1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi ndërkombëtar i javës mbi grindjen për karikaturat

12 Shkurt 2006

Temë qendrore e shtypit gjatë javës ka qenë grindja për karrikaturat e profetit Muahmet. Komentet fokusohen në çështjen, se si ka reaguar, apo si duhej të reagonte "Evropa e vjetër" dhe deri ku arrijnë kufijtë e lirisë së shtypit.

https://p.dw.com/p/ArrQ
Fotografi: dpa

Gazeta daneze "Politiken" pas sulmeve të dhunshme ndaj disa përfaqësive të huaja në vendet islamike mendon: "Nëse kjo çështje mëse groteske e Muhametit fiton ndoshta një efekt pozitiv, kjo sepse politika e sigurisë dhe e jashtme e Danimarkës sërish orientohet nga shokët e fatit tonë në Evropë."

Zvicerania "Tages Anzeiger" kritikon heshtjen e BE-së në fillim: "Kriza nuk do të lejojë gjatë për BE-në qëndrimin mënjanë apo heshtjen e varrit, sepse kur hidhen gurë kundër përfaqësive daneze, goditen në fund të fundit vlerat evropiane. Para së gjithash do të duhej që një dialog më i mirë me botën islame të jetë tani detyrë më shumë e Brukselit se sa e Kopenhagës."

E përditshmja franceze "Le Figaro" mendon, se bota islamike po e sfidon "Evropën e vjetër": "Shoku i kulturave të vret sytë. Edhe në Evropë, ku emigrantët duan të ruajnë rregullat e tyre fetare: ato ndalojnë skicimet e Muhametit, por edhe kritikën ndaj kuranit - pavarësisht nga syret, nëpërmjet të cilave kërkohet vrasja e hebrejve dhe e atyre që mbajnë kryqin. Islami edhe 30 vjet pas kontaktit me demokracitë nuk e ka ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe të sjelljes."

Ndërsa gazeta austriake "Der Standard" tërheq vëmendjen për një vëzhgim të diferencuar të grindjes mbi karikaturat: "Nëse lexon komentet në gazetat e vendeve myslimane, kupton, se pamja është më heterogjene nga ç´preferojnë ta paraqesin atë partitë ekstremiste të djathta evropiane dhe ato islamiste. Ajo që mbetet është një sfidë, që përmes grindjes së karikaturave ka dalë sërish në pah: formësimi i bashkëjetesës paqësore të myslimanëve dhe jo myslimanëve në Evropë."

Një tjetër aspekt i komentuar në gazetat ndërkombëtare gjatë javës në sfondin e grindjes mbi karikaturat janë kufijtë e lirisë së shtypit. Lidhur me këtë britanikja "The Guardian" kritikon gazetën daneze "Jyllands Posten", në të cilën u pulbikuan karikaturat vjeshtën e vitit të kaluar: "Ata që i referohen lirisë së shtypit duke mbrojtur riprodhimin e paraqitjeve ofenduese të profetit Muhamet, praktikisht thonë, se gjithçka që ata vet e konsiderojnë të vlefshme dhe të shenjtë ka vlerë më të madhe, se sa ajo që myslimanët e shohin si të vlefshme dhe të shenjtë. Karikaturat kishin të bënin më shumë me nxitjen e urrejtjes, racizmit dhe të islamofobisë, se sa me lirinë e shtypit."

Ndërsa holandezja "De Volksrant" paralajmëron që të mos mendohet për kufizimin e lirisë së shtypit: "Kryeisht nëpër rrugët e Teheranit, Damaskut dhe Gazës po shfaqet një lojë e forcave radikale, që duan ta trëmbin Evropën. Frikë, që disa papritur po i bën të mendojnë për kufij të rinj të lirisë së mendimit - duke dhënë si argument "rrespektin ndaj islamit". Padyshim që kërkohet rrepsket, por ai mund të shpaloset vetëm në liri të plotë dhe jo duke u nisur prej provokuesve fetarë."

Në mënyrë të ngjashme komenton edhe polakja "Gazeta Wyborcza": "Liria e mendimit nuk mund të ndalohet, pasi një grup e ndjen veten të prekur. (...) Fjalët e ministrit të jashtëm polak, që u kërkoi falje myslimanëve, shkojnë shumë larg. Aq më tepër që ai nuk dënoi njëkohësisht aktet e dhunës ndaj ambasadave daneze. Nuk është mirë që dialogu me islamin të zhvillohet nëpërmjet gjurmëve të skicave ofenduese. Por është edhe më keq nëse dorëzohesh prej presionit dhe ua lë në dore fanatikëve të përcaktojnë se çfarë duhet botuar në mediet e lira."

Së fundi edhe një citat nga e përditshmja zvicerane "Basler Zeitung" që shkruan: "Liria e shtypit nënkupton edhe përgjegjësinë e shtypit. Ajo nuk na pajis ne me kapelen e të marrit. Kjo nuk është thirrje për tolerancë të verbër fetare, por një fjalë për rrespektin reciprok. Në vend që të vazhdojmë të rrezikojmë dialogun me kulturat përmes provomikeve banale, ne duhet të bëjmë ç´është e mundur për të garantuar që të dëgjohen zërat e arësyeshëm dhe vetëkritikë, si në tekste edhe në fotografi."