1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të drejtat e njeriut duhet të jenë të vlefshme për të gjithë

Esat Ahmeti11 Dhjetor 2008

60-vjetori i miratimit të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Njeriut u shënua me një ceremoni festive në Berlin.

https://p.dw.com/p/GDds
Kancelarja gjermane Angela Merkel flet me rastin e 60-vjetorit të miratimit të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Njeriut.
Kancelarja gjermane Angela Merkel flet me rastin e 60-vjetorit të miratimit të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Njeriut.Fotografi: AP

Kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur se të drejtat e njeriut nuk duhet të relativizohen nga tradita apo parime të vjetra të së drejtës. Duke pasur parasysh vrasjet për çështje nderi, martesat e detyruara apo dënimin me vdekje, Merkel u shpreh për një politikë të jashtme të vlerave." Në politikën e qeverisë federale ato janë 'vlera qendrore' por që shpesh zbatohen shumë ngadalë. 'Kjo kërkon shumë durim", pranoi kancelarja gjermane. Si shembuj ajo përmendi Zimbavenë, Kinën dhe Rusinë. Gjatë bashkëpunimit me vendet e këtilla nuk është e thjeshtë të gjindet balanci në mes të vlerave, si ato i perceptojnë të drejtat e njeriut dhe interesave politike apo ekonomike.

Por ndarja gjermane me mure e tela me gjemba, që morri fund para 19 vitesh tregon se sa të vlefshme dhe njëkohësisht sa të ndjeshme janë të drejtat e njeriut. ' Andaj ne nuk duhet të heshtim kurrë kur është fjala për respektimin e tyre', nënvizoi kancelarja Merkel. "Ne nuk guxojmë të heshtim kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut. Por unë e them po ashtu qartë se nuk është aq e thjeshtë që në veprimet e përditshme që çdo ditë të mirren vendime plotësisht të sigurta. Dinjiteti njerëzor nuk mund të relativizohet këtë ne e dijmë, ai vlen njëjtë për të gjithë në të gjitha shtetet, kulturat dhe religjionet. Pra nuk mund të bëhen dallime në mes të të drejtave të njeriut të rëndësishme dhe më pak të rëndësishme, andaj nuk guxojmë, që shkeljet e të drejtave të njeriut përshembull të nivelohen me traditat".

Nata e të drejtave të njeriut, Aksion i Amnesty International
Nata e të drejtave të njeriut, Aksion i Amnesty InternationalFotografi: DW

Ndërkaq Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer i cilësoi të drejtat e njeriut si kompasin universal në një shoqëri globale të përgjegjshme: "Ne nuk guxojmë të heshtim dhe megjithatë vendet si Kina, vendet si Rusia nuk janë më blloqe monolite, siç i kemi njohur para 30 vitesh. Në duhet të përpiqemi që në këto vende të forcojmë ato forca, që angazhohen për përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe të tilla ka në këto vende. Forca të tilla ka edhe pse më pak edhe në mesin e elitave politike por unë them se ne duhet të përpiqemi edhe për ato", tha Shtajnmajer.

Nga ana tjetër Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Amnesty International për Gjermaninë, Barabara Lochbihler, apeloi tek politika gjermane që të angazhohet më tepër edhe për të drejtat e njeriut në vet Gjermani. Mënyra e sjelljes me refugjatët dhe personat me qëndrim ilegal në Gjermani shkel të drejtat themelore të të drejtave të njeriut, tha Lochbihler. "Çdo njeri ka të drejta, ky është thelbi i të qenit njeri. Nga kjo për secilin prej nesh dalin obligime dhe përgjegjësi dhe atë, jo vetëm për të drejtat tona por, edhe të të tjerëve në këtë vend por edhe në mbarë botën".

Vepër e Antony Gormley, në ekspozitën për të drejtat e njeriut në Zvicër, 2004
Vepër e Antony Gormley, në ekspozitën për të drejtat e njeriut në Zvicër, 2004Fotografi: AP

Lidhur me këtë çështje është shprehur edhe i ngarkuari i qeverisë federale, Günter Nooke. Në një intervistë dhënë radios kombëtare gjermane Deutschland Funk, politikani kristiandemokrat tha se niveli i të drejtave të njeriut nuk duhet të bie pavarësisht rrezikut nga terrorizmi ndërkombëtar. Të drejtat e njeriut duhet të vlejnë edhe për të dyshuaritë për terrorizëm. Në vendet me demokraci ekziston rreziku që siguria të vlerësohet më e rëndësishme sesa të drejtat e njeriut. Nooke: "Natyrisht që shkelje të të drejtave të njeriut ka edhe në vendet demokratike dhe në shtetet ligjore. Por, më duhet ta bëj të qartë se është një dallim fundamental mes shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut nga vetë shtetet, shkeljeve të drejtave të njeriut në disa pjesë të botës ku shteti nuk ekziston fare, si përshembull në lindje të Kongos ku mbrojtja e popullatës civile nuk mund të organizohet fare dhe shkeljeve aty-këtu apo problemeve që natyrisht ne duhet t'i marrin seriozisht siç është luftimi i terrorizmit në Gjermani dhe po ashtu përshembull përkujdesja ndaj personave të moshuar. Por këto nuk janë shkelje të të drejtave të njeriut të atij lloji ku mund të thuhet se shteti me vetëdije nuk trajton njerëzit, ashtu siç parashihet me të drejtën për ushqim, shëndetësi dhe arsimim", tha Nooke.