1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Statusi i refugjatëve me Duldung pritet të sqarohet brenda vitit

Anila Shuka, Berlin20 Qershor 2006

Shojble: Zgjidhja do të bëhet me konsens, nuk do t'i kënaqë tërësisht të gjitha palët

https://p.dw.com/p/Ar0L
Ministri i brendshëm i Gjermanisë, Volfgang Shojble
Ministri i brendshëm i Gjermanisë, Volfgang ShojbleFotografi: DW-TV

Ministri gjerman i punëve të brendshme Volfgang Shojble ka premtuar që së shpejti do të sqarohet statusi i refugjatëve me Duldung:

"Për këtë kemi rënë dakord në marrëveshjen e koalicionit. Deri në fund të vitit duhet të arrijmë një zgjidhje konsensuale për të ashtuquajturat "raste të vjetra," – tha Shojble gjatë një simpoziumi me rastin e 20 qershorit, ditës së refugjatëve, të hënën, 19.06. në Berlin.

Mbi 130 mijë refugjatë jetojnë në Gjermani që prej pesë vjetësh vetëm me një copë letër që shtyhet çdo tre muaj, ose madje çdo muaj. Letra e quajtur Duldung ka si qëllim vetëm të pengojë dëbimin e tyre nga Gjermania, por e përditshmja e tyre është e kufizuar, valixhet janë gjithmonë të paketuara. Gati gjysma e tyre vijnë nga Kosova. 25 mijë llogaritet të jenë antarë të pakicave kosovare.

Se si do të jetë kjo zgjidhje, për këtë ministri kristiandemokrat nuk dha hollësi: "Nuk do t'i përmbushë të gjitha dëshirat dhe pretendimet as të njërës palë e as të palës tjetër. Por sigurisht që ajo do të riparojë zhgënjimet që dolën nga konferencat e mëparshme të ministrave."

Konferenca e ministrave të brendshëm të landeve që mblidhet dy herë në vit, pat shtqyrtuar vitin e kaluar këtë çështje, por pa rezultat: Ministrat atëherë kishin përfytyrime nga më të ndryshmet për zgjidhjen e problemit. Disa ishin për t'u dhënë qendrim vetëm të rinjve të punësuar, të tjerë edhe familjeve që janë në gjendje t’i sigurojnë vetë të ardhurat e tyre.

Vendimi pritet të vijë në vjeshtë, siç paralajmëroi ministri Shojble. pasi të jetë bërë evaluimi i ndryshimeve që ka sjellë deri tani në praktikë ligji i ri i migracionit. Për këtë është ngritur enkas një grup pune nën drejtimin e ministrit të brendshëm të Bavarisë Gynter Bekshtajn.

Organizatat humantiare si amnesty initernational dhe Pro Asyl, kritikojnë mes të tjerash edhe që Gjermania ua ka hequr statusin e refugjatit ndërkombëtar, krahas atyre nga Afganistani dhe Iraku, edhe pakicave nga Kosova. Në bazë të një marrëveshjeje me UNMIK-un, ka filluar qysh vitin e kaluar kthimi i pakicave në Kosovë, fillimisht me persona që kanë kryer vepra penale.

Në një fushatë të përbashkët organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kërkojnë prej vitesh që t'u jepet leja e qendrimit shumë prej ish-azilkërkuesve dhe ish refugjatëve, që kanë vite që jetojnë në Gjermani dhe i kanë humbur lidhjet me vendin e tyre.