Serbët marrin gjykatat e veriut të Mitrovicës
14 Mars 2008Qindra pjestarë të komunitetit serb të pjesës veriore të Mitrovicës, kanë hyrë me forcë në objektet e Gjykatave që gjendet poashtu në pjesën veriore të Mitrovicës. Ata kanë hequr flamurin e Kombeve të Bashkura dhe kanë
vendosur flamurin e Serbisë.
Zyrtarë të policisë thonë se në mesin e sebëve të cilët tashmë gjenden brenga Gjykatës, ka edhe ish punonjës serbë të gjykatës të cilët ka kohë që tentojnë të futen në këto objekte. Besim Hoti, është zëdhënës i policisë në Mitrovicë. Ai thotë se gjatë kësaj përleshje të protestuesve serbë me policinë në pjesën veriore të Mitrovicës, nuk ka të lënduar. Përfaqësuesit e policisë dhe ata të administratës ndërkombëtare momentalisht janë duke biseduar me protestuesit serbë që gjenden brenda Gjykatës në përpjekje për të zgjidhur situatën. Futja me dhunë e serbëve në objektet e gjykatave në veri të Mitrovicës ndodhi vetëm pak orë para se Sekretari i përgjithshëm i NATO-os, Jap de Hup Skefer të vizitojë pjesën veriore të Mitrovicës.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Hashim Thaqi, kanë dënuar ashpër këtë veprim të serbëve, dhe kanë kërkuar nga shefi i
UNMIK-ut, forcat paqeruajëse dhe policia ndërkombëtare, që të ndërhyjnë dhe ë largojnë serbët nga objektet e gjykatave.