1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shojble synon ashpërsimin e ligjeve të sigurisë në politikën e brendshme

Bernd Gresler5 Prill 2007

Terrorizmi është një sfidë ndërkombëtare, i cili duhet luftuar edhe në plan ndërkombëtar, thotë shpeshministri i brendshëm gjerman Shojble. Ai synon ashpërsimin e ligjeve të sigurisë edhe në politikën e brendshme.

https://p.dw.com/p/Aqwx
Gjermani, EU, Rusi, USA- Takim i ministrave të brendshëm
Gjermani, EU, Rusi, USA- Takim i ministrave të brendshëmFotografi: AP

Terrorizmi duhet të luftohet në plan ndërkombëtar, thotë ministri i brendshëm gjerman, Volfgang Shojble (Wolfgang Schäuble). Për këtë shkak ai është takuar në Berlin me ministrin e mbrojtjes së atdheut të SHBA, Certof (Chertoff), me ministrin e brendshëm të BE, Fratini dhe me ministrin e brendshëm të Rusisë, Nurgalijev.

Ajo që diskutohet është një mbrojtje më e mirë nga atentatet, por edhe rritja alarmuese e prodhimit të drogës në Afganistan dhe kontrabanda e drogës në Evropë. Ka mundësi që Rusia të vendosë në tryezë edhe një problem të pakëndshëm për Shojblen: për rusët, muajt e fundit është bërë e vështirë të marrin viza gjermane. Me amerikanët evropianët bëjnë nga ana tjetër tratativa për dëshirën e vendeve të BE për të hyrë në SHBA pa viza. Veç kësaj bëhet fjalë për një marrëveshje të re për të dhënat e pasagjerëve që udhëtojnë.

Ministri i brendshëm gjerman duhet t'i përgjigjet në këtë kuadër urisë për të dhëna të SHBA, edhe nëse në politikën e brendshme ai ndjek një kurs krejt të kundërt. Shojble-ja parashikon një ashpërsim të ri të ligjeve të sigurisë, gjë që u kritikua edhe në kanalin e dytë televiziv gjerman ZDF nga i ngarkuari federal me ruajtjen e të dhënave personale, Peter Shar (Peter Shaar) "Kam përshtypjen se në diskutimet e tanishme ka një tendencë për të kaluar masën. Kjo do të thotë që, vijnë gjithmonë e më shumë kërkesa. Në thelb, nuk ka më një kufi të natyrshëm për fitimin e të dhënave, për përpunimin e të dhënave për qëllime sigurie"

Ministri i brendshëm gjerman kërkon të lejojë kërkimet në bazë të shablloneve të caktuara të kërkesave, në të cilat grupe të tëra të popullatës të kontrollohen sipas kritereve të caktuara. Kontrolle të fshehta të kompjuterave privatë në internet synohet të mundësohen me një ligj të ri, pasi kjo u ndalua nga Gjykata Federale. Dhe meqenëse policisë nuk i lejohet të përgjojë banesa private për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Shojble-ja kërkon që kjo të bëhet e mundur, në formën që gjykatësit të jenë ata që të vendosin, se cilët pjesë të regjistrimit lejohet të përdoren më vonë dhe cilat jo. Ka informacione të medieve, sipas të cilave ekziston ideja që gjurmët e gishtave të të gjithë qytetarëve të ruhen jo vetëm në një çip të pasaportës, por edhe në një regjistër qendror. Kundërshtime për këtë kanë ardhur si nga opozita, ashtu edhe nga radhët e CDU-së. Shojble-ja i konsideron këto mjete të nevojshme, për t'i dhënë Zyrës Federale të Kriminalistikës instrumenta në luftë kundër terrorizmit.