Shtypi gjerman i së enjtes | Studimi në Gjermani | DW | 16.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së enjtes


Sipas bilancit të saj më të fundit, qeveria federale gjermane e konsideron Gjermaninë një nga vendet më të sigurta në botë. Dhe kjo megjithë vazhdimin e rrezikut nga terrorizmi ndërkombëtar, sipas ministrit të brendshëm Shojble. Policia ka një perceptim tjetër dhe foli për një raport jorealist, një mendim të cilin e mbështesin një pjesë e komenteve të gazetave të sotme gjermane.

Kështu për shembull LANDSHUTER ZEITUNG:

"Zemërimi i fshehur vetëm me mundim i sindikatës së policisë për raportin e Shojbles për gjendjen e sigurisë në Gjermani është i kuptueshëm. Përvojat e nëpunësve në punën tyre të përditshme kundërshtojnë qetësinë e shprehur nga zyrat e qeverisë, sipas të cilave gjendja e sigurisë nuk jep shkas për shqetësim. Kësaj i shtohet edhe që partitë nuk kanë ende një koncept pë të luftuar neonazistët që shfaqen në mënyrë gjithnjë e më të poshtër dhe që tregojnë përballë nxitësve dhe ndihmësve të terroristëve një durim gati vetëvrasës. Deri tani, Republika Federale Gjermane ka pasur këtu vetëm fat."

Në gazetën MAIN-ECHO ne lexojmë këtë mendim:

"Ndjesia për sigurinë" e qytetarëve nis në rreth të vogël, në ambientin e tyre të drejtpërdrejtë. Duket sikur politika është përqëndruar shumë në sfidën e terrorizmit duke e harruar punën e përditshme në vend të policisë. Cfarë vlere ka, kur Gjermania vërtet është një nga vendet më të sigurta të botës, por kur njeriu nuk guxon më të dalë në darkë nga dera e shtëpisë?"

Një këndvështrim krejt tjetër ka SÜDWEST-PRESSE që del në Ulm:

"Shpesh statistikat nuk të tregojnë as gjysmën e së vërtetës. Kështu, shtimi i akteve të dhunës në asnjë mënyrë nuk do të thotë se gatishmëria për dhunë në Gjermani në pesë vitet e shkuara është rritur në mënyrë të konsiderueshme. Shumë më tepër nga shifrat mund të kuptosh se qytetarë vigjilentë këto vepra penale i kallëzojnë shumë më shpejt se më parë dhe se toleranca e shoqërisë përballë dhunës ka rënë. Të dyja zhvillimet janë megjithatë pozitive: që askush nuk i mbyll sytë përballë agresivitetit dhe që personat e dhunshëm nuk mund të llogarisin tolerancën e ambjentit të tyre të afërt."

Në këtë drejtim edhe një vështrim në STUTTGARTER ZEITUNG:

"Shkalla relavitisht e ulët e kriminalitetit është edhe një përparësi e Gjermanisë, gjë që nga shumë qytetarë vlerësohet pak. Nuk është e vetëkuptueshme që të largohesh në darkë pa problem nga shtëpia jote. Qytetarët e disa periferive të Parisit nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë. Dhe Parisi nuk është kaq larg. Banorët e Napolit do të ishin të gëzuar, po të ishin në gjendje të jetonin kaq të sigurtë sa shumica e gjermanëve. Po edhe kjo është e vërtetë: tashmë, njerëz me pamjen e të huajve, në disa rajone të Gjermanisë jetojnë nën kërcënim të përditshëm. Gjendja e mirë e sigurisë është meritë e autoriteteve policore që punojnë si duhet dhe e një drejtësie funksionuese."

Ndërrim teme: me kompromisin e papritur për të drejtën e qëndrimit për të huajt që "durohen" në Gjermani, koalicioni qeveritar tërhoqi mbi vete zemërimin e landeve. Nga konferenca e tyre e sotme, disa ministra të brendshëm, si ai i Saksonisë së Poshtme, Uwe Schürmann, ose ministri i brendshëm i Bavarisë, Gynter Bekstajn kërkojnë korrigjime në shkallë të gjerë. Lëshimet për 190 mijë të prekurit për ta janë shumë të mëdha. Ata druhen se si pasojë do të kenë një ortek shpenzimesh për dorën publike."

Por ndryshe mendon komentatori i NEUE WESTFÄLISCHE:

"Ai që ka kohë që jeton këtu, respekton ligjet dhe dëshiron të bëhet një qytetar i këtij vendi, ai meriton një shans të vërtetë. Qëndrimet kalorsiake parimore këtu nuk të ndihmojnë dhe ato duhet t'i përkasin përfundimisht së kaluarës. Për konferencën e ministrave të brendshëm që fillon sot, vetëm mund të shpresosh se do të fitojë qëndrimi jo i një Uwe Shynemani, por ai i Wolfgang Shojbles."

Së fundi edhe mendimi i TAGESZEITUNG që del në Berlin:

"Edhe nëse koalicioni i madh arriti të organizojë një surprizë- ai la të kuptojë se do të jetë e nevojshme një zgjidhje federale. Sepse të duruarit prej vitesh duhet të marrin një leje pune, dhe për këtë është e nevojshme një rënie dakord me ministrin federal të punës, Myntefehring. Që e drejta për qëndrim në fund të rezultojë bujare, kjo nuk është e sigurtë. Kisha, shoqatat e refugjatëve dhe politikanët e angazhuar duhet të qëndrojnë vigjilentë."

  • Data 16.11.2006
  • Autor A.D
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Army
  • Data 16.11.2006
  • Autor A.D
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Army