Shtypi gjerman për taksat dhe gripin e derrave
2 Nëntor 2009Politika fiskale pas premtimeve elektorale dhe fushata e vaksinimit kundër gripit të derrave janë tema në shtypin gjerman të sotëm:
"Flensburger Tageblatt" shkruan:
"Politika fiskale do të jetë për partitë e koalicionit mes CDU/CSU dhe liberalëve guri i provës për besimin e zgjedhësve ndaj tyre
Me premtime diku më të mëdha e diku më të vogla, CDU, CSU dhe FDP kërkuan gjatë fushatës elektorale uljen e barrës së taksave dhe i prezantuan ato edhe si program për stimulimin e ekonomisë. Gjithsesi për partinë liberale problemi i taksave mund të kthehet në çështje ekzistence. Formuluar pa doreza, FDP jeton për shkak se qindra mijëra përkrahës të unionit mes CDU/CSU-së ua dhanë votën e tyre të dytë liberalëve, për shkak të qartësisë me të cilën formuluan kursin e tyre. Në rast se e gjitha do të dalë si heroizëm fjalësh, votat për liberalët do të rudhen sërish në nivelin e vërtetë mes 6-8%."
"Nürnberger Nachrichten" shkruan:
"Ndërkohë edhe përfaqësuesit liberalë të landeve po e kuptojnë se premtimet elektorale të kryetarit të partisë në lidhje me taksat do të kenë pasoja katastrofale për të gjitha buxhetet. Por kjo nuk e pengon Guido Westerwelle-n që të mos lërë minutë pa predikuar mantrën e tij të uljes së taksave dhe që të mos atakojë ata që janë duke zhveshur nga magjia planet e tij dhe në këtë mënyrë edhe të liberalëve. Këtë gjë e ka marrë përsipër si detyrë kryesore në qeverinë e re Wolfgang Schäuble, i cili i duhet kancelares Merkel në qeverinë e re si ndërmjetës midis Westerwelles dhe Horst Seehoferit. Schäuble duhet t'i kthejë ata nga reja elektorale sërish në realitet. Ministri i Financave ka kohë që ka filluar t'i shkërmoqë të gjitha gjoja sukseset e heronjve të uljes së taksave. Ai po bën atë që në fakt është detyre e shefes së tij, të flasë me letra të hapura."
Temë tjetër e shtypit gjerman është gripi i derrave dhe fillimi i vaksinimit të popullsisë që nuk po ecën me ritmet e pritura. "Hessische/Niedersächsische Allgemeine" (Kassel) shkruan:
"Megjithë kritikën e justifikuar në lidhje me përfitimet e mëdha të industrisë farmaceutike prej vaksinave kundër gripit të derrave, vaksinimi mund të pengojë komplikimet e këqia, e ndoshta edhe vdekjen. Por këtë mund ta dimë vetëm më pas në rast se gjitha gjërat shkojnë mirë. Meqënëse deri tani epidemia e gript të derrave po kalon lehtë, si industrisë farmaceutike edhe politikanëve u duhet të përballen me kritika të tilla si: biznes me frikën, para të hedhura kot, apo aksionizëm mediokër. Me sa duket edhe tani po vërtetohet një rregull i vjetër - pra që duhet të ndodhë një herë e keqja e madhe, përpara se të fillojmë të besojmë se masat parandaluese edhe pse të bezdishme, janë të domosdoshme. Askush s'ka pse të vrapojë në panik tek mjeku. Por rekomandimin e ekspertëve që duhet të vaksinohemi, nuk duhet ta injorojmë."
Autor: Pandeli Pani/dpa
Redaktoi: Auron Dodi