Shtajnmajeri ndërmjetëson në konfliktin e Kaukazit
17 Korrik 2008Gjendja në ish-republikën sovjetike të Gjeorgjisë është përkeqësuar shumë gjatë javëve të kaluara. Në rajonet seperatiste të Abakazisë dhe Osetisë Jugore, të mbështetura nga Moska u regjistruan përleshje luftarake dhe sulme me bomba.
Qysh të martën shefi i diplomacisë gjermane ka biseduar me telefon me homologun e tij rus, Sergej Lavrov për zhvillimet e fundit në këto rajone. Iniciativa rrodhi nga pala gjermane. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme gjermane njoftoi se synohet zgjidhja e konfliktit mes Gjeorgjisë dhe Abkazisë. Lavrov është shprehur në bisedën telefonike me Shtajnmajerin për heqjen dorë nga dhuna të të gjitha palëve të përfshira në konflikt.
Për vizitën e tij ministri i jashtëm gjerman ka planifikuar shumë takime: në mes tjerash janë paraparë bisedime me presidentin e Gjeorgjisë Michail Saakaschvilli, me përfaqësues të opozitës si dhe një takim me presidentin e Abkazisë, Bagapsh i cili ende nuk njihet ndërkombëtarisht. Në fund të vizitës së tij të shkurtër Shtajnmajeri takohet të premten në Moskë me shefin e diplomacisë ruse, Sergej Lavrov.
Me këtë rast pritet që të bisedohet për planin trepikësh të përpiluar nga qeveria gjermane. Pika e parë parasheh ndërrarrjen e masave për rikthimin e besimit, pika e dytë kthimin e rreth 250 mijë të dëbuarëve gjeorgjianë në rajonin e Abkazisë. Berlini ka shprehur gatishmërinë që të mbështesë edhe financiarisht procesin e kthimit në këtë rajon. Tek pastaj do të definohej statusi politik i Abkazisë.
Si koordinator i të ashtuquajturit grupi i miqve të Kombeve të Bashkuara Gjermania përpiqet që përmes kësaj inciative të gjejë një zgjidhje për konfliktin në Kaukaz.
I ngarkuari i posaçëm i ministrisë së jashtme për Evropën Lindore, Hans Dieter Lukas në fillim të javës pat udhëtuar për në Sushumi për të prezantuar planin tre-pikësh të qeverisë gjermane. Presidenti i Abkazisë Sergej Bagapsh refuzoi propozimet gjermane. Në planet për ngritjen e një shteti të pavarur dhe demokratik nuk do të lejojmë përzierjen e askujt, ishte arsyetimi i Bagapshit.
Deri tani kanë dështuar të gjitha përpjekjet që palët e armiqësuara të ulen në një tryezë bisedimesh. Javët e kaluara si pasojë e sulmeve me bomba në Abkazi dhe përleshjeve të armatosura në Osetinë Jugore jetën kanë humbur disa njerëz.
Roli i Rusisë në këtë mes është i padiskutueshëm. Gjatë vizitës së saj në Tbilis para një jave, sekretarja amerikane e shtetit Kondoleza Rajs i bëri thirrje Rusisë që të jetë pjesë e zgjidhjes e jo pjesë e problemit. Po ashtu Rajsi theksoi se nuk guxon të cenohet integriteti territorial i Gjeorgjisë.
Moska, nga ana tjetër, ka kërcënuar që në rast të eskalimit të gjendjes, do të marshojë me trupat e saj në Gjeorgji. Sipas Moskës zyrtare bëhet fjalë për mbrojtjen e shtetasve rusë jashtë vendit. Kundër vullnetit të qeverisë gjeorgjiane, gjatë viteve të fundit, rreth 80 përqind e popullatës abkaze janë pajisur me pasaporta ruse.
Aktualisht në Gjerogji po zhvillohen manovra disa ditore ushtarake. Rreth 1.000 ushtarë amerikanë po marrin pjesë në ushtrimin gjeorgjian "Reagimi i shpejtë". Nga ana tjetër rreth 8.000 ushtarë rusë po përgatiten në Kaukazin veriror për një sulm të mundshëm në Gjeorgji.