1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Fluturim i suksesshëm i Airbus A380, debati antikapitalist i ndezur nga shefi i socialdemokratëve, Franc Myntefering, vizita e presidentit rus, Vladimir Putin në Izrael

28 Prill 2005

Shtypi gjerman i kushton vëmendje suksesit teknologjik që festuan evropianët me startimin e Airbus A380, vazhdimit të debatit mbi kapitalizmin në Gjermani i iniciuar nga Myntefering, si edhe vizitës historike të Putinit në Izrael

https://p.dw.com/p/Arvm


"Handelsblatt" e Dyseldorfit mbi debatin antikapitalist:

Në fillim partia pastaj shteti. Sipas këtij parimi po qeveris Shrëder javët e fundit Gjermaninë. Ruajtja e pushtetit të socialdemokratëve në NRW (Nordrhein ""estfalen" është për kancelarin më e rëndësishme se detyrimi që ka ai, t'ja kushtojë forcat e tij, sipas betimit që ka bërë, të mirës së popullit. Vetëm kështu mund të interpretohet sjellja e durueshme e Shrëderit në debatin antikapitalist, që ka ndezur shefi i SPD, Franc Myntefering përmes intervistave të tij. Ky debat dëmton Gjermaninë: Jashtë përforcohen paragjykimet kundër Gjermanisë si vend i papërshtatshëm për investime. Brenda vendit ky debat po e bën më të vështirë vazhdimin e politikës së reformave.

"Süddeutsche Zeitung" mbi shefin socialdemokratëve gjermanë, Franc Myntefering:

Myntefering justifikon politikën e deritanishme qeveritare duke thënë se gjërat nuk ishin planifikuar kështu: ekonomia nuk i qëndroi besnike marrëveshjes për reformën. Ajo futi në xhep si paradhënie programin e axhendës 2010 dhe reformën e njohur me emrin Hartc IV, por nga ana e saj nuk solli ate që pritej- pra ajo ka shkelur kontratën. Kritika ndaj kapitalizmit mund të shihet pikërisht si reagim ndaj kësaj shkeljeje. Më e vështirë bëhet atëherë përgjigja ndaj pyetjes tjetër: Çfarë mësojmë ne nga kjo? Do të duhet të shfuqizohet ulja e tatimeve? T'i rikthehemi taksës së pasurisë? Duhet që të forcohen të drejtat e punëmarrësve dhe jo të dobësohen ato? Çfarë inisiativash mund të ndërrmerren me qëllim që të krijohet një bashkësi që të mbrohet nga papunësia dhe manipulimi me rrogat?


"Wetzlarer Neue Zeitung" mbi fluturimin e Airbus A380

Sigurisht është rritur kohët e fundit oferta në treg për avionë më të vegjël që fluturojnë nga pika A në B- kjo jo vetëm edhe për shkak të fenomenit të ri të fluturimit me çmim të ulët. Megjithatë do të ekzistojnë edhe në të ardhmen linjat e largëta që përshkojnë Atlantikun apo shkojnë drejt Lindjes së largët. Në këtë drejtim Airbus A380 do të jetë në vend të parë dhe do të ketë sukses në këtë biznes. Konkurenca mes Airbus dhe Boeing do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Prodhuesi amerikan synon që edhe në kohët e reja të fitojë pikë me avionët që kursejnë. Një konkurencë që ka si rezultat ruajtjen e resurseve mund të jetë vetëm në interes të të gjithëve - edhe të ambientit.

Ndërsa "Berliner Zeitung" mbi Airbus A380 vëren:

Evropa ka nevojë për ngjarje të suksesshme si për shembull Super Airbus, sepse këto mishërojnë vlerat që ka integrimi. Simbole si Airbus A380 janë mjaft të rëndësishëm për evropianët, sepse ato e largojnë disi vëmendjen nga hallet e përditshmërisë. Kush feston, e bën këtë ndër të tjera edhe për të harruar. Me të vërtetë kontinenti i vjetër ka mjaft probleme. Arritjet e shkëlqyera teknologjike si avioni më i madh për pasagjerë i prodhuar ndonjëherë, nuk duhet të të gënjejnë që shkenca, studimet dhe sistemi arsimor janë në shkallën e duhur në çdo aspekt. Edhe përllogaritjet, se ky avion prestigjioz siguron vetëm 40.000 vende pune janë të pëlqyeshme. Por këto nuk ndryshojnë gjë në faktin që Republika federale gjermane ashtu si edhe Franca prej dhjetëvjeçarësh nuk po arijnë të zgjidhin dot problemin e tregut të punës. Kjo me të gjitha pasojat në buxhetin shtetëror dhe sistemin social. Pas brohoritjeve në këtë ditë feste puna vazhdon. Në Airbus. Dhe gjithkund tjetër në Evropë.

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" lidhur me vizitën e Putinit në Lindjen e Mesme shkruan:
Është e qartë që Putini synon të luajë një rol aktiv në procesin e ngadaltë të paqes në Lindjen e Mesme dhe të mos ja lërë çdo gjë në dorë amerikanëve. Së bashku me Uashingtonin, Kombet e Bashkuara, Bashkimin Europian, Moska është ideatore e programit të paqes "roadmap". Presidenti rus në Kajro dhe Jeruzalem i ka ftuar të gjitha palët pjesëmarrëse në një konferencë për paqen në Moskë. Ndërsa Izraeli para mbërritjes së Putinit bëri të ditur, që ai do të dijë se çfarë pozicioni do të ketë Rusia ndaj dy armiqve tradicionalë të Izraelit, Sirinë dhe Iranin.