1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Topi flet në Athinë edhe për pronat

Niko Anagnosti/ Athinë 27 Nëntor 2007

Në bisedimet e djeshme në Athinë të kreut më të lartë të shtetit shqiptar janë përfshirë edhe problemet e pronave dhe varrezave për ushtarët grekë, tema të cilat quhen të vështira për marrëdhëniet shqiptaro - greke

https://p.dw.com/p/CTbS
Bamir Topi, zgjidhet president
Bamir Topi, zgjidhet president i ShqipërisëFotografi: AP

Ajo çka nuk u tha në deklaratat për shtyp dhe lihej të qarkullonte si spekullim gazetaresk se në bisedimet shqiptaro-greke të nivelit të lartë të ditës së djeshme në Athinë u përfshinë edhe probleme të tilla si pronat dhe varrezat për ushtarët e renë grekë të luftës italo-greke në Shqipëri, të cilat i mbajnë marrëdhëniet shqiptaro greke në një farë ngërçi ballkanik, u konfirmuan nga vetë presidenti shqiptar Bamir Topi në një prononcim të veçantë të tij të mbremshëm me përfaqësues të medias greke edhe shqiptare. "Ndër çështjet që kam diskutuar si me presidentin Papulas po kështu edhe me kryeministrin Karamanlis ka qenë edhe çështja e pronave në Greqi. Çështja e pronave konsiderohet një çështje e së drejtës ndërkombëtare. Nga kjo pikëpamje politika shpreh vullnetin për ta trajtuar këtë çështje. Fatmirësisht ne kemi një pikë referimi dhe ky është Traktati i Miqësisë midis dy vendeve dhe është konkretisht neni 15 i këtij Traktati që parashikon trajtimin e kësaj çështjeje mbi bazën e një komisioni ekspertesh".

Për pretendimet pasurore të pjesëtarëve të zonës së Himarës dhe minoritetit grek më gjerë, që së fundi u bënë publike me një grumbullim proteste të tyre para ambasades shqiptare në Athinë, presidenti shqiptar u shpreh kundër çdo "dallimi preferencial" dhe "favorizimi të një kategorie të veçantë" nga rregullimi i pritshëm i ligjit. "Të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit" tha presidenti shqiptar duke dekurajuar të gjithë ata që presin një qendrim më fleksibël në këtë çështje.

"Një çështje tjetër që diskutuam ka të bëjë me kërkesën e palës greke për varrezat e ushtarëve të renë grekë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri" tha presidenti shqiptar duke sqaruar se në një takim qe ministri i jashtëm Basha pati së fundi me zëvendës ministrin e jashtëm grek Janis Valinaqis u vendos që te ngrihet një komision ekspertësh. "Politika jep predispozicionin, zgjidhjet reale dhe konkrete i japin ekspertet" deklaroi presidenti shqiptar i cili pohoi se në axhendë ishin dhe çështje të tjera si përcaktimi i kufijve ujorë të ëmbël dhe detarë, mbi bazën e teknologjive moderne, apo ajo e detyrimeve ndaj konventave ndërkombëtare për çështje të sigurisë.

Zgjidhja e këtyre çështjeve sigurisht që do të krijojë një klimë më të favorshme për marrëdhëniet shqiptaro-greke. Mjafton, sigurisht, që komisionet e eksperteve të mos i kalojnë ato nëpër kalendat greke.