Tiranë: PD dhe PS pro ndryshimeve në Kushtetutë për reformën elektorale
10 Mars 2008Partia Socialiste ka paraqitur një kërkesë në mbledhjen e kryesisë së parlamentit, që në rendin e ditës së këtij institucioni të futen propozimet mbi ndryshimin në Kushtetutë, të cilat kanë lidhje me reformën zgjedhore. Mbledhja e kryesisë e ka miratuar këtë propozim duke shënuar kështu hapin e parë konkret në hartimin dhe miratimin e një ligji të ri elektoral.
Kryetarja e grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj, u shpreh se sistemi i ri proporcional rajonal që do të aplikohet është një largim prej sistemit aktual te deformuar zgjedhor. Ajo ftoi dhe partitë e tjera parlamentare që të jënë pjesë e debatit ne parlament për këto propozime të rëndësishme.
Menjëherë ka reaguar dhe Partia Demokratike në lidhje me propozimet e PS-së. Kryeministri Sali Berisha tha se do të shikohen me seriozitet këto propozime nga ana e mazhorancës. Ai ka vlerësuar bashkëpunimin pozitë opozitë për probleme madhore siç është reforma elektorale apo ajo në drejtësi.
Por gjatë ditës së hënë propozimi i socialistëve për systemin proporcional në 12 rajone është kritikuar nga partitë e vogla parlamentare. Sipas Arjan Madhit, që drejton grupin e deputetëve republikanë, PS-ja me propozimet e saj ka anashkaluar komisionin e reformes zgjedhore.
Paskal Milo i Partisë Demokracia Sociale tha se shpreson që akordi PD dhe PS të mos marrë votat e nevojshme në parlament. Nëse kjo ndodh Milo paralajmëroi hedhjen e çështjes në gjykatën kushtetutese, ose zgjidhjen e saj me anë të referendumit popullor.