Shqipëria i ka shitur armë Afganistanit
21 Mars 2008Pohimi se Shqipëria i ka shitur armë Afganistanit u bë publik për herë të parë nga vetë kreu i qeverisë së Tiranës, kryeministri Sali Berisha. Në përpjekje për të hedhur poshtë akuzat e opozitës se ngjarja dramatike e Gërdecit i ka rrënjët në trafikun ilegal të armëve, ku është i implikuar edhe djali i kryeministrit, Berisha tha në Parlament se: “Armët e shitura Afganistanit nga Shqipëria janë bërë pas një tenderi të organizuar nga Pentagoni. Nuk ka asnjë tregëti, përveçse të ligjshme, merrni dosjen!” - i është drejtuar opozitës së majtë në Parlament kryeministri Berisha.
Ai ka rrëfyer në Parlament se si një gazetar i New York Times-it kishte takuar katër muaj më parë në Tiranë Ministrin e Mbrojtjes, Mediu, për të shkruar një artikull "për një aferë armësh me një kompani amerikane nga Florida që pat fituar një tender prej 300 milionë USD".
Mediat e pavarura të Tiranës transmetuan në disa edicione të ditës së enjte bisedën që përfaqësuesi i kompanisë amerikane në Florida mendohet të ketë bërë me një shqiptar të quajtur Kosta Trebicka, lidhur me tregëtinë e armëve. Publiku i Shqipërisë dëgjoi sesi amerikani i thoshte Trebickës se përfshirjen e tij në tregtinë e armëve nga Shqipëria e kishte në dorë Ylli Pinari, drejtori i kompanisë shtetërore për shitblerjern e armëve, i cili që prej dy ditësh ndodhet i arrestuar. Opinioni publik dëgjoi me veshët e veta sesi përfaqësuesi i kompanisë amerikane, i quajtur Diveroli, i sugjeronte Kosta Trebickës ta korruptonte Ylli Pinarin „me ndonjë prostitutë apo 25 mijë dollarë”.
Kryeministri Berisha tha se „ përmendja e emrit të të birit ishte pasojë e marifeteve të mafiozëve shqiptarë për të treguar se kanë mbështetjen e Kryeministrit. Berisha tha se artikulli i gazetarit të gazetës "New York Times" që pritet të botohet javën e
ardhshme, nëse flet për trafik armësh, nuk mbështetet në fakte të vërteta.