1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së hënës

12 Qershor 2006

Shtypi gjerman i së hënës ndalet ndër të tjera në lajmin e vetëvrasjes të tre të burgosurve në kampin amerikan të të burgosurve Guantanamo si dhe në atmosferën e çeljes së Kampionatit Botëror të Futbollit në Gjermani.

https://p.dw.com/p/ArpU
Të burgosur në Guantanamo duke u lutur
Të burgosur në Guantanamo duke u luturFotografi: AP

Në gazetën STUTTGARTER ZEITUNG lexojmë ndër të tjera për këtë temë:

"Sipas të dhënave amerikane, për herë të parë tani vranë veten tri të burgosur. Rrethanat jetësore janë të padurueshme. Megjithatë, admirali Harry Harris, komandanti i kampit thotë se të vdekurit nuk kanë respekt për jetën, as për tonën dhe as për të tyren. Prandaj, vetëvrasjet ai nuk i quan një akt dëshpërimi, por një akt të zhvillimit të luftës kundër nesh. Në c'masë janë verbuar dhe hidhëruar ndërkohë në ushtrinë amerikane, që nuk u celen sytë edhe kur të burgosurit zgjedhin vdekjen pas viteve të tëra të izolimit? Xhorxh Bushi e ka shkatërruar në një mënyrë të papërfytyrueshme prestigjin e tij dhe emrin e vendit të tij."

Kritike ndaj reagimit amerikan pas vetëvrasjes të të burgosurve është edhe SÜDDEUTSCHE ZEITUNG:

"Aty ku kërkohet respekt ndaj të vdekurit, aty ushtria amerikane reagon me cinizëm:"...Ky nuk ishte akt dëshpërimi, por zhvillim asimetrik i luftës kundër nesh" deklaroi një gjeneral, ende pa u sqaruar rrethanat e vdekjes. Pikërisht në mizorinë e saj, kjo deklaratë pasqyron atë paranojë, të cilën e ka krijuar sistemi Guantamo. Që prej 11 shtatorit Amerikës i shohin sytë kudo armiq."

FRANKFURTER RUNDSCHAU tërheq vëmendjen në natyrën e kampit të Guantanamos:

"Përsa i përket Guantanamos, dihet prej vitesh, që ky kamp të burgosurish nuk ka asgjë të përbashkët me përfytyrimet e shtetit juridik të perëndimit...Kemi të bëjmë me një interpretim penal të përfytyrimit të dorasit, i cili nis me Military Order të presidentit dhe që njeh vetëm miq dhe armiq. Në këtë mënyrë, shtetit juridik mund t'i hiqet edhe tulla e fundit. Në emër të gjendjes permanente të jashtëzakonshme, e cila nuk mund të justifikohet plotësisht me tërheqjen e vëmendjes tek vazhdimi i kërcënimit nga terrorizmi. "

Gazeta BRAUNSCHWEIGER ZEITUNG është skeptike edhe për kuptimin që ka tani kërkesa e presidentit Bush që të vdekurit të trajtohen me respekt:

"Presidenti amerikan Bush deklaron se të vdekurit duhet të trajtohen me respekt. Kjo tingëllon mirë. Më mirë do të kishte qenë sikur ai të trajtonte me respekt ata që jetojnë- sic është e zakonshme në një shtet juridik. Akoma më mirë do të kishte qenë që Bushi ta mbyllte Guantanamon dhe t'ua linte të burgosurit avokatëve dhe gjykatësve- siç është e zakonshme në një shtet juridik."

Ndërrojmë temë: fillimin e Kampionatit Botëror të Futbollit që po zhvillohet këto ditë në Gjermani e trajtojnë shumë gazeta gjermane.

Ja ç'shkruan gazeta e Bonit GENERAL ANZEIGER:

"Një nga stereotipet e gjuhës së futbollistëve është: kishim të bënim me një hapje ta kalibruar të Kampionatit Botëror të Futbollit. Pas kësaj fundjave, pas këtyre 50 orëve të para të Kampionatit Botëror të Futbollit të duhet të thuash: rrallë ka qenë kjo shprehje më me vend. Stadiume plot, njerëz të gëzuar, takim paqësor në sheshe. Koha bën të sajën. Shkurt:hapja e këtyre lojërave në vendin tënd është kthyer në një festë. Një komb i tërë gëzohet, gëzohet me të tjerët. Trajneri jokonvencional i ekipit kombëtar gjerman jep kontributin e tij për këtëm, lojëtarët e rinj, që gëzohen në mënyrë kaq të bukur, tifozët e qeshur, jo vetëm ata të Trinidadit dhe Tobagos. Ka ndryshuar dicka në vend. Edhe po të mos ishe, këto ditë mund të bëheshe tifoz futbolli."

Dhe së fundi, HANNOVERSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG, e cila tërheq vëmendjen në kundërshtimin që iu bë nga një masë e madhe njerëzish marshimeve të radikalëve të djathtë këto ditë në Gjermani:

"Kudo përhapet një patriotizëm i llojit të çtensionuar. Marshime të radikalëve të djathtë bënin pjesë që në krye në skenaret e shumta të frikshme për këtë Kampionat Botërort të Futbollit. Shqetësimi për armiqësinë ndaj të huajve u duk sikur e paralizoi gëzimin paraprak. Ai ishte i nevojshëm debati për "no-go areas", për zonat në Gjermani ku të huajt ishin të rrezikuar, që të ndryshojë atmosfera e përgjithshme? Vetëpërcaktimi në cështjet e racizmit, kjo është e qartë, nuk bëri dëm dhe dha kontributin e vet për motivimin e mikpritësve. Sigurisht, kanë kaluar vetëm disa ditë. Por edhe vetë forcat e sigurisë duket sikur preken nga optimizmi: pse të mos vazhdojë gjithçka kaq gëzueshëm dhe në mënyrë paqësore"