Shkallëzim i mëtejshëm | Bota | DW | 03.01.2009
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shkallëzim i mëtejshëm

Forcat izraelite nisin ofensivën tokësore

default

Shpërthim pas një bombardimi izraelit në veri të Rripit të Gazës.

Shkallëzim i mëtejshëm i krizës në Lindjen e Afërme: Ofensiva e pritur me trupa tokësore në Rripin e Gazës pas një jave bombardimesh nga ajri nisi të shtunën në mbrëmje.


Avionë luftarakë fluturojnë mbi Rripin e Gazës. Që të shtunën pasdite artileria izraelite ka hapur gjithashtu zjarr kundër caqeve në zonën bregdetare. Më vonë kanale lajmesh njoftuan se ushtarë izraelitë kishin depërtuar në disa vende në territorin palestinez.


Konflikti shkallëzohet edhe një herë. Shumë civilë në Rripin e Gazës kanë frikë prej orëve që do të vijnë. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme izraelite Palmor tha se ofensiva vazhdon të drejtohet vetëm kundër palestinezëve militantë:


"Ne kemi luftë me Hamasin, jo me banorët e Gazës, jo me popullin palestinez. Qysh të dielën në Gazë kanë mbërritur 10.000 tonë ndihma humanitare, më shumë do të pasojnë ditët e ardhshme. Nuk ka kufizime, pikëkalimet kufitare punojnë me kapacitet të plotë në shërbim të ndihmës humanitare."


Ky është këndvështrimi i qeverisë izraelite, por ka informacione nga pala palestineze që nuk mund të përputhen me të. Në fakt ushtria izraelite vrau të shtunën në mënyrë përzgjedhëse Abu Zakari Al-Xhamalin, një anëtar militant të Hamasit, por viktima të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit u bënë përsëri edhe civilë. Në mbrëmje aviacioni ushtarak rifilloi me sulmet ajrore. Në to u shkatërrua një xhami në Beit-Hanun në veri të Rripit të Gazës. Autoambulanca transportuan të plagosurit në klinika, viktima të tjera u arrit të nxirren vetëm të vdekur.


Punonjës të organizatave të ndihmave në Gazë druajnë se një operacion i zgjeruar ushtarak do ta keqësonte edhe më shumë gjendjen e civilëve. Në raportin e tyre javor Kombet e Bashkuara informojnë për mungesën e grurit. Shumica e mullinjve dhe e furrave janë detyruar të mbyllin. Pothuajse nuk ka më bukë për të blerë, u tha nga ana e OKB-së. Sipas saj, shumë familje janë pa rrymë elektrike dhe pa ujë, sepse infrastruktura është shkatërruar gjatë sulmeve ajrore izraelite.


Ushtria izraelite lëshoi fletë-volante mbi disa lagje në veri të Rripit të Gazës. Në to ajo paralajmëron banorët për sulmet dhe u bën thirrje që të largohen prej shtëpive të tyre. Por ku të shkojnë njerëzit në një territor që është i rrethuar pothaujse nga të gjitha anët? Një territor që të shtunën u sulmua nga ajri, nga deti dhe nga toka. Në filmime shihet që shtëpitë në Qytetin e Gazës janë rrëzuar sikur të ishin prej letre, mure që mungojnë, tavane të shembura.

  • Data 03.01.2009
  • Autor Torsten Theichmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/GRUI
  • Data 03.01.2009
  • Autor Torsten Theichmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/GRUI