1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushqimet në rrugë rrezik për shëndetin

13 Korrik 2010

Shoqatat e mbrojtjes se komsumatorëve në Shqipëri po japin alarmin për prezencën e tregjeve ushqimore buzë rrugës e trotuareve. Tregtimi i produkteve ushqimore jashtë standarteve cilësore e higjenike përbën rrezik.

https://p.dw.com/p/OHyS
Fotografi: Arben Muka

Buzë rrugëve kryesore e dytësore si dhe në trotuaret e Tiranës tregëtarë ambulantë improvizojnë tregje për shitjen e mallrave ushqimore, produkte blegtorale, peshk, fruta, perime etj. Në kohën e temperaturave të larta, pa sigurinë minimale të pajisjeve ftohësve e ngrirësve, pa kushte higjeno sanitare, aktivistët e mbrojtjes së konsumatorit japin alarmin e rrezikut për shëndetin e qytetarëve.

Kryetari i shoqatës “Për mbrojtjen e konsumatorit”, dr. Islam Cani, thotë se organizata e tij merr vazhdimisht ankesa dhe informacione nga qytetarët për prezencën e tregjeve ushqimore të improvizuara dhe të palicensuara të rrugës. “Ato shiten në një mënyrë që fatkeqësisht në Shqipëri nuk po stabilizohet. Janë në mënyrën më të shëmtuar dhe më të rrezikshme për konsumatorin. Duke mos patur mundësi ata blejnë në tregun e hapur, ose atë të rrugës qumështin, mishin, peshkun, vezët e nënproduktet e tyre.”

Kryetari i shoqatës “Për mbrojtjen e konsumatorit”, dr. Islam Cani.
Kryetari i shoqatës “Për mbrojtjen e konsumatorit”, dr. Islam Cani.Fotografi: Arben Muka

Dr Cani thotë për DW se këta tregtarë shfrytëzojnë gjendjen e mjeruar ekonomike dhe sociale të një kategorie të qytetarëve, të cilët pranojnë të blejnë gjithshka po të jenë më lirë.

Meri, një pensioniste që banon në qëndër të qytetit, thotë se i frekuenton tregjet në trotuaret afër lagjes së saj se ato janë më të lira. “Nuk na e mban xhepi për ushqime të shtrenjta”. Kurse Namiku një 45 vjeçar thotë se jo vetëm tani në stinën e nxehtë të verës, por kurrë nuk i afrohet tregtarëve të tillë. “Edhe në dimër që është temperaturë e ulët ato kanë probleme, pluhrat, pisllëqet përreth. Mund të jenë më lirë nga çmimi pasi nuk paguajnë taksa, por vetëm nga që janë në ambjent të hapur nuk duhet të lejohen fare.” Nuro, një shitës ambulant i licensuar e shikon problemin në një këndëvështrim tjetër. “Si tregtarë që i paguajmë tatime bashkisë pothuajse na kanë nxjerrë jashtë funksioni, nuk punojmë dot. Ata dalin përballë nesh dhe na konkurojnë në mënyrë të pandershme”.

Dajti, drejtor i policisë bashkiake të kryeqytetit.
Zyhdi Dajti, drejtor i policisë bashkiake të kryeqytetit.Fotografi: Arben Muka

Mjeku Besnik Lamçe e shikon konsumimin e mallrave që tregtohen në kushte të mjeruara higjenike si një burim të rrezikshëm për sëmundjesh. Të mbajtura nën diell, nën veprimin e reagentëve të rrezikshëm të ambjentit përreth, tek këto produkte ndodh një proces dekompozimi, çka jep efekte negative tek konsumatorët, thotë mjeku Lamçe për DW. “Sëmundjet që shfaqen nga konsumimi i këtyre ushqimeve të pakontrolluara janë diarreja dhe të vjellat. Këto dy simptoma çojnë në atë që ne i themi ulje të nivelit të ujrave në organizëm dhe të kripërave. Por përqindja më e madhe e tyre janë nga kontaminimi me shirika kolin, salmonelën dhe patologji të tjera që vijnë nga qumshti dhe mishi i pakontrolluar”.

Mjeku Besnik Lamçe, shton se institucionet e mbrojtjes së shëndetit dhe mbrojtjes së konsumatorëve duhet të evitojnë tregjet informale, por të kontrollojnë sistematikisht dhe rrjetin e licensuar për kushtet higjeno sanitare.

Duke qënë se organizimi i tregjeve të tilla është informal, pa licencë qëndrimi dhe aktiviteti, policia bashkiake në Tiranë mbetet insitucioni që largon ose gjobit tregtarët e tyre. Si mënyra më e mirë për momentin, sipas drejtuesve të këtij institucioni, është zgjedhur largimi i tyre. Pasi është shumë i vështirë sekuestrimi i mallrave për mungëse ambjentesh depozitimi.

Mjeku Besnik Lamçe
Mjeku Besnik LamçeFotografi: Arben Muka

Përveç vënies në rrezik të jetës së qytetarëve ato ndotin ambjentin përreth, thotë për DW, Zyhdi Dajti, drejtor i policisë bashkiake të kryeqytetit. “Pikat më të nxehta për qytetarët e Tiranës janë therrja e mishit e bulmetit dhe e peshkut. Këto janë tre drejtime që ne i kemi parë si të domosdoshme sepse shkaktojnë erë të keqe, mbledhi miza dhe të gjitha mbetjet hidhen nëpër rrugë”.

Autoriteti i pushtetit lokal ju ka ofruar tregëtarëve grumbullimin e tyre në vënde të miratuara dhe me kushte të përshtatshme higjenike, duke stimuluar dhe aktivitetin me licensë.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama