Sfondi i grindjes për subvencionet midis firmave Airbus dhe Boeing | Evropa | DW | 19.01.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sfondi i grindjes për subvencionet midis firmave Airbus dhe Boeing

Parimisht kanë mbetur vetëm dy prodhues të mëdhenj në botë në aviacionin civil dhe ata grinden prej vitesh për vendin e parë. Koncerni amerikan Boeing në Seattle dhe lidhja evropiane Airbus, një sipërmarrje bijë e koncernit evropian në fushën e armatimeve dhe të teknologjisë, EADS. Në betejën për pjesë të tregut dhe në konkurrencën për të qenë i pari në botë të dy kundërshtarët e akuzojnë njëri-tjetrin se e ka arritur pozicionin në treg vetëm me anë të subvencioneve masive.

Fluturimi i parë i avionit A380 është planifikuar për në muajin mars

Fluturimi i parë i avionit A380 është planifikuar për në muajin mars

Në çdo mundësi që i jepet drejtori në largim i sipërmarrjes evropiane Airbus, Noel Forgeard, i kujton konkurrentit amerikan Boeing se vjen vetëm i dyti. Përsëri vitin e kaluar sipërmarrja Airbus livroi më shumë avionë civilë sesa amerikanët. Prodhuesit e avionëve nga Seattle i Shteteve të Bashkuara të Amerikës hedhin vickla. Sipas tyre, suksesi i evropianëve mund të shpjegohet vetëm me anë të subvencioneve të jashtëzakonshme shtetërore. Prandaj gjatë fushatës zgjedhore vjeshtën e kaluar presidenti i Shteteve të Bashkuara George W. Bush u kundërpërgjigj dhe e anuloi marrëveshjen e negociuar në vitin 1992 me Bashkimin Evropian mbi ndihmat shtetërore në biznesin e aviacionit. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Claude Veron-Reville, sheh në këtë anulim para së gjithash një reagim prej panikut nga ana e amerikanëve:

"Ajo që kanë filluar të vënë re amerikanët është se Airbus-i nuk është vetëm një konkurrenti madh, por se ndërkohë është kryesues në tregun botëror. Ai është më i madh sesa Boeing dhe gjendja është krejt e ndryshme nga ajo që paraqitej në vitet tetëdhjetë."

Sipas marrëveshjes së vitit 1992 pronarët e kompanisë Airbus: Franca, Britania e Madhe, Spanja dhe Gjermania lejohet të japin kredi deri në një të tretën e kostos së zhvillimit të një avioni.

Shtetet pronare e kanë ndihmuar zhvillimin e super-avionit A380 me rreth 2 miliardë euro. Por këto janë kredi të dhëna me interes, të cilat kompania Airbus deri tani i ka shlyer të gjitha, thotë Noel Forgeard, drejtori i firmës.

Nga ana tjetër qeveria amerikane lejohet të subvencionojë tërthorazi nëpërmjet segmentit të avionëve ushtarakë fllotën e avionëve të saj të mëdhenj civilë si dhe ta ndihmojë atë me lehtësira tatimore. Si Airbus ashtu edhe Boeing iu drejtuan Organizatës Botërore të Tregtisë. Kanosej një luftë e re tregtare, këtë herë në ajër, midis Evropës dhe Amerikës. Në gjendje të ngushtë Boeing luftoi me thonj e me dhëmbë veçanërisht kundër subvencioneve fillestare për avionin me përmasa më të vogla A350. Ky avion shihet nga amerikanët si konkurrencë e drejtpërdrejtë për avionin e tyre 7E7 Dreamliner.

Javën e kaluar fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara Bob Zoellick lëshoi pe. Ai u morr vesh për armëpushim me komisionerin evropian për tregtinë Peter Mandelson. Zëdhënësja e këtij të fundit Claude Veron-Reville:

"Tani duam të flasim hapur e pa rezerva dhe do të kërkojmë që për të dyja palët të vlejnë kushte të barabarta dhe të drejta."

Përpara se çështja të trajtohet në gjykatën e Organizatës Botërore të Tregtisë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës planifikojnë të zhvillojnë të paktën tre muaj rresht negociata pajtuese. Synimi afatgjatë është përjashtimi i ndihmave shtetërore për fabrikat e avionëve. Hans-Joachim Gante, presidenti i federatës gjermane të industrisë aeronautike, pret që në fund të negociatave të ulet niveli i subvencioneve, por që ato të vazhdojnë të ekzistojnë.

Sipas tij, rëndësi ka para së gjithash nxitja me mjete financiare e kërkimeve, e cila nuk duhet kthyer. Për këtë qëllim qeveria gjermane shpenzon në harkun kohor të pesë viteve 160 milionë euro, pasi në fund të fundit vetëm prej prodhimit me kapacitet të plotë të avionit A380 varen 40.000 vende pune në Gjermani.

Presidenti i Komisioinit Evropian, Jose Barroso, ndjehet i lehtësuar për faktin që drama Airbus/Boeing mori hë për hë një kthesë për mirë përpara vizitës në muajin shkurt në Bruksel të presidentit të Shteteve të Bashkuara George W. Bush. Sipas Barrosos, tani klima është shumë më e shtendosur:

"Një problem në fushën tregtare nuk duhet të shkaktojë konflikte në sektorë të tjerë të politikës. Le ta zgjidhim këtë problem, nëse kjo është e mundur. Në rast se kjo është e pamundur, atëherë dialogu transatlantik nuk duhet të vuajë."

Ndërkohë në Bruksel, në Bashkimin Evropian, disa diplomatë besojnë se sulmi amerikan mbi mënyrën e financimit të kompanisë Airbus ka qenë një manovër zgjedhore e George W. Bush-it, i cili donte të tregonte se kujdeset për vendet e punës në Amerikë. Por me sa duket në një analizë më të hollësishme të dyja palët kanë dalluar se prej gjykimit nga ana e Organizatës Botërore të Tregtisë vetëm mund të humbasin. Në fund mund të qeshnin të tretët, prodhuesit me ambicje të avionëve: Brazili apo Kina.

  • Data 19.01.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFJ
  • Data 19.01.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFJ