1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strategjia amerikane në Lindjen e Mesme

Daniel Sheshkevic12 Dhjetor 2006

Presidenti amerikan Xhorxh Bush po bën këtë javë këshillime intensive për strategjinë në Irak. Një prej dilemave kryesore është a mund të qetësohet gjendja në Irak, pa zgjidhjen e konfliktit midis Izraelit dhe palestinezëve?

https://p.dw.com/p/ArJv
Bush dhe Bejker
Bush dhe BejkerFotografi: AP

Në momentin kur presidenti Xhorxh Bush erdhi në pushtet, në vitin 2001, dështoi politika amerikane ndaj Lindjes së mesme. Presidenti i atëhershëm palestinez Jaser Arafat dhe kryeministri izraelit Ehud Barak, i prishën planet e presidentit Bil Klinton për të përfunduar mandatin me një marrëveshje paqësore. Ata nuk ishin dakord në çështjen e Jerusalemit.

Më pas filloi intifada e dytë në rajonet e okupuara, ndërkohë që për kryeministër izraelit u zgjodh Ariel Sharon. Procesi paqësor pothuajse kishte vdekur. Presidenti Bush përpiqej që ta ringjallë këtë proces në verën e vitit 2002, kur u propozua krijimi i një shteti palestinez i cili do të jetonte në koekzistencë paqësore me Izraelin. Ai e shpalli këtë një prej qëllimeve parësore të politikës së jashtme amerikane.

Ministrja e jashtme amerikane Kondoleza Rajs thotë se "Ishte ky një ndryshim kursi në politikën amerikane. Zgjidhja me dy shtete është sot në esencë një prej qëllimeve kryesore të politikës izraelite dhe qarqeve të matura palestineze. Me këtë formulë synohet zgjidhja e konfliktit në lindjen e mesme."

Propozimin amerikan për krijimin e dy shteteve e pamundësojnë të paktën tri gjëra: çështja tepër e rëndë e Jerusalemit, problemi i të burgosurve dhe fakti që në këtë moment nuk ekziston ndonjë qeveri palestineze e cila do të njihte të drejtën e ekzistencës së shtetit izraelit.

Javën e kaluar presidenti Bush theksoi: "Edhe pse ne me dëshirë do të impononim një zgjidhje, ata duhet ta kuptojnë se kjo zgjidhje nuk mund të zbatohet në qoftë se izraelitët dhe palestinezët nuk e marrin përgjegjësinë e tyre".

Qeveria e Bushit mendon se problemi i palestinezëve dhe Irakut janë dy çështje të ndara. Ndërsa të tjerët mendojnë se këto dy çështje janë të lidhura ngusht mes vete. Kështu mendon edhe Li Hamilton, kongresmen dhe koautor i raportit të komisionit të Bejkerit.

"Shkaku pse ne duhet t'i futemi problemit izraelito-paletinez, është se ne duhet t'i marrim parasyshë interesat e shteteve të matura arabe në rajon, pra miqëve tanë. Ky nuk është një problem i cili mund të zgjidhet menjëherë. Këto vende mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të Irakut", pohon Hamilton.

Izraeli ka në SHBA një lobi shumë të fuqishëm. Shoqatat me influencë si "Komiteti për aksion politik amerikano-izraelit" ose "Komiteti i hebrenjëve amerikanë", kujdesen që interesat izraelite të kenë një prioritet të lartë edhe tek kongresmenët.

Këtë pati mundësi ta ndjejë në lëkurën e tij edhe ish- presidenti Xhimi Karter, i cili në Librin e tij "Paqa palestineze në vend të apartheidit" propozon vendosjen e një paqe të drejtë dhe kritikon okupimet tokave palestineze prej izraelitëve.

Karter u përball me kritikat e zëdhënëses së demokratëve në kongres, Nensi Polesi. Ajo kumtoi se ish- presidenti për këtë çështje nuk flet në emër të demokratëve. Në mediat me kualitet, nuk është njoftuar për librin e nobelistit Karter.