1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëlavdërime dhe postulate elektorale - Kongresi i partisë ekologjike

Koment nga Mariane Dietrih16 Tetor 2005

Ç´do të bëhet me ekologjistët? Shtatë vjet funksionoi projekti socialdemokrat-ekologjistë në federatë, ndërsa tani të gjelbrit sërish do të ulen në bankën e opozitës. Në kongresin e parë të partisë pas zgjedhjeve parlamentare të 18 shtatorit ekologjistët diskutuan në Oldenburg, se ç´do të bëjnë ata në opozitë.

https://p.dw.com/p/Ar2Z
Logoja e partisë ekologjike gjermane
Logoja e partisë ekologjike gjermane

Ndoshta ky ishte kongresi më monoton që kanë zhvilluar ndonjëherë ekologjistët. Ata i kishin vënë qëllim vetes të diskutonin direktivat e punës së ardhëshme në opozitë. Por gjatë punimeve të kongresit u dëgjuan vetëm pjesë nga deklratat e konsumuara gjatë luftës elektorale.

Natyrisht që të gjelbrit nuk i trëmben opozitës. Ata s´kanë arësye të kenë frikë, tek e fundit edhe ata vet u befasuan që socialdemokratët mundën t´i durojnë shtatë vjet në koalicionin qeverisë. Apo mos vallë ka ndodhur ndryshe? Mos ndoshta socialdemokratët i kanë duruar të gjelbrit, vetëm sepse këta kanë bashkëvepruar në të gjitha fushat? Misionet e Bundesverit jashtë vendit, reforma në tregun e punës dhe të sigurimeve sociale e emërtuar Harc katër dhe paketa e reformave Agjenda 2010, kufizime në drejtim të shmangies së energjisë bërthamore dhe një ligj i ri migracioni, që të gjitha këto kanë shumë pak theks ekologjik.

Por të gjelbrit as që deshën t´ia dinë për këtë. E rëndësishme ishte që në kongres të mos dëgjohej vetëkritika. Fajin për zgjedhjet e humbuara ata u munduan t´ua ngarkojnë socialdemokratëve. E si rjedhojë pati mjaft vend për vetlavdërime: falë ekologjistëve, në federtaë nuk do të kemi tani mazhorancë mes kristjandemokratëve dhe liberalëve.

E pra tani në opozitë: është e qartë, tema thelbësore e të gjelbërve mbetet ekologjia. E krahas kësaj dëgjohen sërish gjëra që dihen prej kohësh: jemi për drejtësi sociale, për integrimin, për familjen dhe arsimin. Tani ekologjistët duan të rimarrin ngjyrën e gjelbër të origjinës, si parti e opozitës ata s´kanë nevojë të rezervohen sa i përket përmbajtjes.

Apo ndoshta do t´u duhet edhe të rezervohen? Të gjelbrit tregohen të pavendosur kur është fjala për mundësitë e koalicioneve të ardhëshme. E pra ku duan të shkojnë të gjelbrit e rinj? Më mirë të bashkëpunojnë me socialdemokratët, por në rast pasigurie edhe me kristjandemokratët, por kjo kuptohet jo me çdo çmim. Partia ekologjike të lë tani përshtypjen e një partneri të braktisur që nuk e di se çfarë do: jetesën në beqari të virgjër duke i ndryshuar partnerët vazhdimisht, apo preferon më mirë një marrëdhënie të re. Le të shpresojmë që gjetja e vetvetes do të jetë një nga detyrat kryesore të partisë më të vogël opozitare në Bundestagun e ri.

E meqë ra fjala, partisë i duhet gjithashtu të ndahet edhe prej figurës baba të saj. Joshka Fisheri, superstari, ekologjisti model dhe kandidati kryesor në luftën elektorale, nuk e pa të nevojshme as të shfaqej sado pak në kongresin e partisë. E ka qenë pikërisht ai që e ka drejtuar partinë në kohë të vështira dhe me probleme. Ai i ka bindur antarët e partisë të votojnë pro misioneve ushtarake në rajone lufte dhe pro reformave sociale. Të gjelbrit nuk e kanë ndjekur atë gjithmonë, ndonjëherë e kanë bërë këtë duke skërrmitur dhëmbët, por gjithnjë duke e ditur, se ai do të ishte garancia për suksesin. E ky Joshka Fisher në fund nuk u thotë as lamtumirë. Madje ai nuk u dha shokëve të partisë as shansin që ta përshëndesin e brohorasin, e ndoshta t´i thonin atij edhe faleminderit që i aftësoi të gjelbrit për të lëvizur në parketin e pushtetit.

E një kongres partie pa Joshka Fisherin ishte një kongres pa shkëlqim dhe pa emocione, pa sqimë dhe pa shpërthime. Edhe për këtë arësye mund të thuash se ky ishte ndoshta kongresi më i mërzitshëm që kanë pasur ndonjëherë ekologjistët.