1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turne politik i Grupit Negociator

Bekim Shehu15 Mars 2007

Anëtarët e grupit negociator të Kosovës, kanë filluar një turne brenda Kosovës dhe jashtë saj, për të shpjeguar nga afër rrjedhën e procesit të zgjidhjes së statusit dhe për të lobuar për pavarësinë e Kosovës.

https://p.dw.com/p/ArXf
Fatmir Sejdiu
Fatmir SejdiuFotografi: dpa

Udhëheqësi i grupit negociator të Kosovës presidenti Fatmir Sejdiu, ka filluar një turne nëpër rajone të ndyshme të Kosovës, për t'u shpjeguar qytetarëve tërë rrjedhën e procesit të zgjidhjes së statusit.

Këtë turne, presidenti Sejdiu dhe anëtarët tjerë të grupit negociator, të cilët vazhdimisht po udhëtojnë jashtë vendit, për të lobuar për pavarësinë e Kosovës po bëhen në këtë fazë të pritjes së filimit të debatit në KS-it, për zgjidhjen e statusit të
Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u tha sot qytetarëve të Junikut, vendbanim ky i përfshirë si pilot njësi në kuadër të decentralizimit, se propozimi i ndërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisari, garanton krijimin e shtetit të Kosovës.

Presidenti tha se, pala kosovare është e vetëdijshme, se në KS-it, mund të ketë vende që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, në këtë rast ai përmendi Rusinë, por megjithatë ai është i bindur se propozimi i ndërmjetësit, Marti Ahtisari, do të kalojë në KS-it.

Autoritetet e Prishtinës janë të bindura se gjatë muajit prill do të zhvillohet debati në KS-it, për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ndërsa, shpresojnë se më së largu në muajin qeshor, do të merret vendimi për të ardhmen e Kosovës që sipas tyre do të jetë pavarësia e Kosovës. Udhëheqësit kosovar kanë besim në ndërmjetësin ndërkombëtar, Marti Ahtisari dhe ata shprehen të bindur se në pjesën politike të rekomandimeve në pako, Marti Ahtisari do të propozojë një pavarësi të kontrolluar për Kosovën.