1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ruprecht: Statusi i Kosovës nuk mund të mbetet i tillë

Verica Spasovska26 Prill 2007

Pjesë nga intervista e (Ruprecht Polenc) Ruprecht Polenz, kryetar i Komisionit parlamentar gjerman për politikën e jashtme, dhënë radios Deutsche Welle

https://p.dw.com/p/ArWE
Ruprecht Polenc
Ruprecht PolencFotografi: ZB - Fotoreport

DW: Zoti Polenc, tema më e rëndësishme e Ballkanit Perëndimor është aktualisht statusi i pasqaruar i Kosovës. Nga ana shqiptare po rritet padurimi, ndërkohë që serbët ngulin këmbë që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë. Si mendoni ju duhet të jetë zgjidhja e këtij problemi, në mënyrë që të dyja palët të arrijnë një kompromis?

Polenz: Mendoj se propozimet që ndërmjetësuesi Ahtisari bëri përpara Kombeve të Bashkuara, janë diskutuar më parë me hollësi nga të djya palët. Një zgjidhje e mundshme është që Serbia të mos e administrojë më Kosovën, sepse në fakt ajo ka kohë që nuk e bën më këtë gjë. Statusi i Kosovës nuk mund të mbetet i tillë. Ndonëse nuk është arritur ende një kompromis në çështjen e statusit, nuk duhet të harrojmë se si Kosova ashtu edhe Serbia kanë si interes afatgjatë anëtarësimin në BE. Serbia dëshiron që të fillojë bisedimet për anëtarësim që në vitin 2008, por kjo nuk do të jetë e mundur pa zgjidhjen e statusit të Kosovës. Dhe meqënëse propozimi i Ahtisarit ë shtë gjithashtu mbrojtja e pakicave serbe që jetojnë në Kosovë, mendoj se të dyja palët duhet të bien më në fund dakord në këtë linjë. Dhe ky është edhe pozicioni i BE-së.


DW: Çfarë mendoni ju duhet të bëjnë shqiptarët e Kosovës dhe çfarë duhet të bëjnë serbët, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje paqësore?


Polenc: Të dyja palët duhet të pranojnë më në fund realitetin. Milosheviçi i shkaktoi Serbisë dëme shumë të rënda. Eshtë tragjike që qeveria aktuale, e cila u zgjodh në mënyrë demokratike, duhet të jetojë më konsekuencat e politikës së Milosheviçit. Por historia është shpesh e tillë. Sidoqoftë perspektiva e të ardhmes në Evropë duhet t´i ndihmojë paksa serbët. Përsa i përket politikanëve në Kosovë duhet të jetë e qartë se në rast se Kombet e Bashkuara arrijnë një rezolutë mbi një pavarësi të kufizuar, për ta do të fillojë një punë shumë e vështirë. Ndonëse ata mund të mendojnë se ja arrijnë qëllimit të tyre, ata duhet të dinë se ky do të jetë vetëm fillimi. Ata duhet të punojnë për të zhvilluar vendin. Papunësia aty është jashtëzakonisht e lartë, popullsia është shumë e re dhe mendoj se në të ardhmen politikanët kosovarë do të kenë shumë punë dhe përgjegjësi.