1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sarah Pelin - Portret i kandidates republikane për postin e zv/presidentit

Sina, Ralph / Washington (WDR) 30 Gusht 2008

Tani edhe Xhon Mekkein (John McCain) ka një kandidate të mundshme për postin e zv/presidentit. Kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë në rast fitoreje në zgjedhje do të emërojë guvernatoren e shtetit federal, Alaska.

https://p.dw.com/p/F7ZL
Guvernatorja e Alaskës, Sarah PalinFotografi: AP

"Barak Obama nuk pati guximin të kishte në krah një grua si zëvendëse. Unë e kam këtë guxim." Ky është mesazhi elektoral që jep 72-vjeçari Xon Mekkein në prag të kongresit të partisë republikane, me zgjedhjen e politikanes së re Sarah Pelin, thuajse të panjohur edhe në vetë SHBA, guvernatorja e parë grua e Alaskës.

Sarah Pelin është një person i mrekullueshëm, thotë Mekkein gjatë aktiviteteve të tij elektorale. 44 vjeçarja është më e re se kandidati demokrat Obama. Dhe ndryshe nga zv/presidenti i zgjedhur nga Obama Xho Bajden (Joe Biden), Sarah Pelin nuk bën pjesë në establishmentin politik të Uashingtonit. Për shkak të politikës së saj të guximshme Pelin është shumë popullore në Alaska, thekson Mekkein. Ai parashikonë një karrierë madhështore në partinë republikane për kandidaten për zv/presidente.

Vetë Sarah Pelin e sheh veten si një republikane të angazhuar në politikën sociale. Ajo investoi shumën rekord prej 5 miliardë dollarësh në modernizimin e sistemit arsimor të Alaskës, krijoi një fond shtetëror ndihme për pensionistët e varfër dhe themeloi një këshill për ambjentin për të zhvilluar strategji të reja klime për Alaskën. Në të njëjtën kohë Pelin mbron pa kompromis nevojën e shpimeve të naftës në territore të shpallura si zona të mbrojtura natyrore në Alaska:

"Këtu në Alaska njerëzit duan që të bëhen shpime", thotë Pelin, duke shtuar se ato janë egzistenciale për pavarësinë energjitike të Amerikës. Dhe sipas saj shpimet do të ishin një sukses.

Sarah Pelin kritikon ashpër rivalin e Mekkeinit, kandidatin demokrat për president Barak Obama. Ai është sipas saj një politikan tipik nga vendi i ëndrrave.

Obama pikërisht në politikën energjitike nuk e ka kuptuar se çfarë duhet të bëjë tani Amerika - kjo është kredoja e Pelin.

Kandidatja e Mekkeinit për zv/presidente nuk i kurseu kritikat as ndaj problemeve në partinë republikane. Pa kompromis ajo dënoi disa republikanë të korruptuar nga Alaska dhe përshëndeti publikisht burgimin e tyre.

E pakompromentueshme dhe njëlloj tërheqëse si për republikanët ashtu dhe për demokratët: kjo është gruaja që kishte kërkuar Mekkein për postin e zv/presidentit. Krahu konservator i partisë republikane e ka përshëndetur ndërkohë përzgjedhjen jo konvencionale të Mekkeinit. Sarah Pelin në fund të fundit është jo vetëm nënë e pesë fëmijëve por edhe një kundërshtare e profilizuar e abortit. Megjithë politikën e saj të angazhuar sociale Sarah Pelin thekson gjithnjë prioritetin numër një të të gjithë republikanëve.

Ajo është përkrahëse e prerë e tatimeve të ulëta dhe pozicionohet kështu në linjën e fushatës elektorale të shefit të saj Mekkein.