1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia prej vitesh e ka fshehur nën rrogoz problemin e Sanxhakut

Lindita Arapi18 Shtator 2010

Mosmarrëveshjet dhe konfliktet në Sanxhak nuk janë vetëm konflikte mes Laiqit dhe Uglaninit, por po bëhen konflikt i një pakice me shtetin. Faj ka edhe qeveria në Beograd, e cila ka refuzuar ta shohë realitetin në sy.

https://p.dw.com/p/PFRS
Harta në anglisht me rajonin e Sanxhakut
Harta në anglisht me rajonin e SanxhakutFotografi: cc by PANONIAN

Mes situatës politike në Kosovë dhe gjendjes në Sanxhak ka shumë pak ngjashmëri, mendojnë ekspertët në Beograd. Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për rajonalizim, për Deutsche Wellen thotë se është vështirë të krahasohen incidentet në Kosovë me ato në Sanxhak. „Kosova është një problem i cili e ka preokupuar këtë zonë për një shekull. Shqiptarët atje janë në shumicë absolute, gjë që nuk është kështu me boshnjakët në Sanxhak. Sanxhaku është një rajon ndërkufitar dhe këtu marrëdhënjet kanë qenë stabile dhe të gjitha konfliktet janë zhvilluar mes besimtarëve të një feje“, sqaron Popov.

Gabimet e shtetit serb

Ekspertët e kontaktuar nga Deutsche Welle janë të një mendimi; edhe shteti në masë të madhe është fajtor për incidentet e fundit në Sanxhak. „Në vend që të zgjidhë konfliktet, të cilat kanë ekzistuar mes të partive politike brenda një konfesioni, në qeveri janë ngjitur të dy liderët politikë, edhe Sulejman Uglanin edhe Rasim Laiq, ndërsa shteti nuk është marrë me këtë ngaqë është bërë fjalë për një konflikt në mes të dy grupeve politike“, thotë Popov.

Myslimanët në Novi Pazar për festën e Bajramit
Myslimanët në Novi Pazar për festën e BajramitFotografi: AP

Shteti, sipas Popov ka bërë dy gabime të pafalshme. Së pari qeveria nuk i ka dhënë rëndësi zhvillimit ekonomik të asaj zone e cila është zhytur në krizë. Me mundësimin e shitjes së mallrave kineze është rrënuar atje industria e tekstilit. Gabimi i dytë, thekson Popov është ai që shteti ka lejuar që konflikti i brendshëm ndërfetar të shndërrohet në konflikt të një bashkësie fetare me shtetin, duke formuar në një mënyrë shumë të pakujdeshme Këshillin Kombëtar Boshnjak. "Gjendja duhet të normalizohet dhe duhet të bisedohet në institucionet legale e jo në rrugë“, thotë Popov.

Janjiq: Serbisë i duhet ndihmë tanimë nga jashtë

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, Dusan Janjiq, mendon se sa i përket situtatës së të drejtave të njeriut, situata në Sanxhak paraqet një dështim të plotë të qeverisë së tanishme. „Ky është momenti i fundit kur Serbia duhet të gjejë modelin e integrimit të pakicave e jo vetëm të tolerojë ndarjet dhe grindjet e brendshme. Kam frikë se këtë nuk mund ta bëj më, se tani i duhet ndihma nga jashtë“, thotë Janjiq.

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, Dusan Janjiq
Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, Dusan JanjiqFotografi: Zulfija Jakupi

Aleksandar Popov nuk e përjashton mundësinë e shkallëzimit të krizës në Sanxhak, nëse shteti nuk reagon me kohë dhe në mënyrën e duhur. Por, ai megjithatë nuk beson në mundësinë që Sanxhaku në njëfarë forme të fitojë autonominë sipas modelit të Tirolit Jugor, për çfarë ka folur edhe myftiu kryesor i Bashkësisë Islame në Serbi, Muamer Zukorliq. „Atë nuk do ta pranojë as Serbia dhe as bashkësia ndërkombëtare“, mendon Janjiq

Veçanërisht i diskutueshëm për Dushan Janjiqin është roli i Turqisë në zgjidhjen e konfliktit në Sanxhak. „Mënyra se si Turqia ka ardhur në Serbi me aranzhimin e drejtpërdrejtë të presidentit Boris Tadiq, nuk është e përshtatshme për marrëdhnje afatgjata midis këtyre dy shteteve. Turqia është sjellë këtu jo vetëm që të investojë, por edhe të pajtojë dy ministra dhe në këtë mënyrë është futur në çështjet e brendshme të Serbisë“, thotë Janjiq sipas të cilit „vetëm një numër i vogël i boshnjakëve të mbledhur rreth Uglaninit identifikohet me Turqinë. Ndërkohë që shumica megjithatë mendon se janë popull autokton në Sanxhak..

Novi Pazar
Novi PazarFotografi: cc-by-sa-3.0/Jovanvb

Ideja e Zukorliqit

Pas serisë së incidenteve në Sanxhak, opinionin serb e ka shqetësuar edhe vlerësimi i Zukorliqit, i cili ka thënë se autonomia e Sanxhakut do të jetë „proces i pashmangshëm shoqëror“ për të cilin, për hir të stabilitetit në Serbi dhe në Mal të Zi, do të duhej që me kohë të zhvillohej dialogu midis Beogradit dhe Podgoricës. Zukoliq, i cili ka bërë të ditur se do të themelojë një parti politike dhe i cili ka një influencë të madhe në Sanxhak, mendon se modeli i Tirolit Jugor është forma më e mirë e autonomisë përkëtë rajon, sepse ajo nuk do të cënonte as integritetin territorial të Mali të Zi dhe Serbisë.

Autor: Vesna Rajkoviq/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi