1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i klimës para dështimit

17 Dhjetor 2009

Pak para përfundimit të samitit për klimën, negociatat rreth masave për mbrojtjen e klimës dhe financimin e tyre kanë ngecur. Kjo shkaktoi reagime të shumta.

https://p.dw.com/p/L66i
Fotografi: AP

Bisedimet për një projekt-marrëveshje të drejtuara nga presidenca daneze e konferencës, u ndërprenë gjatë natës. Vendet në prag të industrializimit, para së gjithash Kina, kritikuan si të njëanshëm projektin, i cili do të jetë baza e vendimmarrjes për kryetarët e shteteve dhe qeverive nga rreth 120 vende që do të marrin pjesë nga sot në konferencë.

Merkel paralajmëron për pasojat dramatike të dështimit

Kancelarja gjermane Angela Merkel pëpara nisjes për në Kopenhagë dha një deklaratë qeveritare në parlament. Në të ajo paralajmëroi ndaj pasojave dramatike në rast se në samitin e klimës nuk do të arrihen rezultate.

Merkel bei Regierungserklärung zum Kopenhagen
Angela Merkel në BundestagFotografi: AP

"Nëse ne nuk vendosim tani piketat e nevojshme, rrezikojmë pasoja dramatike, kryesisht për vendet e varfëra, por askush nuk do të kursehet prej tyre. Flitet shumë për kostot e masave për mbrojtjen e klimës por pak për kostot e pasojave të mosveprimit. Të gjitha raportet ekonomike parashikojnë qartë se nëse nuk ia dalim të reduktojmë në 2 gradë ngrohjen e Tokës, kostot e dëmeve do të jenë shumë herë më të larta nga ajo që mund të arrijmë sot me një ndryshim të mënyrës së jetesës", theksoi Merkel.

Financat dhe kufijtë e lejuar problemet më të mëdha

Polemika përqëndrohet kryesisht në çështjet financiare dhe kufijtë e lejuar të emetimit të gazrave të dëmshëm dhe dy ndotësit më të mëdhenj, SHBA dhe Kina, bllokojnë. "Unë i bëj thirrje partnerëve tanë, SHBA-së dhe Kinës, të bëjnë më shumë që kjo konferencë të përfundojë me sukses", apeloi dje Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso. Vendet pjesëmarrëse, sipas OKB-së, duhet të zotohen që të reduktojnë ngrohjen e globit në nivelin maksimal prej 2 gradë celcius.

Autor: DW/Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani