Shtypi gjerman i së premtes: zgjerimi i BE dhe bisedimet eventuale USA-Iran | Studimi në Gjermani | DW | 16.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së premtes: zgjerimi i BE dhe bisedimet eventuale USA-Iran

Analistët e shtypit të sotëm gjerman ndalen ndër të tjera në vendimin e Parlamentit Evropian për zgjerimin e ardhshëm të BE dhe më gjerësisht në gatishmërinë e Teheranit për të biseduar me Uashingtonin për gjendjen në Irak.

Fillimisht gazeta DIE WELT, e cila shkruan për vendimin e Parlamentit Evropian për ta frenuar hë për hë zgjerimin e mëtejshëm të BE:

"Që t'i ofrosh anëtarësi të plotë Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe dikur Serbisë, kjo të duket me kuptim. Sepse vetëm atëherë Evropa mund të fitonte më në fund paqe të qendrueshme në oborrin e saj të pasmë. Por gjithë të tjerët, dhe ky është mesazhi i BE drejtuar botësm, do të mbeten për një përiudhë të afërt jashtë ose do të anëtarësohen në mënyrë individuale. Të gjitha nën një anëtarësim të plotë duken të mundura këtu. Parlamenti kërkon nga komisioni i BE të mbajëw një qëndrim të qartë, edhe nëse kjo shkakton dhimbje:
Komisioni duhet të përcaktojë deri në fund të vitit kapacitetin e pranimit të BE dhe kufijtë gjeografikë të Evropës. Kjo do të ishte ora e së vërtetës për shtete si Ukraina, apo Bjellorusia, por edhe për Turqinë, ku tani duhet të bien këmbanat e alarmit."

Ndërrojmë temë: Irani u ka ofruar SHBA bisedime për vendin fqinjë Irak. Por në doktrinën e sigurisë kombëtare të publikuar, Uashingtoni e sheh Iranin si rrezikun më të madh për të gjithë botën. Pika kryesore e mosmarrëveshjeve mbetet politika atomike e Teheranit. Për këtë temë në FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG lexojmë:

"Me ofertat e tyre për kontakt amerikanët pranuan se Teherani faktikisht ka ndikim në zhvillimet në Irak- si për shembull përmes mbështetjes së kryengritësve ose armatosjes së milicëve shiitë. Nëse Uashingtoni do t'u hynte bisedimeve zyrtare, do të pranonte me këtë indirekt edhe një të drejtë të Iranit për të bashkëvendosur në Irak. Por oferta iraniane ka edhe një anë interesante. Ajo vjen nga Ali Larixhani, kryetari i Këshillit Nacional të Sigurisë, i cili është edhe kryenegociator në cështjen e programit atomik. Kjo tregon se një "dialog" i mundshëm nuk duhet të mbetej i kufizuar tek Iraku, por mund të zgjerohej edhe tek problemi i dytë, që shqetëson aktualisht amerikanët."

MÄRKISCHE ODERZEITUNG që botohet në Frankfurt mbi Oder ka bërë këtë vëzhgim:

"Si muzikë shoqëruese për konsultimet në KS të OKB-së për programin bërthamor iranian, Uashingtoni shtin edhe tjetërkund me topa të rëndë. Ministrja e jashtme Kondolisa Rajs e quajti Teheranin "Bankierin qendror të terrorizmit". Në strategjinë e re kombëtare thuhet se regjimi i mullave përfaqëson kërcënimin më të madh për sigurinë e të gjithë botës. Megjithatë mungojnë dëshmitë. Në të vërtetë, SHBA u ka ardhur në Irak uji deri në fyt. Për qetësimin e krizës pa bërë zhurmë u kërkua kontakt me Iranin. Tani Teherani u tregua i gatshëm për kontakte zyrtare. Sigurisht që nuk mund të presësh që mullatë të ndihmojnë në fillim "satanin e madh" që pastaj të hanë vetë një kokës."

PFORZHEIMER ZEITUNG që del në Gera shkruan:

""Shteti i pabindur" Iran në një tryezë me "satanin e madh" SHBA? A mund të presësh gjë të mirë nga negociata të tilla? Ka shumë mundësi që jo. Megjithatë duhet provuar. Jo vetëm se me mbështetjen e Iranit, Iraku ka mundësi të qetësohet vërtet. Edhe në cështjen e grindjes atomike, një dialog midis gjigantit atomik dhe një xhuxhi që dëshiron të jetë gjigant do të ishte një hap i parë pozitiv."


OSTTHÜRINGER ZEITUNG nga Gera e sheh presidentin Bush nën presion, edhe për shkak të fushatave elektorale të ardhshme në SHBA:

"Eshtë e vërtetë që janë shumë të paktë ata që besojnë se Bushi do të ketë sukses në Irak. Por për një shumicë të konsiderueshme të amerikanëve një sukses i tillë është shumëw më i rëndësishëm se sa një tërheqje e shpejtë e trupave. Prandaj, në fushatat elektorale në nëntor do të kenë sukses vetëm ata, që mund të ofrojnë një perspektivë për misionin e Irakut.

HANDELSBLATT që botohet në Dyseldorf dallon edhe aspekte të tjera:

"Tema qendrore e doktrinës së re të Bushit është vizioni i presidentit për të transportuar liri dhe demokraci në të gjithë botën. E re është që Bushi nuk vë në shënjestër vetëm tiranët e zakonshëm, por kritikon edhe Rusinë dhe Kinën. Fjalët e ashpra përballë Pekinit janë në përputhje me bezdinë në rritje në Uashington për ngjitjen e konkurentit të ri."

  • Data 16.03.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqs
  • Data 16.03.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqs