1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendimet që do të merren në të ardhmen për Bundeswehrin do të jenë akoma më të vështira

2 Nëntor 2006

Komentet e gazetave gjermane i kanë kushtuar vend të veçantë argumenatve pro dhe kundër angazhimit të ushtrisë gjermane jashtë vendit. Shkak për këtë u bë deklarata e ministrit të mbrojtjes Franz Jozef Jung, se duke nisur nga fillimi i vitit të ardhshëm trupat gjermane do të tërhiqen gradualisht nga Bosnja

https://p.dw.com/p/ArnC
Bundeswehr në Bosnje-Hercegovinë
Bundeswehr në Bosnje-HercegovinëFotografi: AP

"Lausitzer Rundschau" që botohet në Kotbus shkruan:

"Ministri e ka bërë detyrën e tij duke shtruar pyetjen për qëndrimin e mëtejshëm në Bosnje. Ushtarët janë vetëm në raste emergjence ndihmësit më të mirë në situata krize dhe ata janë vetëm për një kohë të kufizuar. Ata kanë mjetet për ndërhyrje të shpejtë dhe janë të armatosur mirë, për të detyruar palët të ulen në bisedime paqeje. Ata nuk janë as zëvendësues të policëve dhe as të ndihmësve të zhvillimit. Këta kërkohen në Bosnje shumë më tepër se forcat e ushtrisë gjermane."

Skeptike shprehet gazeta "Märkische Allgemeine" nga Pocdami:

"Mund të dyshohet nëse minsitri i brendshëm Jung ka të drejtë në vlerësimin e tij se gjendja në Bosnje është stabilizuar. Myslimanët, serbët dhe kroatët përfaqësohen nga forca radikale dhe forcat e policisë që mund të zevendësonin trupat ndërkombëtare nuk duken akoma. Deri tani kontigjenti i Bosnjes ka shërbyer si rezervë për trupat në Kosovë. Pikërisht atje ndodhemi para momentesh të vështira kur janë në vazhdim bisedimet për statusin."

"Mittelbayerische Zeitung" nga Regensburgu gjykon:

"Një pjesë e sulmit aktual kundër ministrit Jung është injoranca e politikës gjermane që prej mesit të viteve 90-të. Qeveritë gjermane që nga ajo kohë janë involvuar në misione në vende të huaja pa pasur një koncept afatgjatë. Ndërkohë rreth 10 mijë ushtarë gjermanë janë aktivë në shtatë misionet e mëdha në të gjithë botën."

Gazeta që del në Hamm "Westfälischer Anzeiger" shkruan:

"Shpejtësia, me të cilin merren vendimet politike për misionet jashtë vendit, shpeshherë bën që të humbasë sensi për realitetin. Sedra morale vendos më shumë se faktet kritike dhe vendimtare për kuptimin dhe vlerën e një misioni. Çfarë mund të bëjnë në të vërtetë ushtarët gjermanë në vendin e krizës dhe çfarë efekti sjell angazhimi i tyre për të ardhmen e vendit? Kur do të arrihet të kuptohet se trupat që shkurtohen nga viti në vit në një moment të caktuar janë të mbingarkuara? Një debat jo i këndshën ky por i domosdoshëm."

Gazeta "Die Zeit" nga Hamburgu për Bundeswehrin:

"Sa më shumë të përhapen dhe zgjerohen operacionet ushtarake aq më tërheqëse bëhet ideja utopike për marrjen e vendimeve sa më pak të dyshimta. Kërkohet të hartohet një "katalog kriteresh" me ndihmën e të cilit do të përcaktoheshin qartë argumentat pro dhe kundër të një misioni. Por asnjë listë verifikuese nuk mund të garantojë një politikë të drejtë. Sipas të gjitha gjasave vendimet që do të merren në të ardhmen do të jenë akoma më të vështira."

Një citat edhe nga komenti i gazetës "Stuttgarter Zeitung":

"Afganistani, Libani, Bosnja diskutimi po bëhet gjithnjë e më i pakontrollueshëm. Mirë që të paktën misioni në Kongo po ecën sipas dëshirës. S´të habit fakti, që opozita po merr krahë dhe që ministrit të mbrojtjes Jung po i vjen rrotull dorëheqja. Për shumë kohë partitë e opozitës: ekologjistët dhe liberalët kishin rënë në gjumë duke mbetur pa ndonjë rol politik. E megjithatë ministri i mbrojtjes ka arësye të forta që të jetë i vëmendshëm. Ai duhet shpejt të vendosë transparencën në debatin për mandatin e marinës së Bundeswehrit në brigjet e Libanit. Ai duhet të sqarojë paqartësitë me Izraelin. Ai duhet të sqarojë fotografitë e shëmtuara me skelete të ushtarëve në Afganistan duke u kërkuar llogari të gjithë atyre që janë përgjegjës. Me këto Jung ka mjaft punë. Ndaj ishte gabim, që të shpallej tani shkurtimi i trupave në Bosnje Hercegovinë."