1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Shërbimi i fshehtë britanik mban përgjegjësi'

Hermann Krause31 Maj 2007

Flet i dyshuari në çështjen Litvinenko

https://p.dw.com/p/Ar7w
Biznesmeni rus Andrei Lugovoi gjatë konferencës së sotme për shtyp
Biznesmeni rus Andrei Lugovoi gjatë konferencës së sotme për shtypFotografi: AP

Afera rreth helmimit të kritikut të Kremlinit Alexander Litvinenko sa vjen e bëhet më e ngatërruar. Javën e kaluar prokuroria britanike lëshoi urdhër-arrest kundër rusit Andrej Lugovoi. Megjithëse Lugovoi nuk ka pse t'i trembet ekstradimit të kërkuar prej Londrës, ish-gjenti i KGB-së u hodh në ofensivë në Moskë. 42 vjeçari hodhi akuza të rënda kundër qeverisë britanike duke bërë përgjegjës për vdekjen e Litvinenkos shërbimin e fshehtë.

Ishte një konferncë shtypi e bujshme, salla e mbimbushur me pothuajse 100 gazetarë. Andrej Lugovoi tregoi vetëbesim duke mohuar çfarëdo fajësie. Nuk kam të bëj apsak me vrasjen e Aleksandër Litvinenkos, tha Lugovoi. Me këmishë të bardhë, kravatë moderne dhe flokë të prera shkurt 42 vjeçari u përpoq të linte më tepër përshtypjen e një burri që i kishte bërë ballë përpjekjeve për rekrutim nga ana e shërbimit të fshehtë britanik MI6.

'Anglezët kërkuan prej meje që të mblidhja material kompromentues kundër presidentit Vladimir Putin dhe familjes së tij. Unë duhet të ndillja në Londër një bashkëpunëtor të ngushtë të Putinit. Madje Litvinenko më tregoi më pas se ç'lloj shifrimi duhet të përdorja.'

Pikërisht Litvinenkoja që vdiq në mënyrë misterioze nga helmimi me polonium, tha Lugovoi, punonte për shërbimin e fshehtë britanik. Sikurse edhe biznesmeni Boris Berezovski që jeton në Londër, një armik i deklaruar i presidentit rus. Më parë Lugovoi, kundër të cilit prokuroria britanike ka lëdhuar urdhër-arrest, kishte pretenduar se kishte pasur vetëm lidhje biznesi, por tani ai deklaron se bëhej fjalë për zbulim sekretesh.

'Aleksandër Litvinenko më tha, këta në Britani të Madhe janë të gjithë idiotë me tërë lecka; besojnë gjithçka që u thua për Rusinë. Dhe për 500.000 deri në 1 milion stërlina këtu mund të bleshë shtetësinë. Shembulli më i mirë është Berezovski që jeton në Londër si refugjat politik. Unë nuk isha aspak i interesuar dhe kjo e zhgënjeu së tepërmi Litvinenkon.'

Dhe kjo, thotë Lugovoi, bëri që imazhi i Litvinenkos në sytë e shërbimit të fshehtë britanik të binte gjithnjë e më shumë. E tëra kjo kulmoi me fajësimin e qeverisë britanike për vrasjen.

'Nuk është sekret që Litvinenko ishte zhgënjyer nga Berezovski. Ai u përpoq të shkëputej, të largohej. Dhe zbuloi shumë të fshehta, edhe në prani të agjentëve të fshehtë britanikë. E qëruan. Në qoftë se nuk ishte vetë shërbimi i fshehtë, atëherë ka qenë dikush që kontrollohej prej tij.'

Prej kohësh oligarku Berezovski, i cili mbështet opozitën ruse, është njëri nga armiqtë e dëshmuar të Kremlinit, dhe Lugovoi fjalëshumë e fajësoi atë për vrasjen e gazetares Anna Politkovskaja. Përndryshe ai luajti rolin e naivit, për shembull sai takon helmit polonium. Për këtë tha, ish-agjenti i KGB-së, mu desh të informohesha nëpërmjet një enciklopedie; si u siguroka një lëndë kaq helmuese. Gjurmët e shumta të poloniumit që të çojnë në Moskë dhe Hamburg Lugovoi i quajti rastësi. Shoku i tij Dimitri Kovtun shtoi gjatë konferencës për shtyp:

'Poloniumi është një lëndë që lë kudo gjurmë. Kur prek dorezën e derës në një hotel, dhe atje ka pasur polonium, e merr këtë me vete gjithandej. Këtë e kanë thënë edhe vetë organet gjermane lidhur me gjurmët në Hamburg.'

Kështu pas konferencës për shtyp mbeten më shumë pyetja sesa informohesh. Në përgjithësi Lugovoi paraqiti shumë pretendime të reja, se a janë ato të vërteta është çështje tjetër. Dosja Litvinenko do kohë që të mbyllet, por zbulimi i së vërtetës ndoshta nuk duhet pritur.