Udhëheqës shpirtëror i rezistencës | Gjermania | DW | 19.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Udhëheqës shpirtëror i rezistencës

Pater Laurencius Zimer ishte njëri nga ideatoërt e "Rajhut të Katërt", që ishte planifikuar të ndërtohej pas vrasjes së Hitlerit.

Pater Laurentius Siemer

Pater Laurentius Siemer

20. korrik 1944: Atentati i Klaus Graf Shenk fon Shtaufenbergut kundër Hitlerit dështon. Ai dhe të involvuarit e tjerë arrestohen dhe dënohen me vdekje. Por Gestapo nuk arriti t'i gjente të gjithë organizatorët. Njëri prej tyre ishte Pater Laurentius Siemer, Provincial i urdhërit dominikan dhe njëri nga etërit shpirtërorë të rezistencës gjermane.

At Laurencius bënte pjesë në rrethin e atyre, që po përgatisnin në Gjermani "Rajhun e Katërt", që mbas vrasjes së Hitlerit do të zëvendësonte "Rajhun e Tretë" të nazistëve. Ai e furnizonte rezistencën me argumente etike, teologjike dhe filozofike. Nazistët kishin patur rastin ta shikonin që me ardhjen e tyre në pushtet. Me rastin e festës së pashkëve në vitin 1933, në një artikull me titullin "Degjenerim", ai kritikonte vënien baraz të fesë me racën dhe u bënte thirrje katolikëve për rezistencë me fjalët: "E si mund të rrish i qetë në dhomë kur të digjet shtëpia?!"

Pater Laurencius mbante lidhje të ngushta me përfaqësues të Lëvizjes Puntore Katolike si edhe të qarqeve të tjera të rezistencës, mes tyre Graf fon Moltke nga Silezia dhe Klaus Graf Shenk fon Shtaufenberg. Pater Basilius Shtrajthofen nga Instituti i Shkencave Shoqërore në Valberberg kujton: "Kontaktet me përfaqësues të rezistencës që më vonë u ekzekutuan në Berlin, Laurencius gjithmonë i ka mbajtur të fshehta e nuk na i thoshte. Njëri nga ushtarakët e lartë të lidhur me Shtaufenbergun, fon Bëzelager, e pat kërkuar vetë kontaktin me Pater Laurencius për ta inkuadruar atë në lëvizje."

Mbas dështimit të atentatit kundër Hitlerit, më 20 korrik 1944, Pater Laurencius shpallet person në kërkim. Gati dy muaj më vonë, më 16 shtator, Gestapoja e gjeti vendstrehimin, në një manastir në zonën e Oldenburgut, por ai arriti të arratisej përmes derës së pasme në stallën e një fermeri. Hajnrich Kurre asokohe ishte fëmijë: "Ata kishin një dhomë të veçuar ku flinte tezja ime. Aty ia vunë shtratin, në mënyrë që kur të vinte dikush për kontroll, Pater Laurencius të futej në stallë e të fshihej nën kashtë," - kujton Kurre. Prej kësaj stalle Laurencius kaloi në një oborr të shkretuar, jo larg manastirit, ku qendroi i fshehur deri në fund të luftës.

Pater Laurenciusit iu dha më vonë Kryqi i Madh i Meritave të Republikës Gjermane. Ai është njëri nga themeluesit kryesorë të Unionit Kristdemokrat dhe të ligjit themeltar gjerman. Në vitin 1956 ndërroi jetë në moshën 68 vjeçare.

  • Data 19.07.2006
  • Autor Angelika Diçajd
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar02
  • Data 19.07.2006
  • Autor Angelika Diçajd
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar02