1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia ndoshta kandidate e BE më 2009

Kristof Haselbah3 Shtator 2008

Një delegacion serb nën presidentin Boris Tadic zhvillon në Bruksel bisedime për hapat e mëtejshëm të afrimit të Serbisë me BE. Pengesë vazhdon të bëhet edhe më tej dorëzimi i të kërkuarve si kriminelë lufte.

https://p.dw.com/p/FAxA
Boris Tadiç, Zhoze Manuel Barroso dhe Oli Rehn
Boris Tadiç, Zhoze Manuel Barroso dhe Oli RehnFotografi: AP

Ky është delegacioni me nivel më të lartë prej vitesh, që shkon në Bruksel. Dhe kjo është edhe vizita e parë që prej ardhjes në pushtet të qeverisë me orientim proevropian në Beograd, në fillim të korrikut të këtij viti. Kjo qeveri e re beson se ka në dorë argumenta të fortë, për ta përshpejtuar një afrim me BE. Argumenti më i rëndësishëm mban emrin Radovan Karaxhic. Qeveria serbe kishte vetëm pak javë që kishte filluar punën, kur ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës dhe i dyshuari për krime lufte u arrestua dhe iu dorëzua Tribunalit të Hagës për krime lufte.

Me këtë u plotësua një nga kërkesat më të rëndësishme të BE. Presidenti i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Baroso e lëvdoi tani edhe njëherë tjetër qeverinë serbe. Por shefi ushtarak i Karaxhicit, Ratko Mladic dhe Goran Haxhic, ish-udhëheqësi i atëhershme i serbëve në Kroaci, vazhdojnë të jenë të lirë. Presidenti i Serbisë, Boris Tadic u përgjigj i nervozuar lehtë, kur iu drejtuan sërish në Bruksel për këtë çështje:

"Për të folur me ndershmëri të plotë, ne bëjmë gjithçka që është e mundur për të gjetur Ratko Mladicin dhe Goran Haxhicin, dhe që ditën e parë që t'i gjejmë do t'i dërgojmë ata menjëherë në Hagë."

Por për aq kohë sa nuk janë dorëzuar të dy burrat, nuk pritet të ketë hapa të reja vendimtare në afrimin me BE. Disa supozojnë se qeveria e Beogradit e di shumë mirë se ku janë fshehur Mladici dhe Haxhici, por i mban ata si të thuash si asa të fshehur në dorë, për të siguruar shpërblime politike dhe financiare në këmbim të tyre.

Presidenti i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Baroso tha se tani varet nga Serbia se sa shpejt do të avancojë ky vend në rrugën e tij drejt Evropës:

"Besoj, se nëse gjithçka ecën sipas planit dhe nëse do të plotësohen të gjitha kushtet, do të jetë e mundur që Serbisë t'i jepet në vitin 2009 statusi i kandidatit".

Statusi i kandidatit do të ishte një parashkallë e rëndësishme për anëtarësimin e plotë, të cilin Beogradi e synon deri në vitin 2014. Deri tani ekziston vetëm një marrëveshje stabilizimi dhe asociimi, e cila vërtet që është nënshkruar, por nuk është ratifikuar. Veç kësaj, Serzhe Bramerc (Brammertz), kryeprokrori i Tribunalit të Hagës duhet të arrijë në përfundimin se Beogradi bashkëpunon plotësisht me Tribunalin e Hagës për krime lufte.

Edhe nëse BE nuk pret nga Serbia që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, kjo temë mbetet një problem konstant në marrëdhëniet dypalëshe. Këtu edhe presidenti Tadiç mbron linjën tradicionale serbe, se deklarata e pavarësisë nuk ka bazë juridike. Dhe këtë ai kërkon ta sqarojë nga një instancë e pavarur:

"Serbia nuk do të heqë dorë nga Kosova. Serbia nuk e njeh një pavarësi të Kosovës. Sipas pikëpamjes sonë, shpallja e njëanshme e pavarësisë nga institucionet provizore të Kosovës nuk është një akt legal. Në këtë kuptim, ne i lutemi Gjykatës Ndërkombëtare për një pozicionim konsultues për bazën ligjore të pavarëisë së njëanshme të provincës serbe të Kosovës."

Ky pozicionim i gjykatës vërtet që nuk do të ishte detyrues për qeverinë serbe, por ajo ka ndërmend ta pranojë atë. Beogradi niset nga fakti se vendimi do të jetë në favor të Serbisë.