1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman, e premte 15.12.2006

15 Dhjetor 2006

Presidenca gjermane e Këshillit të Europës, shitja e koncernit ProSiebenSat1, aprovimi nga Gjykata Supreme në Izrael e vrasjeve të planifikuara janë temat e shtypit të sotëm.

https://p.dw.com/p/ArmW
Logo e qeverisë gjermane për presidencën e Këshillit Europian
Logo e qeverisë gjermane për presidencën e Këshillit EuropianFotografi: AP

Në faqet e shtypit gjerman trajtohet sot me prioritet presidenca gjermane e Këshillit Europian vitin e ardhshëm, objektivat e kancelares Merkel në këtë aspekt dhe realizueshmëria e tyre.

Në gazetën „Handelsblatt“ që del në Düsseldorf lexojmë:"Zgjerimi i BE-së në drejtim të Ballkanit dhe Europës Lindore duket se po ngadalësohet, të paktën verbalisht. Polemika mbi Turqinë përjashtohet pas kompromiseve të dyshimtë. Dhe kushtetuta e planifikuar e BE-së përsëri po shtyhet për në të ardhmen. Nuk është pra çudi që tani të gjithë i kanë drejtuar sytë nga Angela Merkel. Kancelarja gjermane duhet t'i vërë gjërat në vijë, duhet t'i japë Europës energji të reja. Pyetja është se nga do të vijë ky vrull. Pasi nga njëra anë Merkel i ka duart e lidhura për shkak të koalicionit të madh. Ajo nuk ka mundësi të veprojë aq lirshëm sa dikur ish kancelari Helmut Kohl. Nga ana tjetër vetë kancelarja frenon kur është fjala për tema të rëndësishme.“

Mbi të njëjtën temë citojmë nga "Nürnberger Zeitung":"Fjalët e forta të Angela Merkelit përpara parlamentit gjerman tingëllojnë pak si fyelli në një pyll të zymtë. Kancelarja ka shumë plane për vitin e ardhshëm në të cilin Gjermania merr presidencën e rradhës të Këshillit Europian si dhe kryesinë e G-8-s, shtatë vendeve më të mëdha industriale dhe Rusisë. Kjo presidencë e dyfishtë do të trajtohet si çështje kombëtare, ishte deklarata energjike e kancelares. Një gjë është e sigurtë: me deklaratën e objektivave Merkel i përgjigjet edhe dëshirave të partnerëve në BE. Madje aq shumë sa presidenti i Komisionit të BE-së Barroso ka paralajmëruar ndaj pritjeve shumë të larta. Europianëve nuk duhet t'u krijohet përshtypja se çdo problem i bashkësisë mund të zgjidhet nga presidenca gjermane.

Ndërsa "Schwäbische Zeitung" vë në pah vështirësitë në realizimin e objektivave të deklaruar nga kancelarja Merkel: "Angela Merkel duhet të ringjallë procesin thuajse të vdekur të kushtetutës së BE-së por pa lënduar ndjeshmërinë kombëtare. Merkel duhet të çojë përpara reduktimin e burokracisë së panevojshme por pa shkulur nga rrënjët aspektet sociale. Dhe sipërmarrja më delikate, Merkel duhet të rishikojë kufijtë e procesit europian të zgjerimit. Një sparkatë e cila premton të jetë mjaft e dhimbshme po të mbajmë parasysh qëndrimet tejet divergjente. Merkel ka përpara muaj mjaft turbulentë nëse nuk dëshiron të zhgënjejë pritjet e zgjuara. E në këtë kuadër projekti i Merkelit duhet të jetë një Europë e qytetarëve dhe jo e elitave.“

Ndërrojmë temë. Pokeri disa miliardësh për blerjen e kompanisë gjermane ProSiebenSat1 ka përfunduar. Fondi amerikan i investimeve Kohlberg Kravis Roberts shkurt KKR dhe Premira britanike janë pronarët e rinj të kompanisë mediatike e cila u kushtoi atyre afro tre miliardë euro. Megjithëse firma të tilla janë si rregull të specializuara në blerjen e kompanive vetëm për t'i copëtuar e më pas rishitur me fitim duket se në këtë rast interesat e tyre janë afatgjata dhe parashikojnë ngritjen e një koncerni televiziv mbarëeuropian.

Gazeta "Financial Times Deutschland" e sheh pozitivisht ndryshimin e pronësisë së ProSiebenSat1:"Në rradhë të parë publiku duhet të gëzohet që një grup me pesë transmentues kalon në duart e një blerësi me ide strategjike dhe jo në ato të një firme kapitali e cila përpiqet të rifinancojë blerjen me reduktimin e kostove dhe shtimin e borxheve. Duoja KKR/Premira ka përvojë në biznesin e televizionit, zotëron një firmë televize dhe pret fitime nga ndërtimi një koncerni të ri më të madh televiziv.“

Mbi të njëjtën temë veçojmë nga "Kölnische Rundschau":"Në kompaninë ProSiebenSat1 askush nuk ka frikë nga investuesit financiarë. E përse të kenë. Në fund të fund edhe pronari aktual është i tillë. Grupi i Haim Saban pati guximin të blinte kompaninë pas vështirësive të saj si pasojë e falimentimit të grupit Kirch. Angazhimi i tyre u shpërblye nga të ardhurat e shitjes të cilat ishin katër herë më të larta se investimi. Pronarët e rinj Permira dhe KKR e njohin biznesin e televizionit. Kjo duhet t'i qetësojë punonjësit e grupit ProSiebenSat1."

Ndërrojmë sërish temë. Gjykata Supreme në Izrael ka miratuar me një vendim të kontestuar të ashtuquajturat vrasje të planifikuara. Mbi këtë temë citojmë nga "Tageszeitung":"Politika e Izraelit në të ashtuquajturat "vrasje preventive" ka kohë që është e kontestuar. Por tani Gjykata Supreme në Izrael ka përcaktuar se kjo politikë nuk bie parimisht ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Me këtë vlerësim ajo është megjithatë e vetme pasi e drejta ndërkombëtare ndalon çdo veprim ushtarak kundër civilëve të paarmatosur. Prej vitesh Izraeli vepron me vrasje të planifikuara kundër palestinezëve të caktuar. Por fakti që ushtarët kështu bëhen gati gjyqtarë nuk është problematik vetëm nga dyshimet morale që ngre. Këto vrasje të planifikuara në të kaluarën kanë rezultuar thjesht jo produktive: sa herë që ekzekutime të tilla ndodhin në periudha qetësie relative pasohen menjëherë nga shkallëzime të reja të dhunës.“