Viktima të shumta në zjarret e pyjeve në Rusi - Shpallet gjendja e jashtëzakonshme
2 Gusht 2010Numri i të vdekurve gjatë zjarreve katastrofike në Rusi u rrit në 34. Brenda 24 orësh janë raportuar 500 zjarre të reja të përmasave të ndryshme, bëri të ditur ministria për Katastrofat në Moskë. Deri në 2.000 shtëpi janë shkatërruar nga flakët. Më i prekur është rajoni Nishni Novgorod. Edhe pjesë të tëra të qytetit të Moskës janë mbuluar nga një re e denduar tymi.
Presidenti Dmitri Medvedev shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në shtatë rajone të vendit. Presidenti nënshkroi edhe një dekret, i cili u jep banorëve të atjeshëm më shumë kompetenca në luftimin e katastrofës. Medvdev urdhëroi edhe bllokimin e territoreve pyjore për personat "e paautorizuar". Në këto zona do të hyjnë kryesisht forca shpëtimi. Shefi i Kremlinit urdhëroi dërgimin e ushtarëve shtesë. Deri tani për shuarjen e zjarreve ishin angazhuar 2000 ushtarë dhe afro 240 000 forca shpëtimi.
"Zjarret janë një katastrofë e vërtetë natyrore, e cila na pllakos çdo 30 apo 40 vjet. Ministria e Mbrojtjes ka detyra të tjera. Por ministria e Mbrojtjes civile, që lufton tani kundër zjarreve, duhet ndihmuar, në radhë të parë me forca të tjera shpëtimi, sipas mundësive të secilit rajon", tha Medvedev, pas takimit me ministrin rus të Mbrojtjes Anatoli Serxhukov.
Zjarret, që shkretojnë pyjet prej ditësh, janë katastrofa më e rëndë natyrore në Rusi prej disa dhjetëra vjeçarësh. Rusia vuan prej javësh nga një valë të nxehti dhe thatësire. Ky korrik ka qenë më i nxehti që prej 130 vjetësh. Rreth 240 000 forca shpëtimi luftojnë kundër kundër djegies së pyjeve, ndër ta edhe njësitë elitë të ushtrisë.
Autor: dpa, ap / verbica
Redaktoi: Eliana Xhani