Serbia - skenar i trishtueshëm | Politika | DW | 02.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Serbia - skenar i trishtueshëm

Republika e Serbisë, pjesa më e madhe e bashkësisë shtetërore, Serbi Mali i Zi, edhe gjatë vitit që lamë pas ka qenë vendi me ekonominë më të dobët në Ballkan

Ndërrimi i viteve në Beograd

Ndërrimi i viteve në Beograd

Produkti bruto në vend me 3000 euro për frymë është sa gjysma në vendet fqinjë të Serbisë, deklaroi gjatë javës së shkuar presidenti, Boris Tadiç. Serbia do të arrijë nivelin e fqinjëve të saj ndoshta në vitin 2020 për shkak të zhvillimeve të ngadalta, kështu e përshkoi këtë skenar tronditës presidenti Tadiç.

Askund tjetër në vendet fqinjë inflacioni nuk është kaq i lartë sa në Serbi, me rreth 20%. Reforma të rëndësishme si çështja e pasqaruar e pronës qysh nga periudha e komunizmit, ose reforma agrare duhej të ishin bërë me kohë. Investimet e huaja janë të rralla. Në vend të kësaj ish-ndërmarrjet shtetërore bllokohen në procedura të pakuptueshme në fonde investimesh, për të cilat dyshohet, se e financojnë blerjen me para të dyshimta.

Ndërsa Kroacia ka inaguruar ndërkohë autostradën mes Zagrebit dhe Splitit, një vepër e shekullit siç konsiderohet, struktura e qarkullimit në Serbi po shkatërrohet. Ndërtimi i akseve rrugore të bllokuara në disa zona, as që ka ndërmend të fillojë. Madje edhe në kryeqytet, në Beograd ende ka rrugë të bllokuara prej rrënojave të godinave të bombraduara prej NATO-s, gjatë luftës së Kosovës. Qyteti është i zhytur në kaos qëarkullimi, sepse ende mungojnë urat mbi Danub dhe Save, e për modernizimin e metrosë as që bëhet fjalë.

Sa i përket politikës së brendëshme, ajo qëndron mbi themele të lëkundura. Kabinetit të minorancës nën drejtimin e nacional-konservatorit, Vojislav Koshtunica i duhet të mbështetet tek socialistët e ish-presidentit Sllobodan Millosheviç, i akuzuar për krime lufte në Hagë. Radikalët opozitarë, ish-aleatët e Millosheviçit me një të tretën e votave përbëjnë partinë më të fortë. Edhe demokratët në opozitë të presidentit të republikës, Boris Tadic, bojkotojnë parlamentin. I favorizuari i Millosheviçit, milioneri, Bogoljub Kariç dyshohet, se ka krijuar një fraksion të vetin duke blerë pesë deputetë.

Koshtunica i ka shpërblyer përkrahësit e tij me poste në ndërmarrjet që janë monopol i shtetit. Ndaj as që ka sy për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore, siç kërkohet prej Fondit Monetar ndërkombëtar. Firma e naftës NIS, prodhuesi i energjisë EPS, telekomi dhe shoqëria ajrore JAT, apo ndërtuesit e falimentuar të automobilëve "flamuri i kuq" konsiderohen si monopolistë të falimentuar, që mbahen në këmbë nga shteti me privilegje që janë në kundërshtim me normat e tregut.

Në janar fillon një fazë e nxehtë me hapjen e bisedimeve për të ardhmen e Kosovës. Ndërsa republika e vogël e Malit të Zi në prill do të organizojë referendumin popullor për shkëputje. Deri sa të vijë kjo ditë Mali i Zi është duke e bllokuar, ku të mundet shtetin e përbashkët. Por ende nuk ekziston as himn kombëtar dhe as flamur, apo ndonjë stemë shtetërore. Mandati i parlamentit federal ka skaduar e ai ashtu si edhe qeveria federale nuk ka influencë. Madje edhe vetë Serbia, republika më e madhe e bashkësisë është prej vitesh pa kushtetutë dhe as që ka ndërmend të nisë së shpejti ndonjë ndryshim për vendosjen e një të drejte unike shtetërore.

  • Data 02.01.2006
  • Autor Tomas Brey
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqrV
  • Data 02.01.2006
  • Autor Tomas Brey
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqrV