Sigmar Gabriel do të jetë kryetari i ri i SPD-së
2 Tetor 2009Ministri aktual i Ambientit, Sigmar Gabriel, do të zgjidhet në nëntor kryetar i Partisë Socialdemokrate gjermane (SPD), ndërsa Sekretare e Përgjithshme do të jetë Andrea Nahles. Kështu vendosi Kryesia e kësaj partie në Berlin, pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare. Kjo temë komentohet sot me prioritet në shtypin gjerman.
Në "Wetzlarer Neue Zeitung" lexojmë: "Gabrieli e merr këtë post në kohën më të vështirë për socialdemokracinë, që prej Luftës së Dytë Botërore. "Posti më i mirë pas atij të Papës", siç u shpreh para ca kohësh kryetari i tanishëm i socialdemokratëve, Franz Müntefering, është tani më pak i mirë se kurrë më parë. Detyra kryesore e Gabrielit do të jetë profilimi i socialdemokratëve si parti opozitare, pas katër vitesh koalicioni me partitë e Unionit CDU/CSU, si dhe mobilizimi i zgjedhësve të krahut të majtë dhe të qendrës. SPD-ja nuk mund t'i lejojë vetes që të bëhet parti e klientëve si e Majta."
E përditshmja "Nürnberger Nachrichten" pohon, se frika që Gabrieli t'i nënshtrohet populizmit të majtë, është pa vend: "Gabrieli do më shumë që SPD-në ta bëjë një parti moderne. Socialdemokracia duhet t'u përgjigjet sfidave si globalizimi dhe ngrohja e tokës, që janë tema shumë interesante edhe për të rinjtë."
Ndërsa për gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung" interesant do të jetë bashkëpunimi mes Gabrielit dhe Steinmeierit. Citojmë: "Është e mundur që kryetari i fraksionit të socialdemokratëve në parlamentin gjerman (Bundestag), Frank-Walter Steinmeier, të jetë kundër një koalicioni të partive opozitare, por në disa lande po punohet me shumë zell për bllokadën e koalicionit të ardhshëm qeveritar, mes partive të Unionit dhe liberalëve. Bazat e një bashkëpunimi të tillë së shpejti mund të vendosen në lande, gjë për të cilën është heshtur gjatë fushatës elektorale. Frutet e këtij bashkëpunimi së shpejti mund të shihen edhe në nivelin federal. Gabrieli do ta mundësojë këtë."
Autor: dpa/cani
Redaktoi: Eliana Xhani