1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

261010 Ungarn Umweltgefahr

26 Tetor 2010

Ambientalistët paralajmërojnë për rreziqet e një incidenti të ri industrial në Hungari, i cili sipas tyre mund të kërcënojë sërish fshatrat dhe qytetet me baltë të kuqe helmuese.

https://p.dw.com/p/PoLP
Ambientalistët paralajmërojnë për rreziqet e një incidenti të ri industrial
Ambientalistët paralajmërojnë për rreziqet e një incidenti të ri industrialFotografi: AP

Në Almásfüzito është konstatuar një rezervuar, i cili ka probleme të ngjashme potenciale si ai që u ça në fillim të muajit tetor në perëndim të Hungarisë, duke shkaktuar të paktën nëntë të vdekur dhe më shumë se 120 të lënduar.

Almásfüzito është një emër romantik dhe do të thotë diçka si pemë molle. Por romantikja është zhdukur nga fshati me këtë emër. Pranë rrugës kryesore ne ecim përmes ish fabrikës së aluminit, të shoqëruar nga zyrtarë paksa nervozë. Fabrika e cila dikur ishte krenaria e Evropës Lindore komuniste, u detyrua të mbyllej në vitet 1990 në vazhdën e reformimit të tregut. Më shumë se 1000 vetë humbën vendet e punës. Fabrika la pas një rezevuar në gjendje të keqe të mbushur me baltë të kuqe helmuese. Ai i ngjan rezervuarit të një fabrike të polemizuar alumini, në perëndimin e vendit.

Ish fabrika e aluminit në Almásfüzito
Ish fabrika e aluminit në AlmásfüzitoFotografi: DW

Ai rezevuar në fshatin Kolontar shkaktoi një katastrofë: rreth 800.000 metra kub baltë, një mbetje që rezulton gjatë prodhimit të aluminit, përmbyti fshatrat dhe qytetet, duke ndotur një sipërfaqe prej 40 kilometrash katrorë me metale të rënda dhe kimikate të tjera.Tani ekziston frika se një incident i ngjashëm mund të ndodhë edhe në Almásfüzito. Edhe drejtori i firmës private përgjegjëse për kompleksin, Sandor Pirik pranon se ka rrezik: “Mund të ndodhin tërmete në zonën ku ndodhet ish fabrika. Ne nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë me rezervuarin në një situatë të tillë. Një tjetër problem janë përmbytjet e shpeshta nga Danubi, i cili ndodhet aty pranë."

Drejtori pranon megjithatë se punonjësit e tij e mbikqyrin vazhdimisht rezervuarin.

Një aksident i mundshëm mund të shkaktojë probleme në furnizimin me ujë të pijëshëm në Sllovakinë fqinje e madje edhe në Budapest, i cili ndodhet vetëm 80 kilometra larg.

Rezervuari ndodhet thuajse pranë lumit Danub, një nga rrugët kryesore ujore të Evropës. Në raste të ndryshme në të kaluarën fryrja e lumit ka bërë që ujrat të mbërrijnë deri tek diga e rezervuarit.

Një kompani private është tani përgjegjëse për monitorimin e rezervuarit dhe e mbulon atë me mbetje industriale. Drejtori për ambjentin Peter Farkas përpiqet të na bindë se nuk ka arsye për t'u shqetësuar. Farkas kërcen mbi një pirg dheu që ngjan si një peisazh i kuq nga planeti mars. Ai thotë: "Në fabrikën ku ndodhi katastrofa, balta ishte e lëngshme. Këtu është ndryshe. Kjo baltë është e ngurtë, prandaj unë madje mund të hidhem mbi të. Ne gjithashtu kemi mbuluar pjesën më të madhe të rezervuarit, ndërsa fabrika në Ajka pranë Kolontarit nuk kishte filluar fare ta bënte këtë."

Por Ferenc Fedinsky, drejtori për Hungarinë i "World Wildlife Fund", nuk është i bindur. Ai paralajmëron ndaj rrezikut të një incidenti të madh në Almásfüzito, të ngjashëm me atë që ndodhi në Kolontar. "Ne jemi të gjithë të shqetësuar se mund të ndodhë një tjetër aksident i ngjashëm. Arsyeja është se ne nuk e dimë se sa të qendrueshëm janë këta rezervuarë. Ne nuk kemi informacione nëse në Almásfüzito janë kryer kontrolle të rregullta nga kompania apo autoritetet."

Romantikja është zhdukur nga fshati me emrin Almásfüzito
Romantikja është zhdukur nga fshati me emrin AlmásfüzitoFotografi: DW

Fedinsky thotë se banorët lokalë në Almásfüzito janë ankuar tashmë për rrjedhje nga rezervuari. Ai shton se janë në rrezik rezervat e ujit të pijshëm, për shkak të teknologjisë së vjetëruar të përdorur për të ndërtuar rezervuarin kaq afër lumit. "Në rast përmbytjeje, uji nga Danubi thjesht derdhet në rezervuar. Problemi tjetër madhor është se nëse ka rrjedhje nga rezervuari, atëherë balta e kuqe shkon direkt në Danub. Dhe nëse balta ka veti acide aq të forta sa në rastin e Kolontarit, ajo me siguri do të vrasë shumë peshq dhe kafshë të egra në Danub dhe do të rrezikojë furnizimin me ujë të pijshëm nga Danubi."

Por jo të gjithë fshatarët në Almásfüzito duan të mendojnë për rreziqet e të jetuarit pranë rezervuarit, ku punëtorët janë të angazhuar për të mbulimin e baltës. Duke qendruar pranë baltës së kuqe në një pasdite me erë, kryetari i bashkisë Lukács Karánsebesy, thotë se ka kujtime të këndshme nga koha në fabrikën e aluminit.

Fshatarët përballen me një të ardhme të pasigurtë pasi mbetet e paqartë nëse në të ardhmen do të jenë në gjendje të shesin produktet e fermave të tyre në mes të shqetësimeve për ndotje të tokave të tyre dhe burimeve të ujit të pijshëm.

Pak nga pak po del në dritë trashëgimnia e politikës industriale të kohës së komunizmit. Almásfüzito nuk është i vetëm. Bashkimi Evropian thotë se ka identifikuar në rajon disa industri kimike që bartin rreziqe potenciale.

Autor: Stefan Bos/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama