulëta me taksa më të larta për konsumatorët, shton Wienfried Fuest nga Instituti i Ekonomisë Gjermane. Në pjesën më të madhe të këtyre vendeve përshembull tatimi mbi vlerën e shtuar është dukshëm mbi 20 përqind ndërkohë që në Gjermani edhe rritja me 3 përqind e TVSH-së shoqërohet nga ankesa të shumta.

Norma unike e tatimit është diskutuar me zjarr edhe në Gjermani në prag të zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Profesor Paul Kirchhof nga Heidelbergu kishte propozuar atëherë një normë unike prej 25 përqind mbi të gjitha nivelet e të ardhurave. Por pasi Instituti Gjerman për Studime Ekonomike në Berlin përllogariti se kjo lloj norme do t’i pakësonte të ardhurat fiskale me 30 miliardë euro – madje specialistët e financave nga federata dhe landet folën për 44 miliardë – modeli u harrua shpejt.

Modeli i Kirchhof në Gjermani nuk pati sukses

„Kirchhof është keqkuptuar. Modeli i tij propozonte vërtet vetëm dy ose tre norma të ndryshme tatimi por përmbant një progresion indirekt (që do të thotë normë më e lartë për nivel më të lartë të ardhurash) pasi ishte një tarifë e shkallëzuar. Kush fitonte deri në 36.000 euro në vit dhe kishte dy fëmijë nuk do të paguante fare sipas këtij modeli. Ndryshe nga sot ky do të kishte qenë madje një hap i vogël për më shumë drejtësi...", shpjegon Fuest.

Modeli i Kirchhof nuk pati vërtet mbështetje politike në Gjermani por edhe ministri i sotëm gjerman i financave nuk mund t’i shmanget tendencës për norma më të ulëta tatimore. Tatimet e larta trembin investuesit, të ulëtat i tërheqin ata. Peer Steinbrück mund të inatoset me garën aktuale për normat më të ulëta të interesit por nuk mund t’i shmangë ato.

„Gjermania do t’a ndjekë këtë rrugë edhe pse me ngurrim. Në marrëveshjen e koalicionit për herë të parë thuhet se për arsye konkurrence duhet të ulim normën tatimore. Ky është çmimi i globalizimit që duhet të paguajmë dhe këtë e ka kuptuar tashmë edhe politika. Subjektet ekonomike reagojnë me gjithnjë e më shumë ndjeshmëri, e veçanërisht sipërmarrjet. Bota është globalizuar dhe ndaj këtij fakti nuk mund të jesh sot indiferent.“ - thekson Fuest.

  • Data 29.11.2006
  • Autor Rolf Wenkel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9c
  • Data 29.11.2006
  • Autor Rolf Wenkel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9c