1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhësit i tregojnë Sarkozisë kartonin e verdhë!

11 Mars 2008

Në zgjedhjet komunale në Francë vota e elektoratit shërbeu si karton i verdhë ndaj presidentit Sarkozi. Partia e tij konservatore, UMP, nuk pësoi humbje të ndjeshme, por socialistët mundën të marrin një sërë bashkish.

https://p.dw.com/p/DMIL
Presidenti francez Nicolas Sarkozy duke dhënë votën
Presidenti francez Nicolas Sarkozy duke dhënë votënFotografi: AP

Ky zhvillim komentohet në shtypin gjerman të ditës.

Gazeta "Pforzheimer Zeitung" shkruan: "Paraqitja e deritanishme e Sarkozisë nuk u jep shumë shpresë francezëve, se presidenti do ta marrë për zemër mesazhin e dhënë nga vota e tyre. Ai është tip, që synon të verë në lëvizje politikën e madhe të Evropës dhe atë ndërkombëtare. Zgjedhjet lokale me siguri që nuk përbëjnë ndonjë çështje fikse në kalendarin politik të tij. Por se sa i vlen lëkura vërtetë Sarkozisë këtë do ta shohim në gjysmën e dytë të vitit 2008, kur Franca të drejtojë presidencën e radhës në BE. Në këtë gjashtëmujor do ta kuptojmë nëse Sarkozia vërtetë mund të bëjë diçka. Nëse ai do të nuk do të paraqitet si duhet as në këtë kuadër, atëherë Franca vërtetë do të ketë një problem."

"Handelsblatt" komenton: "Fundi i zgjedhjeve komunale është ende i hapur. E po ashtu të pasigurta janë edhe shanset, që ka qeveria e Sarkozisë për të pasur sukses. Me kalimin e kohës kreu i shtetit do të konfrontohet edhe më shpesh gjatë mandatit pesëvjeçar të tij me data zgjedhjesh. Në 2009 zhvillohen zgjedhjet për eurodeputetët. Por pavarësisht nga kjo, siç premtoi sërish presidenti para pak ditësh, ai do ta çojë deri në fund kursin e reformave ekonomike, që ndonjëherë është janë të dhimbshme për masën. Nëse ia del ta realizojë këtë kurs do të jetë mirë për të. Detyra e Sarkozisë është që ta përgatisë si duhet vendin për globalizimin. Në bazë të këtyre rezultateve do ta vlerësojnë në fund francezët presidentin Sarkozi. Por faturën ai do ta marrë në zgjedhjet parlamentare në 2012."