Shtypi gjerman i së shtunës | Studimi në Gjermani | DW | 12.08.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së shtunës

Shtypi gjerman i së shtunës ka si temë qendrore atentatet e planifikuara në Londër

Rradhë të gjata pritjeje në Heathrow

Rradhë të gjata pritjeje në Heathrow

ABENDZEITUNG që del në Mynih ndër të tjera shkruan:

"Nuk kemi të bëjmë me terroristë profesionistë të huaj, që kalkulonin në mënyrë të ftohtë dhe të dërguar nga El Kaida. Ndoshta ata kanë marrë disa këshilla nga El Kaida, por nuk janë dërguar prej saj. Kishim të bënim me të rinj, nga mesi ynë. Të lindur në Evropë, ku ka shumë liri, tolerancë dhe mirëqënie thuajse si askund tjetër në botë. Por pikërisht ky sistem qe objekt i sulmit të tyre. Ata ishin madje të gatshëm të jepnin jetën për synimin e tyre. Për të vrarë njerëz, bashkë me të cilët, ata si të thuash janë rritur. Pse? Nga vjen kjo urrejtje? Si mund të përballohet ajo? Pyetje që të lënë pa gojë. Por të cilat janë më urgjente se të gjitha debatet, që lindin si refleks për organizimin e saktë të listave më të dhëna kundër terrorit."

Ndërsa SCHWÄBISCHE ZEITUNG që botohet në Lojtkirch është e mendimit:

"Para së gjithash për myslimanët e rinj, një fe islame fanatike dhe politike fiton gjithnjë e më shumë atraktivitet, dhe kjo në të gjithë botën. Nëse nuk do të arrihet të stopohet ky zhvillim, terrori i një minoriteti mund të avancojë me të vërtetë në një luftë të kulturave. Për fat të keq, një politikë budallaqe amerikane në Irak dhe një politikë inkonsekuente në Lindjen e Mesme u jep krahë forcave radikale myslimane në të gjithë globin. Islami spiritual- nëse ai ekziston në formë të pastër- e ka gjithnjë e më të vështirë pastrimin e vetvetes. Kemi të bëjmë me të vërtetë me perspektiva të errëta."

Ja edhe MANNHEIMER MORGEN:

"Presidenti amerikan flet ndërkohë për fashistë islamikë dhe ka parasysh me këtë me siguri, që ideja panislamike mund të luftohet njësoj si dikur ideologjia nacionalsocialiste e pushtimit të botës. Sado e vendosur të jetë në vitet e ardhshme lufta kundër terrorit- nëse islamizmi politik nuk integrohet në bashkësinë ndërkombëtare, kjo ekspeditë nuk mund të ketë sukses. Eshtë fjala që për integrimin e minoriteteve etnike në shoqëritë perëndimore pluraliste, deri në dialogun edhe me ato shtete, të cilat deri tani janë quajtur aks i së keqes nga SHBA. Kështu për shembull, një zgjidhje stabile paqësore për Lindjen e Mesme zhvendoset pa përfshirjen e Iranit dhe të Sirisë në një të ardhme të largët."

SÜDDEUTSCHE ZEITUNG për mënyrën më efikase për të luftuar terrorizmin:

"Këta njerëz nuk mund t'i luftosh duke e armatosur deri në dhëmbë shoqërinë. Këtyre bimëve të egra terroriste u duhet eleminuar plehu, që i bën të rriten e zhvillohen kaq mirë. Nga njëra anë këtu bën pjesë konflikti i pazgjidhur i Lindjes së Mesme, i cili ushqen gjithmonë paragjykimet ndaj perëndimit. Dhe nga ana tjetër është mungesa shumëvjecare e interesit të shoqërisë në gjendjen shpirtërore të këtyre bashkëqytetarëve. Edhe në Gjermani preferohej që të rinjtë e zemëruar të liheshin të merreshin me njëri-tjetrin. Vetëm kur lindën shoqëritë paralele, në të cilat Sharia ka rëndësi më të madhe se kushtetuta, filluan pyetjet për atë, nëse kjo ndoshta është e rrezikshme."

TAGESPOST e Berlinit është e mendimit:

"Natyrisht që Xhihadin mund ta interpretosh si mënyrë paqësore të bindjes. Ndoshta kështu mendon edhe shumica e myslimanëve. Por mjafton një pakicë e islamistëve të vendosur, për t'i vënë fitilin fucisë së barutit tokë. Për aq kohë sa bota e lirë të jetë në gjendje të mbrojë vetveten, për aq kohë duhet ta bëjë këtë. Këtu bën pjesë jo vetëm vigjilenca ushtarake, por edhe armatimi shpirtëror. Islami luftarak mund të luftohet vetëm me një përfytyrim koherent të botës dhe të njerëzve. Këtu bën pjesë edhe një përfytyrim për Zotin. Këtu duhet të bëhen të qarta ndryshimet. Një allah i dhunshëm nuk ka të bëjë fare me Krishtin dhe dashurinë."

Dhe së fundi konkluzioni i komentatorit të KIELER NACHRICHTEN:

"Duhet të mësojmë që të jetojmë me terrorin. Kjo perspektivë duhet pranuar që nuk është vecanërisht frymëzuese. Por nuk ka asnjë shkak për t'u dëshpëruar. Autoritetet e sigurisë kanë nxjerrë mësime vitet e fundit dhe sukseset e punës hetimore në Britaninë e Madhe janë dëshmia më e re. Terrorizmi është vërtet një kërcënim për perëndimin, por para fitores ai në asnjë mënyrë nuk ndodhet. Një vështrim i shkurtër në historinë gjermane tregon se brezat para nesh ndodheshin para rreziqeve shumë më të mëdha. Në fund triumfoi demokracia. Edhe këtë herë, punët nuk do të ecin ndryshe."

  • Data 12.08.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AroU
  • Data 12.08.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AroU