1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trazirat në Uzbekistan & Projekrezolutë për reformimin e Këshillit të Sigurimit

VFB17 Maj 2005

Gjendja në Uzbekistan është një nga temat më të komentuara në shtypin e sotëm të Gjermanisë. Në shtyp i kushtohet vëmendje edhe projektrezolutës së paraqitur të hënën në Këshillin e Sigurimit për refromimin e këtij forumi.

https://p.dw.com/p/ArvW
Fotografi: dpa

Lidhur me Uzbekistanin, gazeta "Sächsische Zeitung" nënvizon: "Atë që po ndodh në vend Karimovi as nuk do ta kuptojë dhe as nuk do ta pranojë si të vërtetë. Ai pretendon, se fondamentalistët duan të krijojnë një shtet islamik në luginën Fergana dhe për këtë arësye kanë ngritur popullin në këmbë. Me një argumentim të ngjashëm mundohet ta justifikojë vazhdimisht luftën në Çeçeni edhe vëllai i madh i tij Putin në Rusi. Fakti që shumica e demonstruesve nuk duan të rëzojnë qeverinë, por vetëm duan të shprehin indinjatën e tyre për gjendjen sociale katastrofale në vend, nuk i shkon përshtat vizionit të Karimovit, që siç duket i vjen më mbarë të kryejë masakra që do ta meritonin emërtimin genocid", komenton "Sächsische Zeitung".

Në artikullin e botuar në "Kölner Stadtanzeiger" lexojmë: "Presidenti Islam Karimov me masakrën ndaj demonstruesve donte të tregonte, se gabon rëndë kushdo që mendon, se ka ardhur koha për lirinë politike, ashtu siç ndodhi në Gjeorgji, në Ukrainë dhe së fundi në vendin fqinjë të Uzbekistanit në Kirgizi. Karimov ndjek traditën e kasapëve autokratë. Sa më shumë të vdekur aq më i qartë është mësimi për popullin, kjo pra është logjika e brendëshme e tmerrit. Ndoshta edhe Karimovi do të rëzohet një ditë dhe do të ndëshkohet për krimet e tij. Por kjo nuk i ngushëllon tani aspak të afërmit e të vrarëve në Andishan", vëren komentatori i "Kölner Stadtanzeiger".

Të njëjtën temë "Berliner Zeitung" e analizon: "Nuk ka opozitë politike në Uzbekistan, nuk ka ligj për lirinë e mendimit, nuk ka liri shtypi dhe nuk ka asgjë që mund të shërbente vetëm si bazë për një demokraci. Të bën përshtypje një raport i ministrisë së jashtme të SHBA një vit më parë që dokumenton mënyrën se si veprohet në Uzbekistan me të drejtat e njeriut. Raporti bën fjalë për arrestime dhe tortura arbitrare nëpër burgje. Ky dënim i rëndë nuk e pengoi megjithatë ministrinë amerikane të mbrojtjes që në gusht të vitit të kaluar t´i japë 21 milionë dollarë ndihmë ushtarake Uzbekistanit. Në këtë mënyrë Islam Karimov po kujdeset tani për sigurinë dhe stabilitetin", shkruan "Berliner Zeitung".

Ndërsa gazetari i "Nürnberger Zeitung" komenton: "Ashtu si në Ukrainë, në Gjeorgji apo në Kirgizi edhe në Uzbekistan shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, mbështet sundimtarin duke ndjekur kështu rrugën e gabuar. Me çdo përpjekje të këtij lloji presidenti rus humbet kredibilitetin ndërkombëtar. Sepse duket fare qartë që nuk është destabilizimi apo rreziku i terrorizmit islamik ai që i krijon shqetësime atij, por vetëm tkurrja e sferës së influencës", tërheq vëmendjen "Nürnberger Zeitung".

Gjermania, Japonia, Brazili dhe India të hënën paraqitën në Nju Jork projektrezolutën për reformimin e Këshillit të Sigurimit. Pritet që planet për reformimin e këtij forumi të parashtrohen për votim në qershor. Një ndër kërkesat për reformim është zgjerimi i Këshillit të Sigurimit deri në 25 antarë.
Gazeta "Nordwest Zeitung" shkruan: Qysh prej vitesh një nga temat më të preferuara për kancelarin është: që Gjermania të bëhet anëtare me të drejta të plota e Këshillit të Sigurimit. Qysh prej fundjavës së shkuar duket mëse e qartë, se SHBA do ta pranojnë zgjerimin e këtij forumi, vetëm nëse antarët e rinj, krahas Gjermanisë edhe Japonia, India e Brazili, nuk do të kenë të drejtën e vetos. Kjo e drejtë duhet t´u mbetet ekskluzivitet vetëm pesë antarëve të përhershëm: SHBA, Rusisë, Kinës, Britanisë së Madhe dhe Francës. Ndërsa Gjermanëve do t´i mbetet ekskluzivitet roli i mjeshtrit në shlyerjen e kuotizacioneve. Ekspertët vlerësojnë, se në bazë të detyrimeve që dalin prej antarësimit kuotizacioni vjetor i Gjermanisë mund të arrijë deri në 1 miliardë euro", vëren "Nordwest Zeitung".

Së njëjtës temë i referohet edhe një artikull i botuar në numrin e sotëm të "Frankfurter Allgeimeine Zeitung": "Në qarqet diplomatike mendohet, se dështimi i reformës mund të duket qartë, vetëm nëse qysh në fillim procesi i sapo nisur nuk do të gjejë përkrahësit e mjaftueshëm. Nëse kapërcehet kjo pengesë procesi do të jetë i vetkuptueshëm. Qysh tani të katër shtetet që kanë paraqitur projektrezolutën shpresojnë, se do të marrin 60% deri në 65% të votave në favor të tyre. Eshtë e diskutueshme nëse kundërshtarët e kësaj reforme do të reagojnë me një rezolutë tjetër, sepse këto vende i bashkon më shumë kundërshtimi i planeve aktuale se sa mbështetja e projekteve të tjera. Megjithatë faza e ardhëshme është e lidhur me mjaft rreziqe si dhe me një potencial turpi për katër vendet iniciatore. Ndonëse në qarqet diplomatike me qetësinë më të madhe thuhet, se "nëse do të dështojë rezoluta turpi do të ishte më i madh për OKB-në, se sa për Gjermaninë", shkruan "Frankfurter Allgemeine Zeitung".