1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtyhet afati për hartimin e projektkushtetutës irakiane

Daniel Sheshkevitz16 Gusht 2005

Komiteti për kushtetutën irakiane ka shtyrë afatin për përpilimin e projektkushtetës së re. 7 deri në 10 ditë do të ketë konsultime para se parlamentit t'i dorëzohet projektkushtetuta përfundimtare. Çështje diskutabile vazhdojnë të mbeten: sa do të kenë autonomi rajonet dhe grupimet etnike si dhe çfarë roli do të luaj e drejta islame. Këto janë dy pikat kryesore për të cilat edhe brengoset Uashingtoni zyrtar.

https://p.dw.com/p/ArOO
Fotografi: dpa

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë çliruar Irakun që më vonë të copëtohet apo që gratë të shtypen me të drejtën islame të sheriatit. Kjo është formula e thjeshtë mbi të cilën bazohet qëndrimi i Uashingtonit zyrtar kur flitet për kushtetutën e re irakiane. Edhe pse presidenti Bush gjatë javëve të fundit shfaqi shpresën e tij se projektkushtetuta do të jetë gati deri këtë të hënë, në këtë shtyrje 7 deri 10 ditore për vazhdimin e konsultimeve rreth çështjeve diskutabile nuk shihet ndonjë problem i patejkalueshëm. Zëdhënsi i departamentit amerikan të shtetit, Sean McCormack:

"Gjithnjë kur gjendja është bërë kritike, grupimet e ndryshme etnike në Irak, pamarrë parasysh shiitët, sunitët apo kurdët treguan se janë të gatshëm të bëhen bashkë dhe të definojnë një identitet irakian. Dhe brenda këtij identiteti irakian tani ata kërkojnë një rrugë se si rajonet e ndryshme do të sillen kundrejt pushtetit në qendër".

Eksperti i Irakut Ken Pollock nga "Instituti Bruking" nuk habitet me faktin që pikërisht çështje e pavarësisë rajonale mbetet e pasqaruar deri në momentin e fundit. Pollock:

"Kur është fjala për federalizmin luan rol shumëçka. Aty bëhet fjalë për fitimet nga derivatet e naftës. Kjo i frikëson sunitët pasi që shumica e burimeve të naftës ndodhen në veri dhe para së gjithash në jug. Kurdët dhe shiitët kërkojnë më tepër autonomi për shkak se duan të përfitojnë më shumë nga kjo pasuri. Përveç kësaj është edhe çështja e pushtetit ushtarak. Kush guxon të angazhoj policinë? A mbeten aktiv Peshmergat kurd dhe çfarë do të ndodh me Brigadat Badr të shiitëve?".

Çështje tjetër e cila preokupon përpiluesit e projektkushtetutës është edhe e drejta e grave sipas traditës islame. Edhe sa i përket kësaj pike Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një mendim të qartë. Edhe pse shpesh përsëritet se kjo është një kushtetutë irakiane për irakianët, sipas Sean McCormark:

"Ne e kemi thënë hapur gjithnjë se për ne është e rëndësishme që të mbrohen të drejtat e grave. Jo vetëm me ligj dhe me kushtetutë por edhe në jetën shoqërore që ato të kenë mundësi të marrin pjesë në procesin politik. Iraku dhe demokracia irakiane duhet të vlej për të gjithë irakianët".

Ndërkaq Ken Pollock beson që edhe roli i ardhshëm i fesë islame në shoqërinë irakiane nuk do të zë vend të madh në kushtetutën e re. Islami do të jetë me siguri një burim por jo burimi i vetëm i të drejtës në kushtetutën e re irakiane:

"Për rolin e islamit në politikë dhe në juridiksion në botën islame ka një numër të madh formulimesh të ndryshme. Prijësit fetar të Irakut me siguri do ta shihnin me kënaqësi islamin si burim të së drejtës kombëtare por forcat botërore janë kundër. Por një kompromis sipas të cilit islami fiksohet si një burim i të drejtës e cila nuk do të kishte përplasje me ligjet tjera të islamit nuk do të ishte kompromis i keq. Shembulli më i mirë është ai i Egjiptit. Në këtë mënyrë mbetet hapësirë dhe ata që janë të orientuar nga perëndimi mund të jetojnë ashtu siç ju duket atyre më mirë".