1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Rreziqe të reja për paqen, sigurinë dhe stabilitetin kërcënojnë botën tonë" - Festohet 50 vjetori i ushtrisë gjermane

Judit Hartl7 Qershor 2005

Duke pohuar qartë shërbimin e detyruar ushtarak kancelari Gerhard Shrëder dhe ministri i mbrojtjes Peter Shtruk hapën serinë e festiviteteve me rastin e 50 vjetorit të themelimit të Bundeswehrit, ushtrisë gjermane. Me këtë deklaratë të dy politikanët u distancuan prej rrymave të forta në politikën e brendëshme që kërkojnë heqjen e detyrimit për shërbimin ushtarak.

https://p.dw.com/p/Ar3S
Kancelari Shrëder dhe ministri i mbrojtjes Shtruk
Kancelari Shrëder dhe ministri i mbrojtjes ShtrukFotografi: AP

- Në ceremoninë festive që u zhvillua në muzeun historik, ish-depo e armëve, në Berlin ishin të pranishëm mbi 700 të ftuar. Kancelari Shrëder në fjalën e tij vlerësoi karakterin e veçantë të Bundeswehrit si një ushtri e paqës, statusin e saj kushtetues si një ushtri parlamentare si dhe konceptin e saj të drejtimit nga brenda dhe të qytetarit nën uniformë. Njëkohësisht kancelari theksoi funksionin e ushtrisë gjermane si një instrument i politikës së sigurisë dhe pranoi rritjen e përgjegjësisë ndërkombëtare të Gjermanisë në politikën paqësore të bashkëpunimit. -

Eshtë një nga ndërtesat më të bukura të barokut në Gjermani - muzeu historik gjerman në bulevardin e blinjve "unter den Linden". Dikur në këtë vend depozitoheshin armët, ndaj dhe godina ka marrë emrin shtëpia muze. E pra ajo është mëse e përshtatshme për të qenë skenë e veprimtarive të tilla si jubileu i 50 vjetorit të Bundeswehrit. Pas themelimit të Bundeswehrit ishte mjaft e fortë ndjenja e skepticizmit lidhur me riarmatimin e Gjermanisë, kjo si bredna edhe jashtë vendit. Këtë e nënvizoi në fjalimin e tij kancelari Shrëder. Sipas tij "ndërkohë Bundeswehri ka fituar imazhin "si një ushtri e demokracisë": "Antarët e Bundeswehrit janë përfaqësues shumë të mirë të vendit tonë kudo që ata janë angazhuar. Ata kryejnë një detyrë mjaft të rëndësishme dhe siç e dimë të gjithë shpesh herë edhe shumë të rezikshme. Këtë detyrë ata e kryejnë me sukses, në mënyrë profesinale ndaj meritojnë rrespekt dhe mirënjohje."

Bundeswehri, theksoi Shrëder, vazhdon të jetë në radhë të parë një ushtri e paqës që ndihmon në shmangien e konflikteve. Megjithatë kohët e mbrojtjes klasike të atdheut kanë kaluar, e më së voni qysh pas sulmeve terroristë të 11 shtatorit: "Rreziqe të reja për paqën, sigurinë dhe stabilitetin e kërcënojnë botën tonë. Këto janë rreziqe, të cilave nuk mund t´u bëjë ballë më një shtet i vetëm. Rreziqe që kërkojnë më shumë gatishmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar që është gjithnjë në rritje"."

Natyrisht që një bashkëpunim i ngushtë transatlantik është në interesin gjerman, në atë amerikan dhe evropian, theksoi më tej Shrëder, duke shtuar: "Krahas saj gjithnjë e më shumë politika evropiane e sigurisë dhe e mbrojtjes po konsolidohet në një komponente të dytë të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë. Ajo nuk mund dhe as duhet të zëvendësojë NATO-n, por ajo mund dhe duhet ta plotësojë atë në mënyrë kuptimplotë."

Të tilla sfida dhe detyra të reja ne mund t´i përballojmë vetëm me ndihmën e ripërtëritjes së përgjithshme të Bundeswehrit. Vazhdimisht ministri i mbrojtjes, Peter Shtruk thekson, se siguria e Gjermanisë mbrohet edhe në malësitë e Hundukushit në Afganistan: "Bundeswehri është gjithmonë atje ku është e nevojshme, ku shtohet rreziku për bashkësinë ndërkombëatre, për Evropën dhe për Gjermaninë. Ndaj është e rëndësishme që të jemi kurdoherë të vetëdijshëm për rrezikun që u kanoset ushtarëve tanë në angazhimet ndërkombëatre."

Ministri i mbrojtjes Peter Shtruk ka filluar me reformën e zgjeruar të Bundeswehrit, një detyrë kjo që ende kërkon kohë për t´u përfunduar dhe që disa mund t´i prekë ndjeshëm, kryesisht kur është fjala për mbylljen e bazave të ushtrisë. Megjithatë reforma është e domosdoshme, nënvizoi kancelari: "Reforma e ushtrisë është përgjigja e domosdoshme ndaj situatës krejtësisht të ndryshuar të sigurisë. Procesi i reformës dhe ristrukturimi është nisur me sukses dhe duhet të vazhdojë për t´u përmbyllur me sukses."

Një temë të ndjeshme nuk preferoi ta prekë ministri i mbrojtjes, cështjen e shërbimit të detyruar ushtarak. Kjo pasi Bundeswehri është i lidhur ngushtë me popullsinë dhe përveç kësaj mbetet një ushtri e re. Ja se si e vlerëson kancelari këtë aspekt: "Sa i përket konceptit të detyrimit të përgjithshëm për shërbimin ushtarak unë jam në një mendim me ministrin, edhe sot e kësaj dite kjo është bazë e sprovuar për Bundeswehrin."

Në të kundërt një ushtri mercenare do të cënonte lidhjen e ngushtë mes shoqërisë dhe Bundeswehrit. Përveç kësaj, thekson minstri Shtruk, shtete të tjera kanë përvoja negative me ushtritë mercenare. P.sh. ushtria e SHBA vuan nga mungesa e madhe e brezave të rinj.