"Rolin kyç për zgjidhjen e konfliktit sipas pikëpamjes gjermane e ka Egjipti"
12 Janar 2009Nga gazeta "SÄCHSISCHE ZEITUNG" që botohet në Dresden, për këtë temë ndër të tjera lexojmë: "Rolin kyç për zgjidhjen e konfliktit, sipas pikëpamjes gjermane e ka Egjipti. Prandaj mbështetja e ofruar për ndërtimin e një menaxhimi modern të kufijve ka karakter demonstrativ. Ajo që mund të kontribuojnë me të vërtetë ekspertët gjermanë, për ta paralizuar sistemin e tuneleve të Hamasve, kjo duhet të gjykohet më vonë."
Ndërsa "LANDESZEITUNG" që botohet në Lyneburg analizon deklaratën e presidentit të zgjedhur të SHBA, Barak Obama, për t'u marrë shumë shpejt me problemin e Lindjes së Afërt: "Presidenti i zgjedhur i SHBA do të merret me problemin e koklavitur të Lindjes së Afërt menjëherë pas ardhjes në pushtet. Ndryshe nga Xhorxh Bushi, i cili e injoroi për shtatë vjet nyjen gordiane, dhe u mor vetëm në fund të periudhës së tij në post me këmbëngulje me të, për të ndriçuar imazhin e tij. Por autoriteti i presidentëve në ikje nuk është në gjendje të lëvizë gjë në Lindjen e Afërt, prandaj vendimi i Obamas është i mençur. Se sa me këmbëngulje e kërkon zgjidhjen problemi i Lindjes së Afërt, kjo konfirmohet nga informacioni për një sulm të penguar preventiv të Izraelit kundër pajisjeve atomike iraniane. Nëse Obama do të arrijë t'i izolojë nunët e terrorit në Teheran, duke arritur një kompromis midis Izraelit dhe fqinjëve të tij të moderuar arabë, atëherë edhe nyja gordiane do të lirohet."