Shanse më të mira në të ardhmen për fëmijët myslimanë? | Evropa | DW | 14.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shanse më të mira në të ardhmen për fëmijët myslimanë?

Hapet në Francë një gjimnaz mysliman elitë. Të gjitha bashkësitë e tjera fetare i kanë shkollat e tyre.

default

Shkolla fillore myslimane ka disa në Francë. Gjimnazi deri tani i vetëm u hap në vitin 2003 në Lille. "Lycee Al Kindi" në Lyon do të ketë deri në 700 nxënës dhe është kështu shkolla më e madhe myslimane elitë në Francë. Në fakt mësimi duhet të niste që verën e kaluar, por kjo u pengua prej autoriteteve franceze. Përgjegjësit e institucioneve më të rëndësishme islame që janë të përfaqësuar në shoqatën ombrellë "Lycee islamique" u ndienë të diskriminuar. Por tani gjimnazi është hapur...

Për ditën e parë të shkollës nuk erdhën vetëm prindër, mësues dhe fëmijë, por edhe dhjetëra ekipe kameramanësh. Për muaj me radhë gjimnazi mysliman elitë që një ditë do të bëhet shkolla më e madhe myslimane në Francë, kishte prodhuar tituj lajmesh. Tani të gjithë janë të gëzuar që mësimi mund të fillojë. Por drejtori i shkollës, Hakim Chergui përpiqet ende t'u heqë frikën fqinjëve në Lyon, se këtu mund të përgatiteshin fondamentalistë të vegjël.

"Shumë shpesh mësimi fetar jepet pa metodë pedagogjike, pa kuadër akademik. Ne jemi të bindur që nxënësit e pedagogëve të kualifikuar në shkolla dhe universitete do të përfitojnë shumë në aspektin shpirtëror."

Me të vërtetë ministria franceze e punëve të brendshme ka publikuar shifra frikësuese. Rreth 50.000 fëmijë ndjekin fshehurazi mësim në gjuhën arabe dhe në fenë myslimane. Disa sekte kanë hapur në fshehtësi kopshte dhe shkolla bodrumesh. Pak kohë më parë në Strasburg u zbulua një konvikt fondamentalist. Në shkollat publike në Francë nuk jepet mësim mbi fenë. Kush dëshiron megjithatë ta edukojë fëmijën e vet në planin fetar duhet të zgjedhë një shkollë private. 8.500 shkolla katolike dhe 250 hebreje nga njëra anë dhe vetëm tri myslimane në anën tjetër. Dhe kjo e treta në Lyon për pak nuk do të ishte hapur. Kjo natyrisht që i zemëron myslimanët francezë.

"Është gjëja më normale në botë, të ofrosh sot një shkollë fillore dhe një gjimnaz mysliman. Të gjitha bashkësitë e tjera fetare i kanë shkollat e tyre. Mos është përsëri fjala mysliman që i shqetëson të gjithë?"

Për gjimnazin në Lyon, i cili është emërtuar sipas filozofit irkian të kohës së mesjetës Al Kindi, pati grindje që zgjatën tetë muaj. Besimtarët kishin mbledhur në xhami 700.000 euro. Kur deshën të fillonin me ndërtimin qyteti e ngriu lejen e ndërtimit, gjoja për kubaturën e vogël dhe për mungesën e nevojtoreve. Më vonë projektin donin ta ndalonin sepse territori i shkollës ndodhej tepër pranë një centrali gazi.

Pas ecejakesh të gjata në fund vendosi enti më i lartë mbikqyrës për arsimin në Paris. Gjimnazi mysliman elitë lejohet të hapet. Prindërit shpresojnë që në sajë të ndjekjes së kësaj shkolle fëmijët e tyre të kenë shanse më të mira për të ardhmen.

"I kam më të sigurt fëmijët këtu; përveç kësaj këtu kujdesen më shumë për sjelljen dhe meqënëse është shkollë private klasat kanë shumë më pak nxënës; kjo garanton më shumë punë dhe sukses."

Shkolla e re myslimane në Lyon ka vërtet kërkesa të larta; përveç maturës franceze fëmijët mësojnë edhe kinezisht, turqisht ose arabisht. Në ditën e parë të shkollës nxënëset erdhën pjesërisht me dhe pa shami koke dhe ferexhe. Edhe kjo ka qenë në të kaluarën një çështje shumë e diskutuar në Francë, në shkollat publike ekziston një ndalim i rreptë i shamisë së kokës. Një nënë.

"Vajza ime erdhi sot pa ferexhe, por sikur të kishte dashur mund ta kishte vënë."

Drejtuesi i xhamisë lokale është i kënaqur që me shkollën e re elitë jepet një sinjal për pesë milionë myslimanët në Francë.

"Sa mirë që i shua grindja. Tani do të vazhdojmë rrugën në këtë drejtim, natyrisht në përputhje me ligjet franceze."

  • Data 14.03.2007
  • Autor Evi Seibert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8a
  • Data 14.03.2007
  • Autor Evi Seibert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8a