1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i Filipineve - ASEAN synon më shumë integrim

Bernd Musch Borovska13 Janar 2007

Në samitin e zhvilluar në Filipine ditën e shtunë të dhjetë vendet anëtare të Bashkësisë së shteteve të Azisë juglindore ranë dakord për integrim më të madh politik si edhe për krijimin e një zone rajonale të tregtisë së lirë

https://p.dw.com/p/AqnM
Takim i ASEAN-it
Takim i ASEAN-itFotografi: AP

Shtetet e bashkësisë së vendeve të Azisë juglindore të njohur me emrin (ASEAN) synojnë të krijojnë më parë se sa ishte planifikuar një zonë ekonomike të përbashkët, me një shkëmbim të lirë mallrash, shërbimesh dhe kapitali. Marrëveshja për këtë u nënshkrua nga shefat e shteteve dhe qeverive të dhjetë vendeve anëtare në samitin e zhvilluar në ishullin e Filipineve, Cebu.

Sipas kësaj marrëveshjeje tregu i përbashkët do të bëhet realitet. Krijimi i zonës së tregtisë pa doganë ndërmjet vendeve të Bashkësisë së Azisë juglindore do të krijohet që në vitin 2015. Më parë ishte planifikuar si afat për krijimin e zonës së tregtisë së lire viti 2020.

Për këtë duhet të krijohet një mekanizëm detyrues për të gjithë anëtarët, i cili do të mundësojë përshpejtimin e vendimgjetjes ems vendeve nënshkruese të marrëveshjes. Deri më tani gjithçka bazohet në deklarata pro këtij qëllimi dhe në marrëveshje të përgjithshme. Megjithatë Karta e synuar e vendeve të Bashkësisë së vendeve të Azisë juglindore do të bëjë të mundur që të shfuqizohet parimi i konsensusit, sepse me këtë vonohet mjaft marrja e vendimeve të rëndësishme mes dhjetë vendeve anëtare, thotë Victoriano LEcaros, zëdhënësi i Sekretariatit të ASEAN. Në vitin 1967 kur u krijua kjo bashkësi kishte vetëm pesë anëtare, Tajlandën, Indonezinë, Malajzinë, Singaporin dhe Filipinet dhe gjërat ishin më të thjeshta, thotë ai.

Të marra të gjitha së bashku, shtetet e bashkësisë ASEAN kanë 537 milionë banorë, dhe me këtë ato krijojnë një treg të brendshëm shumë më të fuqishëm se Bashkimi Evropian, apo zona e tregtisë së vendeve amerikano-veriore, e njohur me emrin NAFTA.

Ndër të tjera shtetet e Azisë juglindore anëtare të bashkësisë ASEAN nënshkruan konventën për luftën e përbashkët kundër terrorizmit ndërkombëtar. Më këtë këto shtete parashikojnë një bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër organizatave të tilla terroriste si "Jemaah Islamiyah" apo grupin që operon në Filipine "Abu Sayyaf".

Gjithashtu u nënshkrua edhe një deklaratë për mbrojtjen e punëtorëve emigrantë. Në këtë çështje ka pasur në të shkuarën pozicione të ndryshme sidomos mes Indonezisë, Tajlandës dhe Filipineve nga njëra anë dhe vendeve që pranojnë emigrantë si Malajzia apo Singapori.

Ditën e dielë përfundon zyrtarisht samiti i shteteve ASEAN, por në Cebu fillon javën e ardhshme një tjetër samit i rëndësishëm, ai i Azisë lindore ku merr pjesë edhe Kina, Japonia, Korea, India Australia dhe Zelanda e re. Synimi i këtij samiti është mënjanimi i dominancës ekonomike të Kinës dhe përafrimi i qëllimit afatgjatë, bashkimin e Azisë në një zonë të tregtisë së lirë.