1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prag EU

7 Maj 2009

Çekia po i mban në ankth deri në fund vëzhguesit: Senati e miratoi marrëveshjen reformuese të BE, pas një ngurrimi të gjatë. Por presidenti Klaus ende do të mendohet për të vënë nënshkrimin e tij.

https://p.dw.com/p/HlAG
Kryeministri Mirek Topolanek dhe presidenti i BE-së, Barroso.
Senati Çek e miratoi marrëveshjen reformuese të BE, pas një ngurrimi të gjatë. Kryeministri Mirek Topolanek dhe presidenti i BE-së, Barroso.Fotografi: AP

Ishte një luftë për secilën votë, por në fund vendimi ishte papritur i qartë: 54 nga 79 senatorët e pranishëm votuan në Senat, në dhomën e dytë të parlamentit çek, pro reformës së BE. Me këtë u kapërcye pengesa më e rëndësishme Çekia, e cila krahas Irlandës ishte një kandidate e pavendosur.

Kryeministri që po largohet nga posti, Mirek Topolanek, u përpoq në fjalimin e tij para senatorëve që t'u përmbahet fakteve. Është fjala për shpenzime dhe dobi, tha Topolaneku, i cili bënte pjesë më parë vetë në kampin skeptik ndaj BE-së. "Sigurisht, pesha e votës së Çekisë dobësohet përmes Marrëveshjes. Kompetenca përcillet në Bruksel. Por, ky është çmimi i anëtarësimit tonë në BE. Me një Jo për Lisbonën ne do të mbyllnim dyert për fqinjët lindorë, që dëshirojnë të bëhen anëtarë të BE-së. Dhe veç kësaj, e gjitha kjo do të na çonte sërish në krahët e Rusisë."

Ministrat e BE-së në Pragë, 29 janar 2009
Ministrat e BE-së në Pragë, 29 janar 2009Fotografi: picture-alliance / dpa

Kundërshtarët e BE-së përsëritën argumentat e tyre të vjetra: Me Marrëveshjen e Lisbonës Çekia rrezikohet nga humbja e kompetencave dhe e sovranitetit, vendet e mëdha të BE-së, si Franca dhe Gjermania mund të vendosin si t'u teket duke dirigjuar të vegjlit. Kështu u shpreh deputeti Zhiri Oberfalcer (Oberfalzer): "Këtu kemi të bëjmë me synimet për krijimin e një supershteti evropian, të cilin nuk e do kërkush. Askush nuk i ka pyetur popujt e shteteve anëtare për këtë. Nëse kjo do të ishte bërë, atëherë përgjigja do të kishte qenë jo. Prandaj, e gjitha luhet nën mantelin e Marrëveshjes së Lisbonës dhe formulimeve të saj të mjegullta."

Por në fund, Mirek Topolaneku ende kryeministër dhe president i radhës së BE-së, arriti qëllimin me argumentat e tij. Rreth një dyzinë senatorësh nga partia e tij, të cilët e kundërshtonin në thelb Marrëveshjen e Lisbonës, votuan megjithatë pro saj. Vendimi mund të sillte dinamikë të re në debatin mbarëevropian. Sepse përmes miratimit nga Çekia, vihet Irlanda në presion për të vepruar. Irlandezët, të cilët e refuzuan Marrëveshjen e Lisbonës në një referendum, do të votojnë edhe njëherë në vjeshtë. Politologu, Zhiri Pehe, drejtor i New York University të Pragës e sheh votën pozitive të Pragës megjithatë si mesazh për presidentin Vaclav Klaus. Të dyja partitë e mëdha në vend, thotë Pehe, tani veprojnë në të njëjtin drejtim - kundër presidentit dhe kursit të tij kritik ndaj Evropës: "Klausi e di tani: po të përpiqet t'i provokojë dy partitë e mëdha, atëherë ato do t'ia kthejnë kusurin me para në dorë, më e vonta pas zgjedhjeve të reja në tetor. Sepse, ata do të kishin një shumicë kushtetuese në të dyja dhomat e parlamentit dhe mund të bënin praktikisht çfarë të donin. Klausi duhet të jetë shumë i kujdesshëm tani."

Vaclav Klaus, President i Çekisë.
Kohët kur kritiku i BE-së, Vaclav Klaus përcakton tonin në çështjet rreth Evropës në Çeki, duket se kanë kaluar njëherë për njëherë .Fotografi: picture-alliance/ dpa

Kohët kur kritiku i BE-së, Vaclav Klaus përcakton tonin në çështjet rreth Evropës në Çeki, duket se kanë kaluar njëherë për njëherë . Por, nëse dhe kur do të nënshkruhej marrëveshja reformuese, këtë deri tani presidenti e ka lënë të hapur. Me këtë ai do të presë vendimin në Irlandë.

Autor: Christina Janssen / Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama